94 Milionë Euro Financim. Çfarë Do Ndodhë Me Bujqësinë Shqiptare

582 0

94 milionë euro financim për të kthyer tërësisht faqen e bujqësisë shqiptare dhe shndërrimin e saj në motorin kryesor të zhvillimit të ekonomisë së vendit.

Lajmi është i ditur sot nga Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Niko Peleshi, i cili në një konferencë për shtyp lajmëroi çeljen e programit IPARD II nga Bashkimi Europian.

“Kemi një dritare financimi ndoshta më të madhe sesa kapacitetet tona institucionale por edhe të sektorit ndaj duhet të punojmë që në pranverë kur parashikojmë të shpallim thirrjen e parë me tre masa të këtij programi të jemi gati, jo vetëm si Agjenci e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural apo Ministri por edhe si grupe interesi fermerë dhe agropërpues.

Duhet që projektet në pritje të jenë të shoqëruar me plane të mirëfillta biznesi dhe të hartuar me konsulentë për të plotësuar të gjithë kushtet dhe për të përfituar nga këto masa” lajmëroi Ministri Peleshi.

Programi në fjalë është një bashkëpunim mes qeverisë shqiptare dhe Bashkimit Europian, përmes të cilit synohet financimi më i madh financiar që është bërë ndonjëherë për bujqësinë shqiptare si dhe zhvillimin rural.

Projektet Prioritare

Krijimi i fermave të mëdha, krijimi i pikave të grumbullimit, nxitja e të rinjve për të investuar në sektorin e bujqësisë, zhvillimi i agroturizmit si dhe zhvillimi i fshatrave janë ndër prioritet kryesore të programit.

Në fjalën e tij, Ministri Peleshi bëri të ditur se AZHBR (Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural) do të jetë agjencia implementuese e këtij programi. Sipas tij, shumë shpejt në muajt në vijim, nga pranvera do të çelen thirrjet e para për projektet e mbetura për mungesë fondesh.

Janë tre sektorë kyç, të cilët do jenë prioritet i financimit nga ky program: Bujqësia, Fermerët dhe Zhvillimi i Fshatrave në të gjithë territorin e Shqipërisë.

Ndërsa fondet përkatësisht tha Ministri Peleshi, ndahen 31.4 milionë euro në mbështetje të fermerëve për investime, 26.5 milionë euro për sipërmarrësit e rinj në sektorin rural, ndërsa pjesa tjetër për diversifikimin e fermave, mbështetjen e bizneseve agropërpunuese, përveç bujqësisë, siç janë agroturizmi dhe ndërtimi i inkubatorëve në blegtori që mund të rrisin mirëqenien në fshat.

Viti i Bujqësisë Shqiptare

Këtë vit, Ministria e Bujqësisë do të ndërmarrë nisma konkrete në rivitalizimin e bujqësisë shqiptare, ku një nga të cilat është vendosja e mbështetjes së 15 produkteve të shportës bazë. Produkte që vlerësohen si konkurruese në tregun evropian.

Këtu përfshihen drurët frutorë, prodhimet e serave, bimë medicinale etj.

Kjo shportë është kompozuar në bazë të kritereve që kanë të bëjnë me matjen e fluksit të eksportit të produktit, me potencialet e tyre në të ardhmen me masën e punësimit./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.