Alergjitë Nga Produktet Që Konsumon

639 0

‘Ushqimi i dikujt është helmi i një tjetri’ është një proverb i shekullit të parë para Krishtit që, thënë thjesht tregon se njerëzit kanë reagime të ndryshme ndaj një lloj ushqimi. Ka njerëz që gjejnë kënaqësi duke ngrënë kikirikë, ka të tjerë që jo vetëm nuk i shohin dot me sy, por mund të vdesin prej tyre, për shkak të alergjisë. Në shumicën e rasteve reagimet ekstreme ndaj ushqimit janë të rralla, por sipas të dhënave shkencore të paktën 30% e njerëzve kanë hasur në një episod alergjik ndaj ushqimit.

Në teori, çdo ushqim mund të shkaktojë një alergji. Në praktikë janë tetë ushqime specifike që shkaktojnë 90% të alergjive ndaj ushqimit. Substanca që shkakton një reagim alergjik ndaj ushqimit ose pijeve quhet “alergjen”. Tek ushqimet, për fat të keq kjo substancë njihet ndryshe si proteinë. Sistemi imunitar i njerëzve që vuajnë nga alergjia reagon shumë keq ndaj proteinave se sa të tjerët. Simptomat e alergjisë ndaj ushqimit janë të ndryshme. Nëse më herët simptomat kalonin shpejt dhe nuk ofronin arsye për shqetësim, tani shkencëtarët po pranojnë se alergjitë dhe ndjeshmëria ndaj ushqimit ka një ndikim më të thellë në shëndetin tonë. Në fillim është e rëndësishme të kuptohet ndryshimi mes alergjisë ndaj ushqimit dhe ndjeshmërisë ndaj ushqimit ose intolerancës ushqimore.

Ndjeshmëria ndaj ushqimit, shpesh krahasohet me alergjinë ndaj ushqimit, edhe pse ka shumë ndryshim mes tyre. Ndjeshmëria ndaj ushqimit përbën në të vërtetë një reagim toksik ndaj ushqimit duke anashkaluar sistemin tonë imunitar. Kjo ndjeshmëri është e vështirë për t’u diagnostikuar. Shumë prej simptomave të ndjeshmërisë ndaj ushqimit përfshirë: të vjellat, diarenë, ekzemën, kruarjet, skuqjet e lëkurës, tështimat etj, janë të lidhura me një reagim alergjik ndaj një ushqimi specific.

Nga ana tjetër, ndjeshmëritë ndaj ushqimit shkaktojnë edhe lodhje, gazra, fryrje, ndryshime humori, nervozizëm, migrenë dhe çrregullime në ushqyerje. Këto simptoma që kanë shumë të bëjnë me intolerancën ushqimore janë më pak të lidhura me vetë konsumimin e ushqimit.

Lexoni më poshtë listën e produkteve ndaj të cilave shumë njerëz kanë një intolerancë të lartë.

• Laktoza
• Tiramina
• Konservantët dhe aditivët
• Gluteni

Njerëzit që kanë probleme me aciditetin në stomak kanë një intolerancë më të lartë ndaj disa ushqimeve. Edhe pse intoleranca në të vërtetë nuk ka asnjë lidhje me ushqimit, nëse nuk trajtohet me medikamente të duhura, inflamacioni në stomak mund të shkaktojë shumë probleme. Zgjidhni ushqime që ndihmojnë në shërimin e stomakut të lënduar siç janë:
• Orizi
• Mishi i qingjit
• Perimet

Simptomat e alergjive ndaj ushqimit

Simptomat më të zakonshme të alergjisë ndaj ushqimit, siç e përmendëm, përfshijnë: të vjellat, diarenë, ekzemën, kruarjet, skuqjet e lëkurës, tështimat dhe rrufë. Simptomat ndikohen edhe nga disa faktorë të tjerë siç janë: mosha, lloji i alergjenit dhe sasia e ushqimit të konsumuar. Shpesh, është e vështirë të kuptosh se cili ushqim ka shkaktuar një reagim alergjik sepse alergjia kërkon kohën e vet të shpërthejë. Për shembull, një reagim alergjik ndaj peshkut zakonisht ndodh disa minuta pasi ke ngrënë peshk. Simptomat janë kruajtje, puçrra apo vështirësi frymëmarrjeje ose një kombinim i të trejave.

