Dëmet Në Organizëm Nga Pijet Energjike – Rreziku Në Një Kanaçe

2.8k 0

Konsumimi i pijeve me kafeinë që premtojnë “energji” është rritur ndjeshëm në 10 vitet e fundit.

Sipas studimeve, pijet energjike përbëjnë 20% të produkteve ushqimore që gjenden në treg. Me rritjen e pranisë së tyre në treg, po aq i lartë është edhe rreziku helmatisës nga taurina ose mbidoza nga kafeina.

Përbërësit kryesorë të një pije energjike janë taurina, kafeina, ekstrakti i guaranës dhe xhinsengu.

Këtij lëngu që premton energji të shpejtë, i shtohen aminoacide, vitamina dhe karbohidrate për ta shitur si një pije që tek tuk ka edhe vlera.

Pijet energjike reklamojnë se rrisin qëndrueshmërinë, përmirësojnë performancën, rrisin përqendrimin dhe forcën.

Prodhuesit e këtyre pijeve energjike shënjestrojnë konsumatorët e rinj që kërkojnë më shumë adrenalinë.

Këto pije konsumohen masivisht në festa që zgjasin për orë të tëra. Në shumicën e rasteve, festëdashësit i përziejnë me alkol duke e vënë veten akoma më shumë në rrezik.

Të rinjtë dhe adoleshentët janë veçanërisht të joshur nga pijet energjike, për shkak të reklamës, por edhe nga mungesa e njohurive për rreziqet që vijnë nga këto pije.

Ajo që duhet të dimë është që një nga elementët që shkaktojnë shqetësim është taurina. Kjo substancë që gjendet në lëngjet me kafeinë dhe sheqer është një amino acid në trajtë të lirë që gjendet tek ushqimet, por që prodhohet edhe nga vetë trupi.

Taurina natyrale në fakt i bën mirë trupit dhe mund ta gjeni në qumështin e lopës, mishi, peshku, vezët dhe tek produktet e detit.

Efektet anësore të taurinës

Taurina, në formën natyrale të saj ka efekte pozitive në sistemin kardiovaskular, sistemin nervor dhe atë imunitar.

Duke qenë se mendohet të largojë ankthin, ajo kundërvepron me efektet e kafeinës në pijet energjike. Disa studiues argumentojnë se ky efekt i bën njerëzit ta konsumojnë më shumë duke krijuar kështu një rreth vicioz varësie.

Studimet kanë lënë të kuptojnë që pijet energjike ndikojnë në shumë sëmundje duke nisur nga tensioni i lartë i gjakut, ishemia dhe ataku në zemër.

Vendet Skandinave e kanë ndaluar tërësisht konsumimin e këtyre pijeve pas vdekjes së 3 konsumatorëve dhe shqetësimeve që vijnë si pasojë e përzirjes së këtyre pijeve me alkol.

Ajo që duhet të dini është doza ditore e taurinës duhet të jetë nga 100 deri në 500 miligramë. Disa pije energjike përmbajnë edhe 1000 miligramë taurinë të prodhuar në mënyrë sintetike.

Disa njerëz pijnë të paktën 8 kanaçe në ditë që përkthehet në 8000 miligramë Taurinë. Një sasi kaq e madhe ka të njëjtin efekt si droga.

Forca dhe fuqia nuk kërkojnë magji. Energjia, ajo e vërteta, vjen nga një ushqim i pasur me ushqimet e duhura. Ekspertët rekomandojnë që të shmangni krejtësisht pijet energjike, të famshme për nivelin e lartë të kafeinës dhe sheqerit. Qëndroni larg tyre, sepse pretendimet për një gjallëri të menjëhershme janë të pavend./AgroWeb.org