Domatina me Pesticide – Gjermania Stop Italisë

865 0

Këmbanat e alarmit kanë rënë në Gjermani, pasi autoritetet e këtij vendi zbuluan sasi të mëdha të domateve qershi me prejardhje nga Italia të cilat kishin nivel të rrezikshëm pesticidesh. Zbulimi u krye më 16 Nëntor 2016 ndërkohë që Autoriteti i Kontrollit Ushqimor të këtij vendi Evropian u detyrua të merrte një sërë masash dhe kontrollesh në tregjet anëmbarë vendit.

Autoritetet Gjermane deklarojnë se niveli i rrezikut që i kanoset konsumatorëve nga këto domate qershi të ndotura është serioz, sepse tek këto produkte janë gjetur sasi të larta të pesticidit chlorfenapyr, një substancë kimike e rrezikshme mjaft e fuqishme. Kliko për njoftimin zyrtar.

Autoriteti i Kontrollit Ushqimor në Gjermani ka kryer ekzaminime të shumta të këtyre ngarkesave me domate qershi dhe zbuloi se në një kilogramë domate qershi gjendeshin 0,35 miligramë pesticide chlorfenapyr. Kjo shifër konsiderohet shumë e lartë dhe e rrezikshme.

Shumë prej ngarkesat me domate qershi me prejardhje nga Italia, kanë arritur të kalojnë kontrollet e dobëta përmes Eurozonës duke i shpëtuar verifikimeve madje janë shpërndarë jo vetëm në Gjermani, por edhe në vende të tjera.

Zyrtarisht, autoritetet gjermane kanë deklaruar se tregjet gjermane janë pastruar nga ky produkt, por sipas raportimeve të AgroWeb.org, nuk dihet akoma përhapja e saktë e domates qershi së kontaminuar me pesticide, duke qenë se ekspertët kanë analizuar produkte të marra në 21 Shtator 2016. Kjo do të thotë se vetë Gjermania ka sekuestruar sasi të vogla të këtyre domateve dhe konsumatorët i kanë blerë këto produkte të ndotura.

Chlorfenapyr është një pesticid shumë i rrezikshëm. Sipas kërkimeve të AgroWeb.org, në muajin Prill të këtij viti, 31 persona në Pakistan humbën jetën pasi ushqimi i tyre ishte i kontaminuar me këtë substancë, që i mbijeton kushteve të tokës dhe ujit për një kohë më të gjatë.

Situata në Gjermani ka shtuar alarmin në vendet e tjera të Bashkimit Evropian, të cilat furnizohen me domate qershi nga Italia. Edhe Shqipëria nuk është e sigurt në këtë aspekt dhe as e mbrojtur nga importet e domateve qershi nga Italia.

Këto produkte importohen rëndom në Shqipëri duke qenë se janë një alternativë në dukje më e mirë dhe më e cilësore se domatet e prodhuara në Divjakë ose në Lushnje.

Domatet qershi nga Italia, gjenden praktikisht në çdo cep të Shqipërisë, nga tregjet e fruta perimeve deri në supermarketet më të mëdha. Zgjidhja më pragmatike që i mbetet konsumatorit shqiptar është të përdorë domatet qershi të vendit tonë të cilat shiten 200 Lek/kg, pothuaj gjysma e çmimit të domateve qershi të importuara nga Italia./AgroWeb.org