Post – Pandemia: Tregtia me Pakicë Rritje Vjetore me 9,9% Prej Kërkesës për Mallra

421 0

Sipas të dhënave të INSTAT rritja erdhi nga artikujt jo-ushqimore si rrjedhojë e rikthimit blerjeve të munguara gjatë kufizimeve, ndërkohë që tregtia e ushqimeve erdhi në rënie si pasojë e mbi furnizimeve gjatë vitit të kaluar në tremujorin e dytë.

Në tregtinë me pakicë, pa përfshirë këtu tregtinë me pakicë të hidrokarbureve, volumi i shitjeve në tremujorin e parë 2021 është rritur me 5,5 %, kundrejt tremujorit të dytë të vitit 2020.

Në grupin “Ushqime, pije, duhan në njësi tregtare jo të specializuara dhe të specializuara”, volumi i shitjeve ka pësuar rënie 1,2 %, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2020.

Produktet që pësuan rritje

Volumi i shitjeve, për grupin “Artikuj jo-ushqimorë në njësi tregtare të specializuara dhe jo të specializuara”, është rritur 10,9 %, kundrejt të njëjtës periudhë të vitit paraardhës.

Në grupin “Tregti hidrokarbure në njësi tregtare të specializuara“, volumi i shitjeve është rritur me 23,9 %, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2020.

Në ndryshimin vjetor prej +9,9 %, në tremujorin e dytë 2021 ndaj tremujorit të dytë 2020, në tregtinë me pakicë, grupet kanë kontribuar si më poshtë:

Grupi “Artikuj jo-ushqimore në njësi tregtare të specializuara dhe jo të specializuara” me +5,9 pikë përqindje.

Grupi “Tregti me pakicë e hidrokarbureve në njësi tregtare të specializuara” me +5,5 pikë përqindje.

Grupi “Ushqime, pije e duhan në njësi tregtare jo të specializuara dhe të specializuara” ka kontribuar me -1,5 pikë përqindje.

Në tremujorin e dytë 2021, volumi i shitjeve, përshtatur sezonalisht, në grupin “Tregti me pakicë, pa përfshirë këtu tregtinë me pakicë të hidrokarbureve në njësi tregtare të specializuara”, ka pësuar rënie me 0,4 %, krahasuar me tremujorin paraardhës.

Në grupin “Ushqime, pije, duhan në njësi tregtare jo të specializuara dhe të specializuara”, volumi i shitjeve, përshtatur sezonalisht, nuk ka pasur ndryshim krahasuar me tremujorin paraardhës.

Volumi i shitjeve, përshtatur sezonalisht, në tregtinë me pakicë, për grupin “Artikuj jo-ushqimore në njësi tregtare të specializuara dhe jo të specializuara”, ka pësuar rënie me 0,7 %, kundrejt tremujorit të mëparshëm.

Në grupin “Tregti me pakicë hidrokarbure në njësi tregtare të specializuara“, volumi i shitjeve, i përshtatur sezonalisht, ka pësuar rënie me 2,3 %, kundrejt tremujorit të parë 2021.

Burimi: Monitor.al