Por nëse ke alergji nga qumështi i lopës këtë mund ta kuptosh 24 deri në 48 orë pasi ke pirë qumësht, sepse simptomat e këtij reagimi alergjik janë të një niveli të ulët dhe zgjasin për disa ditë. Simptomat e alergjisë ndaj ushqimit varen gjithashtu nga mënyra e prodhimit të qumështit dhe sasia e konsumuar. Reagimet e vonuara alergjike janë të vështira për t’u diagnostikuar nëse nuk hiqni dorë nga ushqimi specifik që shkakton simptomat alergjike, për të paktën disa javë. Më pas, ju mund ta përfshini atë ushqim në dietën tuaj ngadalë duke mbajtur shënim çdo ndryshim fizik, emocional dhe mendor që mund të ndodhë për shkak të tij.

Cilët janë ushqimet që shkaktojnë alergji?

Në Shtetet e Bashkuara janë zbuluar rreth 140 lloje ushqimesh që shkaktojnë reagime të ndryshme alergjike. Megjithatë 90% të alergjive ndaj ushqimit janë të lidhura me 8 produkte specifike:

• Qumështi i lopës
• Veza e pulës
• Kikirikët
• Ushqimet me sojë
• Gruri
• Peshku
• Midhjet dhe frutat e detit
• Arroret (arrat, bajamet, lajthitë, gështenjat, shqemet, arrat amerikane, kikirikët, arrat e Brazilit etj)

Nëse dëshiron të kuptosh cili ushqim të shkakton alergji, atëherë hiq nga dieta qumështin e lopës të parin. Ky qumësht përmban 25 molekula të ndryshme që, sipas shkencëtarëve kanë potencialin për të shkaktuar një reagim alergjik. Qumështi i lopës përmban një proteinë të quajtur casein e cila përdoret në shumë produkte të tjera dhe gjendet edhe në ushqimet e sojës. Nëse dyshon që je alergjik ndaj qumështit të lopës, atëherë duhet të heqësh dorë nga produkte që janë të prodhuara nga ky qumësht ose përmbajnë qumësht si për shembulll: kremërat, salcat kremoze, akulloret apo çokollata me qumësht.

Mënyra e prodhimit, përpunimit, trajtimit dhe magazinimit të një ushqimi është gjithashtu një faktor në shkaktimin e një reagimi alergjik.

Për shembull, disa ushqime kanë në përmbajtjen e tyre disa molekula që shkaktojnë alergji, të cilat për fat të mirë shkatërrohen nga nxehtësia. Njerëzit që vuajnë nga alergjitë ndaj qumështit të lopës janë shprehur se kur kanë pirë qumësht të ngrohtë nuk kanë pasur të njëjtat simptoma si më parë, kjo si rrjedhojë e nxehtësisë që ka shkatërruar molekulat toksike. Nga ana tjetër, molekulat e kikirikëve mund të shkaktojnë reagime të rënda toksike, por ato janë rezistente ndaj nxehtësisë.

Çfarë ushqimesh duhet të konsumosh nëse je alergjik?

Ekzistojnë disa lloje ushqimesh që ka pak në mos aspak gjasa të shkaktojnë alergji:

• Mollët
• Mishi i qingjit
• Dardhat
• Kungujt
• Patatet e ëmbla
• Qershitë
• Karrotat
• Orizi

Përveç faktit që kungujt, karrotat dhe patatet e ëmbla nuk kanë alergjenë në përmbajtjen e tyre, këto perime kanë vlera shumë të mira shëndetësore dhe ushqimore. Për më tepër, nëse zgjedh të konsumosh ushqime organike, ul ndjeshëm dozën e pesticideve dhe toksinave të tjera që shkaktojnë alergji.

Alergjitë ndaj ushqimit njihen ndryshe si një marrëdhënie e komplikuar mes njeriut dhe ushqimit. Konsumatori duhet t’i vëjë veshin trupit të tij. Nuk ekzistojnë rregulla dhe procedura strikte mbi mënyrën se si trupi reagon ndaj një ushqimi të caktuar. Dikush mund të ketë tolerancë më të lartë ndaj ushqimeve që shkaktojnë alergji por nga ana tjetër janë shumë të ndjeshëm ndaj një ushqimi që rrallëherë shkakton alergji.

Statusi shëndetësor i çdo njeriu dhe tradita e të ngrënit janë faktorët më të mirë që ndihmojnë në vlerësimin e një alergjie potenciale ndaj ushqimit. E mira e të mirave është që në dietën tuaj të shtoni produkte që sillen mirë me stomakun dhe mbi të gjitha, shmangni alkolin. /AgroWeb.org/