Arrorët shqiptarë, një love story evropiane

321 0

Një nga ambasadorët më elitarë të Shqipërisë ka goxha reputacion në Europë. Madje mund të shkojmë aq larg sa të themi se evropianëve iu ka rënë në kokë për mysafirin me shije të spikatur që vjen nga Tropoja. Ata janë thjesht të mrekulluar, kur kalojnë me të netët e gjata të dimrit pranë zjarrit, duke kultivuar një marrëdhënie unike, me shumë ndjesi e shije. Eh, sikur të gjitha historitë e dashurisë të ishin si kjo që ka Europa… me gështenjën e Tropojës.

Gështenja e përnderuar, dikur një ushqim për shqiptarët e varfër është sot një nga produktet më të kërkuara në Evropën Perëndimore. Ajo përbën një pjesë të konsiderueshme të gjithë importit të Europës, duke qenë gështenja e vetme shqiptare që përmbush kriteret e cilësisë për t’u eksportuar në BE. Por si në çdo marrëdhënie të respektuar, ata po kërkojnë më shumë nga fruti jonë i dashur arror. Kërkesa ndërkombëtare për gështenja me cilësi të lartë ka qenë në rritje që prej gjysmës së dytë të viteve 1990, veçanërisht nga vendet e industrializuara, pjesërisht edhe për shkak të interesit në rritje të konsumatorëve ndaj produkteve tradicionale dhe ekologjikisht miqësore.

Kërkesa e brendshme është gjithashtu e lartë. Duke qenë se sasia prodhuar me atë të konsumuar janë pak a shumë të barabartë dhe eksportet janë në rritje (veçanërisht gështenjat e Tropojës në Itali) gështenjat e vendit janë zëvendësuar me gështenja të importuara (gështenja të Maqedonisë dhe Greqisë, dhe gështenja kineze që vijnë përmes Greqisë). Gështenja e Tropojës janë të vetmet gështenja shqiptare që përmbushin cilësinë e kërkuar për eksport në Itali dhe vende të tjera të Bashkimit Evropian.

Masivi i gështenjave në Tropojë, i cili është dhe më i madhi në Ballkan ka 2.400 ha pyje me gështenja që ndahen nga lumenj dhe lugina në parcela më të vogla.

Interesi i madh që ka tregu evropian për këtë produkt të familjes arrore, vjen kryesisht si pasojë e cilësisë së lartë që i karakterizon. Studimet kanë treguar se gështenjat e kësaj zone janë më të mëdha dhe më të ëmbla se gështenjat e tjera lokale. Dhe po t’iu shtosh dhe pyjet natyrale, prodhimin bio dhe freskia e Alpeve ku ato rriten, padiskutim i bën ato akoma më unike në shije. Këto gështenja në pjesën më të madhe gjenden në anë të maleve dhe kodrave në Kolgecaj dhe Lekbibaj në Tropojë, në Shënmëri në Kukës, Mes dhe Shllak në Shkodër, Kashnjet në Lezhë, Shupal në Tiranë, në Pogradec, në Muzinë në Delvinë, Dhrovjan dhe Leshnicë në Sarandë.

Ndërkohë që edhe zona të tjera si Berati, Skrapari, Përmeti, Gramshi dhe Tepelena e kultivojnë gështenjën, por në sasi më të vogla në një sipërfaqe totale prej 8000 ha. Brenda këtyre sipërfaqeve ka me qindra hektarë që mund të mbillen me g&eueuml;shtenja, duke rritur kështu në mënyrë eksponenciale numrin ekzistues, duke përmbushur në këtë mënyrë urinë e tregut evropian dhe duke i dhënë një shtysë të fortë ekonomisë së këtyre zonave që mbajnë familjet nga shitja e tyre.

Përgjithësisht nga të dhënat e AgroWeb.org, sektori i arrorëve (arrat, lajthitë, gështenjat dhe bajamet) shihet si një sektor me potencial të lartë për eksport për shkak të shumë avantazheve: që nga klima e favorshme tek kushtet e tokës, fitimi i lartë, kërkesa e papërmbushur e tregut ndërkombëtar dhe duke qenë se nuk kërkon shumë marketing dhe kërkesa për ruajtje.

