A dimë çfarë blejmë? Llojet e bukës në treg dhe përbërja e tyre

813 0

Drithi më i përdorur për bukën mbetet gruri, por elbi, thekra, tërshëra dhe mielli i misrit janë përdorur gjithashtu. Në fillim, njerëzimi është ushqyer me bukë pa maja, por si çdo produkt tjetër, edhe buka u bë pjesë e ndryshimeve, deri sa arriti në produktin që konsumojmë sot.

Llojet e bukës janë të panumërta dhe AgroWeb.org po ju sjell një tablo të përgjithshme:

Buka e zezë që përmban karbohidrate natyrale dhe 10% krunde.

Buka me drithë të plotë e me krunde, që përmban sasi shtesë të drithërave të pazhveshur nga lëvozhga, që në vendin tonë quhet edhe buka e fshatit.

Më pas kemi, bukën e thekrës, që është mjaft popullore në Evropë. Gjithashtu disa kategori konsumatorësh përdorin bukën pa maja sidomos ata që kanë probleme me tretjen.

Kemi edhe llojin e bukës me brumë të ardhur dhe buka e shpejtë që përmban sodë buke, me këtë brumë përgatiten edhe petullat, pitet, simitet, kiflet, buka me banane dhe keku me karrotë.


Llojet më të përhapura të bukës janë ajo e bardhë dhe ajo me drithë të plotë.

Buka e bardhë përgatitet nga mielli i bluar i bërthamës së drithit të grurit. Mielli përpunohet gjatë bluarjes, një proces që largon gjithë krundet e pasura me yndyrë natyrale.

Ky përpunim e bën bukën të qëndrojë e ngrënshme për më shumë kohë.

Mielli i përdorur në këtë bukë, zbardhet duke përdorur bromat kaliumi, një proces që heq fibrat, hekurin, vitaminat B dhe ushqyes të tjerë.

Për të zëvëndësuar humbjen e këtyre tre ushqyesve thelbësorë, nevojitet pasurimi i miellit të bardhë me acid folik, thiaminë, riboflavinë, niacinë dhe hekur.

Buka me drithë të plotë përgatitet nga mielli i bluar nga drithi i plotë e i pazhveshur. Asnjë prej ushqyesve të këtij drithi nuk humbet gjatë bluarjes.

Kujdes

Sipas të dhënave në Shqipëri numërohen përafërsisht 5000 furra buke, ndërsa vetëm në Tiranë mund të jenë rreth 1500-1600 furra buke, ndërkohë që një familje mesatare blen minimalisht një bukë në ditë.

Gati një e katërta e bukës që ne konsumojmë sot bëhet me aditive dhe sasi të ekzagjeruara majaje shtesë, në mënyrë që ajo të piqet më shpejt dhe të rrojë më gjatë.

Problemet e tretjes për këtë arsye janë në rritje ashtu siç është në rritje dhe numri i njerëzve që kanë filluar të ndjenjë fryrje pasi konsumojnë bukë.

Konsumatorët janë të shqetësuar në mënyrë të vazhdueshme për shëndetin, por kur vjen puna tek buka, çështja vështirësohet pak.

Për të bërë zgjedhjen e duhur më parë duhet të dimë se çfarë ka brenda buka. Problemi qëndron se thjesht nuk e dimë. Bukëpjekësit refuzojnë të japin informacion mbi bukën tonë të përditshme, duke na bërë me të drejtë të mendojmë se ata kanë diçka për të fshehur.

Por edhe konsumatorët mund të tregohen më tepër kërkues ndaj përbërjes së bukës që blejnë dhe të mos mjaftohen vetëm me emrat e bukës që u serviren nga pikat e shitjes./AgroWeb.org