A mund Shqipëria të kthehet në Turqinë e rradhës për turistët Rusë?

724 0

Në fund të vitit 2015, për shkak të disa zhvillimeve politike, Rusia ndaloi udhëtimet turistike në Turqi dhe Egjipt. Në fillim të këtij viti, operatorët turistikë në Turqi thanë që prisnin të humbisnin plot 4.5 milionë turistë Rusë. Kjo përkthehet në 12 miliardë dollarë humbje në të ardhura.

Duke qenë se turisti Rus humbi një prej destinacioneve të tij më të preferuara pyetja që shtrojnë të gjithë është: “kush do të jetë Turqia e rradhës për Rusët? Greqia, Bulgaria, Qipro, Italia, Franca dhe Spanja janë të gjithë të interesuar të kapin vëmendjen e “turistit Rus” duke ndërmarrë fushata agresive promocionale dhe duke ofruar paketa turistike të lira. Rusët janë turistët më të lakmuar nga operatorët turistikë dhe ofruesit e shërbimeve turistike për një arsye kryesore: ata shpenzojnë shumë para kur janë me pushime, veçanërisht në blerjen e suvenirëve, ekskursioneve dhe produkteve të ndryshme.

Zëdhënësi i Konfederatës Greke të Turizmit Xenophon Petropoulos tha se një turist Rus shpenzon nga 1000 në 1200 Euros mesatarisht për 10 ditë pushime në Greqi ndërsa një Gjerman mezi shpenzon 700 Euro.

Përveç aktorëve kryesorë në tregun e pushimeve, lojtarë të rinj po futen në garën për të fituar “turistin Rus.” Shqipëria është një prej tyre. Në muajin Mars, drejtori i Agjensisë Kombëtare të Turizmit Ardit Çollaku vizitoi Rusinë për të promovuar Shqipërinë tek pushuesit Rusë. Përgjigjia e mediave Ruse ishte pak skeptike por jo tërësisht përjashtuese ndaj idesë së Shqipërisë3 si një perspektivë afatgjatë për tregun Rus.

Në 28 Prill 2016, Ambasadori Rus në Shqipëri Alexander Karpushin dha një intervistë për televizionin News 24. Gjatë intervistës ai u pyet edhe për gjendjen e turizmit Rus në vazhdën e bllokimit të udhëtimeve drejt Egjiptit dhe Turqisë, si dhe për ngurrimin e turistëve Rusë për të zgjedhur Shqipërinë si destinacioni i pushimeve të tyre. Sipas Ambasadorit, 13-15 mijë turistë nga Rusia vizitojnë Shqipërinë çdo vit në krahasim me Malin e Zi që vizitohet nga 250-300 mijë turistë Rusë. Duke pasur parasysh faktin që një turist Rus shpenzon mesatarsisht 2000 deri në 3000 Euro në një destinacion turistik, kjo shumë përbën një të ardhur mjaft domethënëse për industrinë e turizmit në vendin fqinj.

Siç tha edhe Ambasadori Karpushin, Shqipëria është një vend natyralisht i krijuar për turizëm. Ajo ofron kushte të favorshme të motit, male shtatlartë, bregdet të mrekullueshëm, liqene dhe shumë zona të rëndësishme arkeologjike. Harmonia ndërfetare është një vlerë e shtuar bashkë me mikëpritjen Shqipëtare, gatimet e shijshme dhe të lira dhe liberalizimit të vizave gjatë sezonit veror.

Por nga ana tjetër, ekzistojnë probleme të shumta që nga mungesa e madhe e informacionit për Shqipërinë. Turistët Rusë e njohin shumë pak këtë vend. Si rrjedhojë është jashtëzakonisht e rëndësishme zbatimi i një strategjie promovuese pro-aktive, përfshirë një fushate të veçantë që shënjestron turistët Rusë. Vizita e drejtorit të Agjensisë Kombëtare të Turizmit Z.Çollaku në Rusi përbënte një hap të rëndësishëm në drejtimin e duhur.

