Arra, Bajame dhe Kombinimet Speciale me Djathërat

1k 0

Qoftë i butë ose i fortë, feta ose kaçkavall, djathi është përbërësi kryesor i tavolinave shqiptare. Shqiptarët konsumojnë rreth 11.5 kg djathë për frymë në vit.

Rreth 30 përqind e qumështit të prodhuar në Shqipëri përdoret për prodhimin e 13 mijë tonëve djathë, që përbën 4 kilogram për frymë. Por duke qenë se shumica e fermerëve në vend akoma punojnë në tregun e zi, prodhimi i vërtetë i djathit në vend mendohet të jetë rreth 34,000 ton ose 11.5 kg djathë për frymë në vit.

Sekreti i një pjate të suksesshme me djathra varet nga dy gjëra: larmia e djathrave dhe aksesorët. Nëse në këtë pjatë shtoni dy lugë reçel nga Përmeti ose Berati, pak mjaltë nga zonat e Veriut dhe të Jugut dhe disa fetë molle nga ato të Korçës, pjata juaj do të jetë “për t’u pirë në kupë.”

Megjithatë, asgjë nuk ia kalon kombinimit të djathit me arrat ose arrorët në përgjithësi. Më poshtë do të lexoni kombinimet e sugjeruara nga AgroWeb.org që të përfitoni shijen maksimale të djathit dhe arrorëve.

Bajamet me djathë të verdhë ose Cheddar – Shija e mprehtë dhe përbërja e thërmueshme e djathit cheddar përputhet shumë mirë me bajamet e pjekura. Përpiquni t’u hidhni bajameve erëza, sidomos pluhur të specit të kuq për një shije pak më pikante.


Shqeme dhe Djathi me myk – Shqemet janë kremoze dhe formojnë një ortakëri të mirë me djathin me myk ose siç njihet ndryshe djathin blu. Shija e të dyve së bashku do t’ju pëlqejë shumë.

Fistikët me djathë kaçkavall. Fistikët dhe ky lloj djathi duket se janë bërë për njëri tjetrin. Së bashku zbukurojnë shijet e shumë ushqimeve në mënyrë krejt të papritur. Provojeni!

Arra + djathi i butë –Ky kombinim sjell së bashku shijen kremoze të djathit të butë apo brie dhe atë të fortë të arrës. Hidhini arrat sipër djathit dhe shijojini.

Arrat dhe djathi i dhisë– Partneriteti mes të dy këtyre produkteve është i padiskutueshëm, sidomos nëse shtoni edhe pak mjaltë dhe do të “lëpini gishtat.”

Ndani me AgroWeb.org formulën tuaj të preferuar të kombinimit të djathit me arrorët e përzgjedhur. Cila ju pëlqen më shumë? /AgroWeb.org