Investime Serioze Për Ta Bërë Shqipërinë Eksportuesen Më Të Madhe Të Luleve Në Ballkan

362 1

Shqipëria është shndërruar në faktor të rëndësishëm eksporti përsa i përket fruta perimeve në vendet e Europës dhe më gjerë.

Shija unike, standardet dhe cilësia e mirë i kanë kthyer në prodhimet shqiptare në më të kërkuarat në tregjet evropiane.

Së fundmi, këtij suksesi pritet t’i shtohet edhe nisja e kultivimit masiv të luleve me qëllim eksportin e tyre në vendeve europiane.

Trëndafila, Zambakë, Tulipanë, Karafila, Kamelia, Dahlia, Gardenia, Gladiola, Lule Iris, Bozhur, Orkide, Manushaqe, Jaseminë, Krizantema, Lule Saranda, Zymbyla, etj, të gjitha lulet më të bukura që do rriten në Shqipëri, me aromën e tyre të mrekullueshme do të bëhen pjesë e kopshteve dhe shtëpive të evropianëve.

Ruzhdi Koni, drejtues i kompanisë Agro Koni, kompani që merret me prodhimin e frutave perimeve tregon për AgroWeb.org se së shpejti, ai do të nisë kultivimin e luleve me qëllim eksportin e tyre.

Investimi do të realizohet falë bashkëpunimit me gjigandin japonez Sakata, nëpërmjet filialeve të saj evropiane.

“Ne po bashkëpunojmë me një nga kompanitë më të mëdha në botë të prodhimit të luleve në Botë, e cila për Europën, qendrën e ka në Hollandë dhe Danimarkë, dy vende drejt të cilave do të eksportojmë fara lulesh hibride. Kjo do të jetë vetëm faza e parë e bashkëpunimit” shprehet Ruzhdi Koni për AgroWeb.org.

Një Fidanishte Vetëm me Lule  

Kultivimi i luleve apo fidanëve të luleve në Shqipëri dhe eksporti i tyre është një risi biznesi, e cila me kalimin e viteve pritet të njohë zgjerim të mëtejshëm duke njohur tregje të reja jo vetëm në Europë por edhe më gjerë.

“Ne po projektojmë ndërtimin e një fidanishteje prej disa mijëra metrash katrorë, në të cilën ne do të prodhojmë fidanë lulesh dhe lule.

E më pas do t’i eksportojmë këto fillimisht drejt Hollandës dhe Danimarkës” shprehet Ruzhdi Koni për AgroWeb.org

Më Shumë Fitime, Më shumë Vende Pune  

Si një risi e re fitimprurëse, kultivimi i fidanëve të luleve dhe eksporti i tyre pritet të shoqërohet edhe me hapje vendesh të reja pune.

“Me hapjen e kësaj fidanishtjeje, sigurisht që prespektiva është zgjerimi i saj në të ardhmen. Mëgjithatë në mënyrë graduale ky biznes do të gjenerojë pa dyshim edhe vende të reja pune.

Ne parashikojmë hapjen e rreth 100 vendeve të reja pune në mënyrë graduale përmes këtij biznesi” bën të ditur Koni.

Në hapat e parë të këtij biznesi, ai shprehet optimist se në të ardhmen edhe lulet do të shndërrrohen në një produkt po aq të kërkuar nga tregjet e huaja ashtu si edhe fruta perimet aktualisht./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.