Së dyti, mungesa e linjave direkte ajrore mes Rusisë dhe Shqipërisë përbën një problem të vërtetë. Çmimi mesatar i një bilete fluturimi nga Tirana në Moskë kushton të paktën 300 Euro dhe përfshin minimalisht një ndalesë për shembull në Vienë, Stamboll ose në Romë.

Duke qenë se në muajt e verës ekzistojnë disa fluturime të drejtpërdrejta mes Ukrainës dhe Shqipërisë e njëjta gjë duhet bërë edhe me Rusinë. Arsyeja e tretë e nënvizuar edhe nga Ambasadori është mungesa e infrastrukturës së mirëfilltë të akomodimit. Deri më tani, Shqipëria nuk ka resorte të mëdha turistike që plotësojnë standarded moderne të industrisë së hotelerisë.

Për më tepër, Shqipëria nuk ofron paketa tërheqëse turistike që mund të tundojnë turistët Rusë në përzgjedhjen e Shqipërisë ndaj Malit të Zi apo Greqisë. Le të jemi të sinqertë: pushimet në rivierën e mrekullueshme Shqiptare nuk janë të lira. Pas shpenzimit të 300 Eurove për një biletë fluturimi, një turisti do i duhej të shpenzonte 500 Euro të tjera për akomodim 10 ditor dhe 700 Euro për ushim, aktivitete dhe transport brenda vendit. Shuma arrin në 1500 Euro.

Për të njëjtën sasi të hollash një turist Rus mund të zgjedhë një alternativë All Inclusive në një hotel me katër yje në Rodos apo në Kretë ku të jenë të përfshira: fluturimi, transporti, aktivitetet dhe tarifat e vizës. Shumë turistë Shqiptarët zgjedhin të pushojnë në Greqi se san ë Shqipëri, shpesh për arsyen e thjeshtë se marrin një shërbim më cilësor për të njëjtin çmim. Është vërtetë për të ardhur keq, sepse një potencial kaq i jashtëzakonshëm i industrisë së turizmit Shqiptar nuk po shfrytëzohet siç duhet.

Kushtet e ofruara në industrinë e hotelerisë në Shqipëri vetëm përkeqësohen me kalimin e kohës, në një kohë kur çmimet rriten vazhdimisht, në krahasim me vendet fqinje. Problemi i menaxhimit të mbetjeve dhe mungesa e shërbimit të kujdesit ndaj klientit janë dy elementët që plotësojnë tablonë e zymtë. Me lejoni t’ju them: është padyshim e mundur që Shqipëria të kthehet në një gur të çmuar turistik. Kjo arrihet duke ftuar investitorë të mëdhenj që të ndërtojnë resorte të mëdha në vend.

Është e vërtetë që një gjë e tillë do të bënte që Shqipëria të humbiste autencitetin e saj, por cila është domethënia e kësaj fjale sipas jush? A janë autentike plazhet e bukura shkëmbore plot me qese plastike, lokalet e vogla buzë deitt që shesin peshk të paketuar sikur të ish i sapopeshkuar apo ndoshta ato shtëpizat verore që nuk kanë kondicioner ndonëse temperaturat jashtë shkojnë mbi 35 gradë celcius?

Unë besoj që autenciteti i vërtetë vjen nga Shqipëtarët dhe mikëpritja e tyre. Nëse u bëni një ftesë investitorëve të mëdhenj të hotelerisë, kjo nuk do të thotë që do të ndryshoni autencitetin tuaj. Ajo që mund të bëni është ta transformoni këtë industri në mënyrë që të jetë më e mirëmenaxhuar dhe më e mirë organizuar. Për më tepër ju do të kremtoni bukurinë e Shqipërisë duke çelur dyert ndaj një publiku që e vlerëson më së miri. /Agroweb.org/