Agroviti 2015

190 0

Nisi me ‘Prodho Shqip, tregto shqip e konsumo shqip’. E bërë publike pikërisht në Janar 2014 nisma e Ministrit të Bujqësisë, Panariti synonte nxitjen e prodhimit shqiptar ‘Bio’ si për tregtarët, ashtu dhe për konsumatorët. Ideja e ministrit Panariti ishte krijimi në të gjithë tregjet e Shqipërisë të një segmenti të caktuar, ku të tregëtohen produktet shqiptare, të cilat duhet të jenë të afishuara si produkte ‘Made in Albania’.

E pikërisht ‘Made in Albania” ishte ajo që tërhoqi shumë tregjet evropiane e botërore, përfshirë Rusinë. Embargo ruse e vendosur në 8 dhjetor kishte të bënte jo me produktet shqiptare por me ato produkte që falsifikoheshin si “Made in Albania”. Fundi i 2014-tës duket se e riparoi edhe këtë cështje.

Cilësia e ‘Made in Albania’ çoi në rritjen 28 % të eksportit bujqësor. Me gjithë ulje-ngritjet e veta, në bujqësinë shqiptare gjatë 2014-tës ka predominuar energjia pozitive, përjashtuar, siç thamë, fuqitë madhore, ku nuk përfshihet vetëm moti.

Rritje ekonomike e sektorit me 2.9 përqind sipas INSTAT që e cilëson si i vetmi sektor me rritje pozitive. 40 % më shumë aplikime për mbështetje financiare nga skemat kombëtare. 8632 përfitues të 12.8 milion eurove nga financimet mbështetëse. Një sërë bankash hodhën në treg produkte dhe shërbime të reja për financimin e agrobiznesit. Prioritet në zhvillim është edhe formëzimi i konsoliduesve agro, qendrat e grumbullimit të produkteve, mjediset frigoriferike me synimin e rritjes së eksporteve shqiptare.

Kryefjala për vitin që po vjen: Siguria ushqimore

Ndërsa është evidentuar një përthithje më e mirë e fondeve të BE-së përmes skemës IPARD-like, financimet europiane për bujqësinë shqiptare për vitin 2015 do të rriten nga 8.2 milion Euro në 9 milion Euro.
Është prezantuar një Hartë e rajonalizimit të produkteve bujqësore, një udhërrëfyes për përparësitë e kulturave të caktuara të secilës zonë, kjo edhe për një shpërndarje më të mirëorganizuar të fondeve. Tashmë, gjithnjë e më qartë po vihet re domosdoshmëria e rritjes së kapaciteteve menaxhuese të fermerëve. Kryeministri Edi Rama idealizon me një epitet thelbësor. Bujqësi e Dijes.

Probleme? Po, natyrisht. Nga Gjuha Blu te Sëmundjet e Ullirit e deri te pesticidet e tepërta të kastravecit. Nga problemet me importin e grurit me Kosovën deri te embargo ruse. E teksa duket se këto probleme po marrin zgjidhje, Ministria e Bujqësisë e ka evidentuar prioritetin për 2015-tën.

Në pikënisje të një viti cilësor në produkte

Duket se do të nisë me ‘Prodho shqip, tregëto shqip por me standarde’. Ministri i Bujqësisë ka treguar kryefjalën për vitin që po vjen: Siguria ushqimore. Pra standard, cilësi, identitet i markës shqiptare.

Në fjalën e tij në përmbyllje të sesionit parlamentar, Ministri Panariti premtoi se gjatë 2015-tës do të fuqizohen laboratorët për garancinë e sigurisë ushqimore ndërsa do të vazhdojë përqasja për të rritur vlerat e vulës së cilësisë së markës shqiptare në mënyrë që identiteti ynë të paraqitet me dinjitet në tregjet evropiane dhe botërore. Për këtë Ministria ka një strategji; t’u delegojë operatorëve privatë kompetencat e sigurisë ushqimore për të ardhur në nivelet e standartizimit që kërkuar BE-ja.

Bashkimi Evropian ka parashikuar 9 milion euro fond mbështetje për bujqësinë shqiptare për vitin 2015 përmes IPA-s dhe skemës IPARD. Prej Qershorit 2014, Shqipëria është vend kandidat për antarësim në BE. Për bujqësinë shqiptare do të thotë treg europian. ‘Made in Albania’ ka një sfidë, për të cilën duhet të dëshmojë dinjitet.