Mbillet Fruti i Kuq – Kampion i Shqipërisë

1.1k 0

Pranvera është kohë e ngjeshur pune për fermerët shqiptarë. Pikërisht në Mars është koha kur ndër të tjera, nis përgatitja e mbjelljes së shalqinjve.  Josif Gorreja, një prej prodhuesve të mirënjohur të fidanëve në Divjakë, thotë për AgroWeb.org se ka disa teknika të mbjelljes së fidanëve të shalqinjve; në këtë periudhë janë teknikat e mbjelljes së fidanëve me tunele të vogla, të holla.

‘Divjaka është një ndër zonat me prodhimin më të lartë të shalqinit shqiptar”, thotë ai.

Dhe shifrat i japin të drejtë.

Zonat e Fierit, Lushnjës e Mallakastrës janë kampionet. Nga 5,601 hektarë të mbjella me shalqi, plot 2,300 hektarë janë të mbjella vetëm në këtë zonë, pasuar nga Shkodra me 764 ha.
Shalqini në rajonin e Myzeqesë (Lushnje, Divjakë) mbillet në periudhën 10-20 Mars dhe vilet në periudhen Maj- Qershor. Ky është prodhimi, i cili kryesisht është i destinuar për eksport. Ky prodhimi ka çmim konkurrues 18-22 lek/kg.

Shalqini në rajonin Veri-Perëndim, që përfshin Lezhën dhe Shkodrën mbillet në Prill dhe vilet me 15 Korrik. Ky prodhim është kryesisht i destinuar për konsum lokal, sepse edhe çmimi arrin në vlerat 10-14 lek/kg.

Cikli i prodhimit të shalqinit kërkon 90 ditë kalendarike. Dhe vetë mikro-klima e zonës së Myzeqesë e mundëson prodhimin e hershëm të shalqinit në krahasim me rajonin e Lezhës dhe Shkodrës.

Gjatë viteve të fundit Shqipëria ka prodhuar 221,628 ton shalqi në vit nga mbjelljet në fusha dhe 1,044 nga mbjelljet në serra. Lushnja ka një prodhim vjetor prej 81,804 ton, pasuar nga Shkodra me 22,779 ton. Rendimenti në Lushnje gjithsesi është më i lartë, për shkak të klimës dhe kushteve të favorshme. Rendimenti në Lushnjë është 51 ton për ha, ndërsa në Shkodër 30 ton për ha.

‘Vjelja nis në fund të Majit, fillim Qershori, thotë Josifi, krenar se Divjaka kryeson në eksportet e shalqinjve. 90% e prodhimit ka orientim eksportin, pohon ai, por edhe kërkesa në tregun vendas është e lartë.”
Në vitet e fundit, fermerët shqiptarë kanë eksportuar afërsisht 23.000 ton shalqi në vit, kryesisht në Ballkan por edhe në tregjet e Bashkimit Evropian, të cilat janë dhe tregjet më atraktive për këtë produkt.

Vendet evropiane që janë importuesit më të mëdhenj të shalqinit, janë Gjermania, Franca dhe Britania, duke qenë se në këto vende ky frut nuk mund të prodhohet, për shkak të temperaturave të ulëta. Por nuk mbeten pas dhe Lituania dhe Çekia.

Tregu rajonal i Ballkanit aktualisht dominohet nga eksportet shqiptare të shalqirit. Pothuajse gjysma e të gjithë eksporteve shkojnë në Kosovë dhe Serbi. Vende të tjera ku Shqipëria ka qenë e suksesshme në eksport përfshijnë Malin e Zi, Moldavinë, Rumaninë, Bullgarinë, dhe Kroacinë. Shqipëria është prodhuesi i katërt më i madh me shalqi pas Rumanisë, Hungarisë dhe Ukrainës.

Tregje të ndryshme kanë kërkesa me karakteristika të ndryshme. Madhësia duket se është një prej tyre. Për Kosovën dhe Hungarinë përshembull sa më i madh fruti aq më i mirë është. Këto dy tregje preferojnë shalqinjtë që shkojnë më shumë se 10 kg, ndërkohë që tregu vendas preferon shalqi mesatarë, ndërkohë që në BE pëlqehet trendi i “shalqinjve personalë” të peshës 4-5 kg.

Nëse do t’i referohemi sasisë së produkteve të eksportuara, perimet dhe frutat janë mbretëreshat e tokave tona. Shqipëria eksportoi gjatë viteve të fundit 52 mijë ton perime në vit, nga të cilat 34 mijë ton domate dhe 4,7 mijë ton kastraveca. U eksportuan 14 mijë ton fruta, 23 mijë ton shalqinj dhe 11 mijë ton bimë medicinale.

Si në tregun vendas dhe në atë të huaj vitet e fundit është rritur kërkesa për shalqi shumë herët në sezon, çka në fakt do të ndihmonte prodhuesit që ta zgjeronin më shumë sezonin dhe të prodhonin më shumë.

Aktualisht asnjë prodhues në Evropë apo në vende të tjera të Ballkanit nuk prodhon shalqi para muajit Maj. Gjithsesi kërkesat e tregut fillojnë të rriten në Prill për të arritur majat në mesin e muajit Maj.

E nëse këtë verë, si gjithmonë, do t’ju shkojë goja lëng për shalqinj, Josif Gorreja ka një surprizë; ‘Me teknologjitë më të fundit po përmirësojmë prodhimin e shalqinjve, thotë ai për AgroWeb.org. Do ta bëjmë më të ëmbël, më të shijshëm, plot lëng e do t’ju japim shijen e vërtetë shalqinit vendas.’/AgroWeb.org/