Praktikat e mira të sigurisë ushqimore për shitësit me pakicë, përmbushja e detyrimeve rregullatore dhe trajtimi i efekteve të pandemisë COVID-19 ishin në fokusin e një takimi informues për menaxherët e supermarketeve, të udhëhequr nga ekspertë të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit.

Këtij takimi iu bashkuan edhe ekspertë të Projektit të Sigurisë Ushqimore të financuar nga BE, duke ofruar edhe përvojën e tyre bazuar legjislacionit europian.

Nga ekspertët e AKU-së u theksua rëndësia e këtyre trajnimeve për sigurinë e ushqimit, si mënyrë për të minimizuar risqet ushqimore në një OBU dhe për rrjedhim të sigurohet një ushqim i sigurt për konsumatorët.

Referuar kërkesave të pandemisë së COVID-19 u theksua se, nuk kanë ndryshuar kërkesat e sigurisë ushqimore, por referuar situatës së krijuar bizneset duhet të përqendrohen në ruajtjen dhe marrjen e masave të përcaktuara nga protokolli i sigurisë për parandalimin e përhapjes së virusit.

AKU do të vijojë të jetë bashkëpunuese me bizneset ushqimore me qëllimin e përbashkët për të garantuar sigurinë ushqimore në vend./Burimi:ATSH