Shqipëria Si Serbia? Kosova Vendos Tarifa Shtesë Edhe Për Frutat dhe Perimet Nga Shqipëria

424 0

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë së Republikës së Kosovës Bajram Hasani ka miratuar vendimin për të aplikuar tarifa shtesë për frutat dhe perimet e importit. Edhe nga Shqipëria!

Këto tarifa sipas arsyetimit të Ministrit vendosen për të mbrojtur 21 produkte bujqësore të Kosovës.

Të gjitha frutat dhe perimet që hyjnë në Kosovë nga data 18 Korrik 2018 do të duhet të paguajnë një masë të përkohshme prej 30 për qind të vlerës doganore, shkruan Kosovapress.

Kjo masë është caktuar të premten e kaluar nga ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani. Vendimi do të hyjë në fuqi me datën 18 të këtij muaji.

Në vendimin e publikuar nga KosovaPress, thuhet se deri te caktimi i kësaj mase  ka ardhur pas një hetimi të gjerë dhe konsultave me prodhuesit vendor, siç parashihet me Ligjin për Masa Mbrojtëse në Importe ku janë hetuar të gjithë pemët dhe perimet me origjinë nga të gjitha vendet e botës.

Vendimi i Ministrit të Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës

“Njoftimi erdhi pas vlerësimit paraprak të gjendjes; përfshirë konsultimet me prodhuesit siç parashihet në paragrafin 1 të nenit 6 të Ligjit nr.04/l-04 për Masat Mbrojtëse në Importe.

Vlerësimi ofroi bazë të mjaftueshme për të përcaktuar se produktet që do të hetohen, importohen në Republikën e Kosovës në sasi aq të mëdha dhe në ato kushte të cilat kërcënojnë t’u shkaktojnë dëm serioz prodhueseve të pemëve dhe perimeve në vend ose të shkaktojnë parregullsi që mund të përkeqësojnë gjendjen ekonomike të prodhuesve të pemëve dhe perimeve në Republikën e Kosovës”, thuhet në vendim.

Kjo është lista e frutave dhe perimeve që u është caktuar tarifa shtesë e importit prej 30% të vlerës

Patatja, Domatja, Speci, Trangulli,

Shalqini, Pjepri, Lakra e hershme (pranverore), Lakra e vonshme (vjeshtore),

Sallatë, Spinaqi, Qepa, Karrota, Fasulja,

Molla, Dardha, Kumbulla, Qershia,

Dredhëza, Mjedra, Manaferra, Misri.

Aplikimi i masave proteksioniste dhe tarifave shtesë ka vënë në alarm eksportuesit e Shqipërisë, por edhe vendeve të tjera të rajonit si Maqedonia.

Përfshirja në listë e frutave të stinës si shalqini, pjepri, dardha dhe kumbulla i bëjnë të pamundura volumet e eksporteve shqiptare në Kosovë pasi çmimet e tyre do të jenë automatikisht 30% më të larta sesa sot.

Burime të mirëinformuara të AgroWeb.org në Maqedoni tregojnë se ekipe të Ministrisë së Bujqësisë dhe të Tregtisë së Maqedonisë po llogarisin impaktin e tarifave dhe po konsiderojnë marrjen e masave reciproke për të tarifuar eksportet kosovare.

Ndërkohë që nëse autoritetet shqiptare aplikojnë masa reciproke kundër eksporteve të Kosovës, një nga produktet e prekura do të jetë gruri dhe mielli që importohen prej Kosovës në Shqipëri.

Një rritje e çmimit të miellit që kompanitë kosovare e rishesin në Shqipëri me origjinë nga Serbia apo vende të tjera të rajonit, do të sillte padiskutim lëvizje të çmimit të bukës në vend.

AgroWeb.org po kërkon informacion të verifikuar nga Ministria e Bujqësisë dhe autoritetet të tjera në Shqipëri për të mësuar mbi masat reciproke që do të ndërmerren ndaj tarifimit shtesë të eksporteve shqiptare në Kosovë./AgroWeb.org

Në foto vendimi i Ministrit të Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës:

Linku origjinal i botimit nga KosovaPress

Faqja 1 e Vendimit

Faqja 2 e Vendimit

Faqja 3 e Vendimit

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.