Historia e frutave të akullta fitimprurëse

420 0

Është minus 17 gradë celsius. Frymëmarrja rëndohet dhe ajri i ftohtë ta bën të pamundur të mos kollitesh. Nuk jemi në ndonjë majë mali, por vetëm 13 kilometra larg nga qendra e Tiranës dhe nuk është as janar, por fillim tetori. Akulli i hollë kërcet nën këpucë ndërsa aroma e fortë e boronicave duket sikur përdridhet duke i’u veshur shqisave. Çdo përpjekje për të bërë foto në atë temperaturë nën zero dështon me sukses. Edhe lentja e aparatit fotografik të tradhëton aty. Por s’është çudi, duke qenë se jemi brenda një dhomë frigoriferike me ngrirje të thellë së bashku me 400 ton boronica dhe fruta e zarzavate të tjera të shtrira në një hapësirë prej 1.600 m2, që presin në ngricë për t’u eksportuar në Evropë dhe tregëtuar në Shqipëri.

Për Genc Seferin, pronarin e këtyre mjediseve frigoriferike në Kashar (SEBI Shpk), kjo temperaturë i jep shumë ndjesinë e një flladi të freskët, me një buzëqeshje që i konturon tiparet e errëta. Por ka arsye për të qenë i buzëqeshur, duke qenë se biznesi i tij është gati dhjetëfishuar që kur ai nisi për herë të parë në vitin 2003 dhomën e parë frigoriferike. Në atë kohë ai kishte vetëm një mjedis frigoriferike, asgjë për të marrë sytë, ndërkohë që tani ka 10 dhoma frigoriferike dhe një nga hapësirat frigoriferike më moderne në Shqipëri që ka kapacitet mbajtjeje prej 1500 ton produkte.

Por, nëse mendoni se ato u shtuan si me magji sa hap e mbyll sytë, jeni totalisht në rrugë të gabuar. Seferi ashtu si dhe shume fermerë të tjerë operojnë në një mjedis jo shumë bujar kreditimi, ku marrja e financimit nuk është një punë e lehtë. Por falë projektit AgroKapital dhe asistencës inovative të USAID në ndihmë të fermerëve shqiptarë për akses ndaj financimeve, Seferi pati mundësinë të përfitojë nga grantet e IPARD dhe të marrë një financim prej 230,000 dollarë amerikanë për ndërtimin e 2 dhomave frigoriferike, të cilat përdoren ekskluzivisht për të ruajtur fruta dhe perime organike të vendit për eksport në Evropën Perëndimore.

Susan Fritz, Zv Administratore e USAID për Evropën dhe Euroazinë, gjatë vizitës në ambjentet e SEBI Shpk bashkë me Jeremy Bernton, Këshilltar i USAID (majtas) dhe Kristaq Jorgji, ekspert i bujqësisë USAID/Shqipëri.

 

“Kjo është shumë inkurajuese dhe jemi shumë të lumtur kur shohim se asistenca e USAID ka ndihmuar për të kapërcyer barrierat e financimit”, tha Susan Fritz, Zv Administratore e USAID për Evropën dhe Euroazinë në Washingtonn DC, gjatë vizitës në ambjentet e SEBI Shpk bashkë me Jeremy Bernton, Këshilltar i USAID.

Investimet e dhomave frigoriferike kanë rigjallëruar kultivimin e boronicave në veri të vendit, kryesisht në zonat e pazhvilluara malore të Tropojës, Hasit dhe Kukësit,. Për shumë vite për boronicat e Tropojës dhe Kukësit ka qenë më e lehtë për t’u tregëtuar në Kosovë dhe Mal të Zi dhe nga aty në tregun e BE-së, për shkak dhe të mungesës së dhomave frigoriferike në mënyrë që boronicat të mbahen të freskëta duke u shitur dhe më një çmim më të ulët. Banorët i shisnin boronicat për vetëm 1 euro kilogrami, ndërsa tani me hapjen e ambjenteve në Tiranë, çmimi shkon deri në 2 euro për kg. “Ne e mirëpresim këtë iniciativë, pasi vjen në ndihmë dhe të zonave të pazhvilluara malore, duke i inkurajuar ato që të prodhojnë më shumë”, thotë Susan Fritz. Këtë vit më shumë se 30 familje i kanë shitur boronicat tek SEBI në një sasi që shkon deri në 400 ton. “Ne e njohim vlerën e boronicave dhe i paguajmë fermerët për këtë vlerë”, thotë Seferi ndërsa merr një boronicë që sapo ka nisur të shkrijë në pjatë duke lëshuar aromën unike.

Genc Seferi, pronari i dhomave frigoriferike SEBI në Kashar

 “Ka gjithnjë kërkesa të larta për boronica”, thotë Dr Kristaq Jorgji, Ekspert i Bujqësisë i USAID në Shqipëri. “Eksporti i boronicave ndikon pozitivisht në zvogëlimin e balancës negative tregëtare të import-eksportit që është aktualisht 7:1”.

Fillimisht SEBI kishte vetëm një dhomë frigoriferike, ndërkohë që tani kanë të instaluara 9 dhoma të tjera. Përveçse t’i mbajnë frutat e ngrira, ata mund të kontrollojnë gjithashtu dhe gjendjen e ruajtjes së frutave, ndërkohë që hapësira e madhe u lejon që të blejnë fruta dhe nga shumë fermerë të vegjël.

 “Ne mund t’i ruajmë frutat dhe për një kohë më të gjatë”, thotë Seferi. Sezoni zakonisht zgjat deri në shtator, por me varietetet që janë pak më të vona, ne mund ta zgjasim më shumë sezonin”. Çka do t’i ndihmojë ata që të jenë më konkurues në tregun lokal dhe të jenë në gjendje të eksportojnë në atë Evropian.
“Ne jemi shumë krenarë për cilësinë tonë të frutit. Kjo është ajo çka na dallon nga të tjerët”, thotë Genc Seferi, i cili është ndër të përzgjedhurit e projektit të USAID, AgroKapital, të zbatuar nga Creative Business Solutions CBS për mbështetje me financim.

Por nuk është vetëm cilësia e frutave, ajo që e dallon Genc Seferin nga të tjerët. Nuhatja e tij në biznes e drejtoi tek zgjidhjet inovative për financim. Ai pati idenë e duhur. Dhe ndonjëherë idetë e mira vijnë edhe nga frutat e akullta.