BB, sytë nga energjia e rinovueshme në Shqipëri

371 0

“Ndryshimet klimatike nuk janë shaka”. Kjo shprehje është thënë aq shpesh nga liderë botërorë, aq sa nuk duket mjaftueshëm për të treguar rrezikun që na kanoset nga rritja e temperaturave me vetëm 2 gradë celcius. Sipas Bankës Botërore, ato 2 gradë në 15 vitet e ardhshme do të zhysin në varfëri ekstreme 100 milionë më shumë njerëz, nëse çështja e klimës nuk shihet me seriozitet.

Dhe Banka Botërore e ka nisur nga vetja, duke investuar një pjesë të madhe të fondeve të saj për të zhvilluar energjinë e rinovueshme dhe bujqësinë e qëndrueshme në 40 vende vende në zhvillim.

Të paktën 16 miliardë dollarë në vit, nga i gjithë grupi i Bankës Botërore do të drejtohet në projekte të ndryshimit të klimës, duke përfshirë energjinë e rinovueshme dhe efikasitetin e energjisë. Grupi do të synojë për të mobilizuar 13 miliardë dollarë në fonde shtesë nga sektori privat brenda katër viteve, me anë të programeve të përbashkëta të financimit.

Deri në vitin 2020, këto përpjekje duhet të arrijnë në rreth 29 miliardë dollarë në vit, gati një e treta e 100 miliardë dollarë në vit, që është premtuar për sektorin e financimit klimës nga vendet e pasura tek të varfrit, si pjesë e marrëveshjeve globale të ndryshimeve klimatike.

Shqipëria, si një vend në zhvillim, do të jetë gjithashtu në fokus të këtyre investimeve. Të mirat e të qenit një vend i bekuar me 2.400 orë diell në vit dhe një mesatare prej 240-300 ditësh me diell, me 152 lumenj dhe përronj të vegjë dhe 8 lumenj të mëdhenj dhe fuqi ere në bregdet që të shkul vendit, të shpërblejnë të jesh një vend atraktiv për energjinë e rinovueshme.

“Shqipëria njihet tashmë për potencialin e lartë që ka në lidhje me hidrocentralet. Për më tepër Shqipëria ka dhe një potencial shumë të madh në zhvillimin e energjisë diellore (një nga më të mirat në Europë) si dhe për parqe të energjisë së erës”, ka thënë për AgroWeb, Menaxherja e Bankës Botërore në Shqipëri, Tahseen Sayed.

Në përputhje me IFC (njësia e sektorit privat të Grupit të Bankës Botërore) fokusi strategjik në lidhje me zbutjen e ndryshimeve klimatike, synon të zhvillojë tregun e energjisë së rinovueshme në vendet e Ballkanit Perëndimor, ku përfshihet edhe Shqipëria përmes programit të energjisë së rinovueshme, i cili ka hyrë në fuqi që nga viti 2010. Ky program adreson shumë barriera për zhvillimin e sektorit të energjisë së rinovueshme.

“Mungesa e kuadrit rregullator të qëndrueshëm mbetet një nga pengesat kryesore të zhvillimit të këtij sektori. Përveç kësaj, struktura e sistemit energjetik shqiptar ka mungesa të kapaciteteve transmetuese, si dhe vështirësi në gjenerimin në mënyrë të vazhdueshme të energjisë së rinovueshme. Këta faktorë mund të krijojnë një pengesë shtesë për shfrytëzimin më të gjerë të potencialit natyror. Programi i ri i Energjisë i IFC-së pritet të nisë së shpejti dhe do të synojë që të rregullojë këtë situatë duke adresuar pengesat ndaj rritjes dhe të nxisë investimet në prodhimin e energjisë të pastër”, është shprehur Sayed.

Shqipëria, si shumë nga fqinjët e saj në Evropën Lindore, është duke kaluar nëpër një tranzicion në një ekonomi tregu konkurruese. Megjithatë rritja e ekonomisë është penguar nga furnizimi i pasigurtë me energji dhe mungesat e shpeshta të energjisë elektrike. Zhvillimi i sektorit energjetik, përmes efiçencës së energjisë dhe investimit në energjinë e rinovueshme do të bëjë që e gjithë ekonomia të përfitojë.

Në afat të gjatë, potenciali për rritjen e investimeve në fushën e energjisë së rinovueshme në Shqipëri është i shkëlqyer, duke e bërë vendin një eksportues të energjisë. Shqipëria planifikon të shpenzojë mbi 200 milion $ për të ndërtuar kabllot e energjisë në Itali, një vend me kërkesë të lartë për energji. Çka pritet të sjellë investime të reja në energjinë e rinovueshme.

Pjesë e projekteve të Bankës Botërore do të jetë dhe bujqësia e qëndrueshme, në përdorimin e më pak ujë, energji dhe shfrytëzim më të mirë të tokës. Të gjitha projektet të cilat do të marrin investime, duke përfshirë shëndetin, edukimin dhe prioritete të tjera të zhvillimit do të shihen në raport me impaktin që kanë në ndryshimet klimatike.

Shqipëria është zotuar për të ruajtur të ulët emetimin e gazeve serrë nga prodhimi i energjisë elektrike. Dhe për ulur rritjen nga shtimi i gazit serrë në sektorë të tjerë, rolin kryesor në uljen e gazeve serrë, do ta luajë pikërisht energjia e rinovueshme./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.