A Mund Të Përhapet Koronavirusi Nëpërmjet Kondicionerit?

195 0

Ekspertë të shumtë anë e mbanë globit janë skeptikë për lehtësimin e masave shtrënguese që synonin për të frenuar sa më shumë përhapjen e koronavirusit.

Një studim i ri, të cilit i referohet AgroWeb.org, ngre shumë pikëpyetje mbi aspektin e sigurisë së njerëzve, duke marrë edhe si shembull të dhëna sipas të cilave koronavirusi po përhapet në Kinë falë kondicionerit.

A Janë Të Bazuara Shqetësimet Për Rolin e Kondicionerit Në Përhapjen e Virusit?

Debatet mbi mundësinë e përhapjes së virusit nëpërmjet ajrit të kondicionuar nisën pas publikimit të një dokumenti në faqen në internet të Qendrës Amerikane Për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve.

Ekspertët studiuan shpërthimin e virusit në tre familje që kishin konsumuar ushqim në një restorant në Guangzhou në Kinë në 23 janar. Ata besonin se burimi i infeksionit ishte një grua 63 vjeçare e cila ishte asimptomatike dhe kishte ngrënë ushqim në restorant.

9 njerëz të tjerë që ishin ulur pranë personit në fjalë janë infektuar.

Pas studimit të rastit, ekspertët arritën në konkluzionin se ajri i kondiconuar kishte përhapur tepër spërklat e gruas së infektuar.

Një gjë e tillë, rrit nevojën për një distancë më të madhe mes njerëzve në restorante dhe bare por edhe përmirësimin e ventilimit në këto hapësira.

Megjithatë, ky është një rast i izoluar që sipas ekspertëve të tjerë nuk bën domosdoshmërisht kondicionerin si një mjet që nxit përhapjen e virusit.

Një Rast i Izoluar, Më Shumë Studime Janë Të Nevojshme

I menjëhershëm ka qenë reagimi i industrisë së prodhimit të kondicionerëve që ka ngritur një task forcë për të analizuar në detaj mundësinë e përhapjes së virusit.

Sipas kësaj industrie, sistemet e mira dhe funksionale të ventilimit , që kanë filtrat e duhur dhe të pastruar mund të kenë ndikim në uljen e sasisë së përqendruar të virusit në ajër.

Sidoqoftë, sipas kësaj industrie, njerëzit duhet të sigurohen që të lejojnë ajrosjen e ambienteve të tyre, të pastrojnë filtrat e kondicionerit dhe të ndjekin të gjitha këshillat e autoriteteve për higjenën dhe distancimin fizik./AgroWeb.org