Fillon e Ardhmja e Bujqësisë Shqiptare

181 0

18 milionë dollarë investime të reja. 28 milionë dollarë rritje e xhiros së sipërmarrjeve. 1.150 vende të reja pune në vetëm 3 vjet. Nuk është një premtim elektoral, por shifra reale dhe besojeni ose jo, këto i përkasin sektorit më pak të financuar në Shqipëri: Bujqësisë.

Pas një stanjacioni gati 20 vjeçar, sektori ka nisur të rimarrë veten duke thithur financime. Falë projektit të USAID AgroKapital, që zbatohet nga Creative Business Solutions (CBS), fermerë dhe agrobiznese arritën të financohen, duke mbyllur hendekun mes fermerëve dhe bankierëve. Një hendek që deri më dje e bënte bujqësinë shqiptare të pakreditueshme.

“Financimi është si dielli dhe uji për agrobiznesin”, theksoi Thomas Melia, Ndihmës Administratori i Përgjithshëm i USAID për Europën dhe Euroazinë. “Ne jemi shumë të lumtur nga rezultatet e projektit AgroCapital në rritjen e investimeve në sektor dhe në ndërtimin e urave mes fermerëve, bankierëve dhe agrobiznesin”, u shpreh Melia gjatë një konference të zhvilluar sot në Tiranë në lidhje me të ardhmen e bujqësisë shqiptare ku ishin prezent zyrtarë të lartë të qeverisë shqiptare, Bashkimit Evropian dhe institucione të rëndësishme financiare në vend.

“Bashkimi Europian dhe institucione të tjera financiare kanë akorduar fonde të tjera për mbështetjen e agrobizneseve gjatë viteve në vijim. Mënyra më e mirë se si ne mund t’i vijmë në ndihmë këtyre bizneseve është duke mbështetur reformat në sistemin gjyqësor dhe atë të drejtësisë në Shqipëri. Garantimi i shtetit të së drejtës do të ketë një ndikim të dukshëm në krijimin e një mjedisi biznesi më transparent, më të barabartë dhe më të sigurtëeuml;, që mbështet kreditimin dhe mundësitë e financimit.”, theksoi Thomas Melia.

Ndërsa në tre vitet e fundit, agrobizneset shqiptare kanë përmirësuar qasjen në financim, nivelet janë ende shumë më poshtë niveleve dhe standardeve rajonale, përfshirë edhe disa vende fqinje me popullsi më të vogël.

“Kur bëhet fjalë për Skemat Kombëtare të Subvencionimit, ne jemi poshtë mesatares në rajon. Madje edhe më poshtë se Kosova që i ka dedikuar 60 milionë Euro bujqësisë, apo Maqedonia me 150 milionë. Ky hendek nuk mund të mbyllet vetëm nga buxheti i shtetit. Skepticizmi i bankave për ta financuar bujqësinë duhet të kapërcehet”, theksoi Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti.

“Rritja e kreditimit është jetike për bujqësinë. Por ne jemi të kënaqur që kemi arritur të mposhtim skepticizmin për të investuar në bujqësi, si nga ana e institucioneve financiare dhe e agro bizneseve. Nëpërmjet Fondit të Garancisë të qeverisë shqiptare dhe BERZH prej 75 milion Euro do të sigurohet jo vetëm financim por edhe konsulencë për fermerët shqiptarë”, u shpreh ministri Panariti në fjalën e tij, duke theksuar rëndësinë e financimit të sektorit bujqësor, si një sektor vital për ekonominë.

Përgjatë vitit 2016, buxheti përmes skemave kombëtare në bujqësi i Qeverisë Shqiptare parashikohet të jetë afërsisht 13 milionë euro. AgroCapital lehtësoi financimin për afërsisht 20% të aplikantëve të suksesshëm në skemën kombëtare të qeverisë.

Enio Jaço, Drejtor Ekzekutiv i CBS, theksoi se si suksesi i “AgroKapital” i detyrohet përdorimit të zgjidhjeve të reja për ngritjen e urave të komunitetit mes agrobiznesit dhe instrumenteve e institucioneve financiare. Faktorë të rëndësishëm të përfshirë, IPARD, SARED, Fondi i Garancisë BERZH dhe Qeverisë Shqiptare, përveç bankave dhe institucioneve të kreditimit.

“Ekzistenca e këtij programi bazohet veçanërisht në rritjen e kërkesës së agrobizneseve për mbështetje me financime. “Programi mundësoi 14.8 milionë dollarë financime për agrobizneset shqiptare, stimuloi rritjen e xhiros së sipërmarrjeve me 28 milionë dollarë dhe arriti të gjenerojë 1,150 vende të reja pune”, tha Jaço.

Planifikimi efektiv dhe koordinimi do të rrisë ndjeshëm shanset e Shqipërisë për absorbimin më të lartë të fondeve të BE dhe një rritje të qëndrueshme ekonomike në bujqësi. Nga Bashkimi Evropian, Shqipëria do të marrë 72 milion Euro përmes fondeve të IPARD për katër vitet e ardhshme.

BE e sheh sektorin bujqësor me prioritet, si një element kyç për zhvillimin e ekonomisë së vendit. Shefi i Seksionit Politik, Ekonomik dhe të Komunikimit në Delegacionin e Bashkimit Evropian në Tiranë, Jan Rudolph deklaroi se: “Bashkimi Evropian e sheh bujqësinë si një sektor tejet të rëndësishëm për zhvillimin e vendit. Ne e kemi mbështetur që në fillim të viteve 90 dhe do të vijojmë përmes fondeve IPARD. Në 4 vitet e ardhshme Bashkimi Evropian do t’i dedikojë bujqësisë shqiptare 72 milion Euro. Këto janë investime reale për zhvillimin e bujqësisë dhe Shqipërisë drejt integrimit në BE”.

Përfaqësues të Qeverisë, drejtues të bankave dhe të institucioneve financiare, ekspertë dhe sipërmarrës në bujqësi, donatorë dhe investitorë, diskutuan për mundësi te reja të koordinimit të financimit të agrobizneseve shqiptare nga donatorët me synimin që bujqësia shqiptare të përballojë sfidat e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian./Agroweb.org/