Mbill sot për t’u pasuruar nesër

Gani Gjongecaj nga Tropoja është shumë familjar me thënien se arrorët nuk mbillen për veten, por për gjeneratat e ardhshme. Edhe pse ai i do shumë gështenjat, Gjongecaj ka vendosur që të investojë tek një tjetër arror. “Gështenjat janë tipike në Tropojë, por unë doja që të zgjerohesha pak më shumë dhe të shihja nga arrat, që secili të ketë rriskun e vet në këtë biznes”, thotë Gani Gjongecaj, i cili ka mbjellë 1.950 rrënjë arra dhe është përfitues i grantit SARED për mekanikë bujqësore. Disa nga fidanët, që ai ka mbjellë disa vite më parë janë nga Librazhdi dhe disa të tjerë janë nga Greqia, duke u shndërruar në një hybrid unik arrash veri-jugore.

Por Ganiu, nuk është i vetmi që sheh potencial tek arrat dhe kërkesën e madhe që ka tregu ndërkombëtar dhe lokal. Fermerët të dëmtuar nga konkurenca dhe mungesa e tregut kanë nisur të kthejnë sytë nga kultivimi i arrorëve.

Teksa çdo vit përballen me mbetjen stok të prodhimeve bujqësore dhe duke parë kërkesat në rritje për kulturat e arrës dhe lajthisë, fermerët kanë filluar të kthejnë sytë nga kultivimi i tyre. Sipas specialistëve të fushës të pyetur nga AgroWeb.org, rajoni juglindor favorizon së tepërmi zhvillimin e pemtarisë ku për shkak të klimës përveç kulturave tashmë të afirmuara si molla dhe qershia po përhapet edhe prodhimi i arrorëve. “Çdo komunë i ka orientuar fermerët për të mbjellë ato kultura të cilat japin prodhim, kanë një treg të sigurtë dhe fitime më të larta për fermerët e vegjël.

Normalisht në qarkun e Korçës shohim që 3-4 vitet e fundit fermerët orientohen drejt mbjelljes së pemëve frutore të cilat kanë tregun e sigurt, drejt mbjelljes së qershive, të cilat japin një fitim më të mirë plus kanë një treg të mire, por edhe drejt arrorëve. Vazhdimisht shikojmë që sipërfaqet e mbjella me pemtore me arrorë janë duke u rritur”, shpjegon Vullnet Gjolla, ekspert i Bujqësisë së Korçës. Përgjatë tre viteve të fundit dhjetra fermerë në gjithë qarkun e Korçës kanë mbjellë sipërfaqe të konsiderueshme me arrë dhe lajthi.

Duke qenë se Shqipëria ndodhet në zonën e vendorigjinës së arrës, për pasojë është kultivuar në vendin tonë prej shumë kohësh. Arra e butë kultivohet në të gjitha rrethet, por për vetë karakteristikat e saja biologjike ajo ka gjetur kushte të përshtatshme buzë përrenjve e në lugina ku ka më tepër lagështi tokësore dhe ajrore. Para viteve ‘90 numëroheshim rreth 620 mijë rrënje arra, kurse pas prerjeve abuzive të periudhës së tranzicionit numërohen rreth 230 mijë rrënjë arre, me shpërndarje të tyre jo uniforme. Rrethet me numrin më të madh të rrënjëve (mbi 10 000 rrënjë), janë Tropoja, Dibra, Librazhdi, Puka, Korça, Pogradeci, ndërsa rrethe të tjera me 10.000 deri 15 000 rrënjë janë Bulqiza, Elbasani, Kolonja, Mirdita, Tirana, Vlora dhe Përmeti.

Përvoja e fundit dhe rritja e shpejtë e drurëve frutorë tregojnë se fermerët shqiptarë janë të etur dhe të shpejtë në adoptimin e teknologjive moderne të prodhimit. Në të njëjtën kohë kosto e punës është shumë e ulët duke krijuar një avantazh në këtë aspekt. Nga ana tjetër afërsia e Shqipërisë me Bashkimin Evropian dhe procesi i saj i anëtarësimit për t’u bërë anëtare e BE gjithashtu ofrojnë avantazhe të shumta. Që nga kosto e ulët e transportit dhe regjimit tarifor preferencial për të gjithë prodhimet shqiptare të eksportuara në BE, duke bërë që ato të jenë konkuruese në treg. Për më tepër që dihet për pikën e dobët që kanë evropianët ndaj arrorëve tonë. Sepse dashuria fillon nga stomaku./AgroWeb.org