Bakllava Për Një 2016 me Fat

358 0

Nata e ndërrimit të viteve është padyshim më e preferuara ime. Në Rusi është dita më e rëndësishme e vitit. Tryezat shtrohen plot me ushqime dhe atmosfera është shumë e hareshme. Një tryezë ruse e shtruar për natën e ndërrimit të viteve përmban një sërë pjatash me salcë majoneze, duke përfshirë një specialitet të bërë me panxhar dhe harenga (peshk i marinuar) që fjalë për fjalë quhet: “Harenga me peliçe”. Mes shumë gatimeve të tjera të veçanta mund të përmend petullat e gatuara me havjar, ‘kholodetz’, një pelte mishi, po aq e çuditshme sa edhe tingëllon, si dhe shumë varietete të tjera të peshkut dhe mishit. Në Rusi, si pothuajse në çdo vend tjetër të botës, preferohet të përgatitet gjithçka e mundshme për natën e ndërrimit të viteve.

Përgjatë viteve të fundit kam patur mundësinë të provoj mënyrën shqiptare të festimit të Natës së Vitit të Ri dhe e kam shijuar njësoj si atë ruse. Përveç shumë gatimeve të mrekullueshme dhe të veçanta, me të cilat jam rritur duke i dashur gjithnjë e më shumë (të mos flas për sallatën ruse, e cila në Shqipëri nuk është aq ruse), për mendimin tim të sinqertë, gatimi më i mirë i tavolinës është bakllavaja, deri më tani gatimi shqiptar më i preferuar i imi për natën e ndërrimit të viteve, padyshim një gatim që fatkeqësisht i mungon tryezës ruse.

Gjurmimi i origjinës së bakllavasë është një hulumtim i vështirë për t’u marrë përsipër. Disa studiues kanë zbuluar se emri bakllava i përket një origjine turke; të tjerë pretendojnë që ky emër i përket rrënjëve mongoleze që nënkupton “ Të grumbullosh”. Në të vërtetë receta më e vjetër e një ëmbëlsire shumë të ngjashme me bakllavanë është gjendur në një libër kinez kuzhine të shkruar në vitin 1330 nën dinastinë Yuan (Mongoli). Ndërkohë, armenët këmbëngulin për faktin që emri bakllava është i përbërë nga dy fjalë armene ‘bakh’(Kreshma) dhe ‘halvah’(e ëmbël).

Sipas disa burimeve, Asirianët në shekullin e tetë Para Krishtit ishin të parët që gatuan peta brumi me arra të coptuara dhe mjaltë në furrat primitive të pjekjes me dru. Deri në shekullin e nëntëmbëdhjetë bakllavaja u konsiderua si një gatim për njerëzit e pasur, ndaj edhe konsumohej në ceremoni të veçanta. Për këtë arsye, tradita shqiptare e përgatitjes së bakllavasë përkon me Darkën e Vitit të Ri. Armenët, grekët, arabët dhe të tjerë pretendojnë se zotërojnë origjinën e bakllavasë. Megjithatë ishin Otomanët ata që e sollën bakllavanë në trojet e Ballkanit, në mënyrë që të zbukurojë tryezën shqiptare të darkës së ndërrimit të viteve.

Meqënëse po flasim për otomanët, duhet të shtoj se bakllavaja ishte një ndër gatimet më të preferuara në Pallatin e Sulltanit. Interesante është që bakllavaja gjithashtu ishte shumë e preferuar në haremin e Sulltanit dhe çmohej për vetitë e saj afrodiziake, e që përshtatej sipas gjinisë, duke i shtuar përbërës si kanella për femrat dhe cardamom (fara aromatike të ngjashme me xhenxhefilin) për meshkujt. Pallati Perandorak kishte të punësuar një specialist për përgatitjen e bakllavasë, i zgjedhur mes shumë specialistëve të talentuar të Perandorisë. Në mënyrë që një specialist të punonte në pallat, duhej të kalonte një testim paraprak, përmes të cilit vendosej nëse një shef kishte aftësitë e duhura për të përgatitur petat më të holla të brumit. Disa shkrimtarë pretendojnë se bakllavaja në Pallatin Topkapi konsistonte në më shumë se 100 peta brumi, të holla si petalet e trëndafilit.

Megjithëse nuk pretendoj të jem një specialiste e bakllavasë, kam njohur shumë specialistë të kësaj ëmbëlsire në Shqipëri. Kur i pyes për sekretin, shumë prej tyre thonë që, për të përgatitur një baklava të mirë, duhet shumë dashuri, lumturi dhe hare. Dhe po ju them se këta përbërës janë vërtet ata që bëjnë diferencën dhe i japin bakllavasë atë shije të jashtëzakonshme.

Nëse preferon të kalosh natën e ndërrimit të viteve në qendër të qytetit me një sërë të panjohurish përqark, duke numëruar sekondat e fundit përpara se vitet të ndërrohen, ose të shijoni një kohë të qetë pranë familjarëve dhe të dashurve tuaj sigurohuni të përfshini patjetër edhe bakllavanë në planet tuaja. Disa studime thonë se bakllavaja ka disa cilësi magjike, që sjellin një vit me fat për të gjithë ata të cilët e shoqërojnë me shampanjë në natën e ndërrimit të viteve. Besojeni ose jo, por unë zgjedh ta vazhdoj këtë traditë pasi asnjëherë fati nuk është i mjaftueshëm.

Gëzuar Vitin e Ri të dashur ndjekës besnikë të AgroWeb dhe le të jetë viti 2016 po aq i ëmbël sa edhe bakllavaja, plot dashuri, lumturi dhe hare, siç rekomandohet nga specialistët shqiptarë të përgatitjes së bakllavasë!

 

*Agroweb sjell Shqipërinë me sytë e një Ruseje që jeton në Tiranë prej dy vitesh. Liana Suleymanova ka studiuar për histori në Universitetin Amerikan në Bullgari ku u njoh me Shqipërinë, e shkuara e të cilës e tërhoqi në mënyrë të veçantë. Interesi për këtë vend u zhvillua më tej gjatë studimeve master në Central European University në Budapest dhe në Akademinë Diplomatike në Vienë, ku ajo studioi në detaje historinë e Shqipërisë, veçanërisht periudhën nga sistemi komunist në demokraci.