15 Milion Dollarë Mbështetje për Fermerët Shqiptarë

157 0

Përmbytje, kulm nxehtësie, e përsëri përmbytje. Dimri, vera por edhe vjeshta e vitit që shkoi qenë kohë të vështira për fermerët shqiptarë. Me një luhatje të temperaturave ekstremisht të dëmshme për të mbjellat, shumë prej fermerëve nuk po ngrenë ende kokën. Atyre dhe të tjerëve që duan të investojnë në bujqësi, u duhet që dikush t’u japë një dorë. E shpesh sytë i kanë nga shteti.

Dhe në fakt, vendimi nga Qeveria për grante dhe mbështejte në kreditim për investimet në bujqësi, sapo është marrë. Edhe pse fondi ende nuk është zbardhur, AgroWeb ka arritur të mësojë nga burime zyrtare pranë Ministrisë së Bujqësisë shumën që pritet të lëvrohet.

Rreth 15 milion dollarë, mesohet se do të jetë vlera e fondit dhe kjo shumë është një dorë e mirë ndihme. Vendimi përcakton kriteret, sektorët dhe financimin nga Fondi i Programit për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural, për vitin 2016. Ky fond do të përdoret për mbështetje për aktivitetet e mëposhtme:

• Investimet për rritjen e konkurrueshmërisë së produkteve për të garantuar furnizimin e qëndrueshëm të tregut;
• Përmirësimin e teknologjisë së kultivimit dhe të mbrojtjes së bimëve;
• Prodhimin e perimeve në ambiente të mbrojtura;
• Mbarështimin e blegtorisë, bletarisë dhe akuakulturës;
• Furnizimin e qëndrueshëm të tregut dhe rritjen e të ardhurave financiare për familjet e zonave rurale;
• Nxitjen e kreditimit bankar e të investimeve në sektorin e përpunimit, ruajtjes dhe marketingut të produkteve bujqësore, blegtorale, shpendëve, akuakulturës, mjaltit dhe bimëve medicinale;
• Rritjen e mundësisë së fermerëve për mjete të mekanizuara;
• Nxitjen e formalizimit, kooperimit dhe organizimit të shoqërive të bashkëpunimit bujqësor (SHBB).

4 Investimet që përfitojnë mbështetje

Nëse do të investosh në bujqësi, ajo që duhet të dish lidhur më këtë fond është se masat e mbështetjes dhe masat e përfitimit do të përdoren sipas rajonizimit të hartës bujqësore, për këto investime:

1. Mbështetje për përmirësimin e teknologjisë të kultivimit dhe mbrojtjes së bimëve, si për shembull mbjellje e pemëve frutore, bimë medicinale së bashku me sistemet mbështetëse, etj.
2. Mbarështimi i blegtorisë, bletarisë dhe akuakulturës, në varësi të numrit të krerëve, koshereve të bletëve dhe rasatave të peshkut etj.
3. Furnizimi i qëndrueshëm i tregut dhe rritja e të ardhurave financiare për familjet e zonave rurale. Kjo mbështetje kryesisht konsiston në masën 15% të vlerës të sasisë së produktit (frutave apo perimeve të dorëzuara në pikat e grumbullimit), të sasisë së qumështit të prodhuar apo sasisë së midhjes së dorëzuar në grumbullim.
4.Nxitja e investimeve dhe e kreditimit bankar në sektorin e bujqësisë, blegtorisë, shpendëve, bletarisë, akuakulturës dhe bimëve medicinale.

Të shlyesh kredinë bashkë me shtetin

Nëse doni të investoni e nuk keni para atëherë mund të merrni kredi deri në 30 Milion Lekë në bankë dhe shteti ju paguan 70% të normës së interesit, për 7 vite rradhazi. Kjo, nëse parashikon investime për aktivitet e mëposhtme:

– Ruajtjen dhe përpunimin e produkteve bujqësore, blegtorale, akuakulturës, shpendëve dhe bimëve medicinale;
– Mekanizimin e bujqësisë, blegtorisë, akuakulturës dhe bimëve medicinale;
– Ndërtimin e objekteve që do të shërbejnë për mbarështimin e kafshëve, shpendëve e të akuakulturës;
– Ndërtimin e serave për kultivimin e perimeve dhe prodhimin e fidanëve e të produkteve të tjera bujqësore.

  • Cilat janë investimet që do të përfitojnë mbështetje financiare prej 50 përqind grant?

Sipas Vendimit të marrë, mbështetja e investimeve deri në 50% të vlerës së projektit, por jo më shumë se 20 milionë lekë për një subjekt, do të aplikohet për investime në:

– Ngritje dhe/ose rikonstruksion ambientesh për grumbullim, përpunimin dhe ruajtje të produkteve bujqësore, blegtorale, produkteve të peshkimit e të akuakulturës, shpendëve dhe bimëve medicinale;
– Ngritje dhe/ose rikonstruksion të ambienteve për mbarështim të kafshëve, shpendëve, peshkut dhe molusqeve;
– Linja dhe/ose makineri dhe pajisje për standardizimin (paketim, mbushje, konservim, ambalazhim), tharje dhe/ose përpunim të prodhimeve bujqësore, blegtorale, mjaltit, bimëve medicinale, shpendëve, produkteve të peshkimit e të akuakulturës, si dhe mjeteve të specializuara të transporti për sektorët e sipërpërmendur;
– Makineri dhe pajisje për mekanizimin dhe modernizimin e proceseve të punës n&eumeuml; komplekset blegtorale të shpendëve e të akuakulturës.

  • 50% grant për ndërtim serrash dhe 60% për traktorë

Ndërtimi i serrave për kultivimin e perimeve, prodhimin e fidanëve dhe produkteve të tjera bujqësore, do të subvencionohen në masën 50% të vlerës së investimit, për serra me sipërfaqe minimumi 5 dynym dhe jo më shumë se 2 ha.

Vendimi parashikon mbështetje të investimeve deri në masën 60% të vlerës për traktorë dhe/ose agregate të tjera bujqësore për manovrim në nivel ferme, përfshirë vlerën e tatimit.

Nisja – Në fillim të Marsit

Për zbatimin e këtij vendimi janë ngarkuar Ministria e Bujqësisë, dhe Ministria e Financave. Sipas burimeve të AgroWeb, mësohet se aplikimet pritet të nisin në fillim të Marsit. Udhëzimet dhe kriteret për fermerët do të bëhen publike në ditët në vijim dhe AgroWeb do të ndjekë këtë çështje për të dhënë informacionin e detajuar për të gjthë ata që duan të investojnë në këtë sektor.

Për fermerët shqiptarë por jo vetëm, ka shumë mënyra për të përballuar dëmet në të mbjella, që kryesisht vijnë nga ndryshimet klimatike. Ka shumë mënyra për të rritur investimet në bujqësi. Ka shumë mënyra për të zbatuar ide inovative. Por për zbatimin e tyre ka vetëm një përgjigje; Financim./AgroWeb.org/