BBC raporton kapjen e një dërgese me oriz plastik

339 0

Rrjeti mediatik i informimit BBC njoftoi sot se Nigeria ka konfiskuar 102 thasë me Oriz Plastik të kontrabanduar në vend nga biznesmenë të paskrupullt, siç deklaron shërbimi doganor.

Drejtori i Përgjithshëm i Doganave të Nigerisë deklaroi në kryeqytetin Lagos se orizi i rremë dhe i falsifikuar kishte për qëllim për t’u shitur në tregjet gjatë sezonit festiv të fundvitit. Ai tha se orizi është shumë ngjitës, edhe vetëm në zierje dhe se fatmirësisht kishin parandualuar një katastrofë shëndetësore të përmasave kolosale.

BBC informon se nuk është e qartë origjina e orizit të sekuestruar, por burimi i orizi plastik u gjet në Kinë vitin e kaluar në një situatë të tillë që solli konfuzion me sigurinë në shumë tregje.

BBC deklaron se hetimet janë në proces për të vendosur se sa e dërgesa të tjera të kontrabandës së orizit plastik tashmë janë shitur në vendet afrikane. Kliko këtu për njoftimin zyrtar.

AgroWeb.org ka ngritur edhe më parë problemin e kontrolleve të orizit që depërton në tregun shqiptar, pasi alarmet e mëparshme kanë vënë në gatishmëri strukturat e Komisionit Evropian për sigurinë ushqimore. Autoriteti i Kontrollit të Ushqimit ka kryer një sërë kontrollesh në muajin shtator pas raportimit në AgroWeb.org dhe rezulton se në magazinat e shitjes nuk janë gjetur sasi të këtij produkti. Ndërkohë afrimi i festave të fundvitit e bën edhe më shqetësuese situatën pasi niveli i blerjeve dhe konsumit rritet disa herë dhe kërkesa e tregut për produkte është shumë e lartë.

Kina mbetet prodhuesi më i madh në botë i orizit. Ky vend arrin të mbledhë mbi 200 milion ton oriz në vit dhe një pjesë e madhe e kësaj sasie eksportohet në mbarë globin.

Një raport i Korea Times ka hedhur dritë mbi manovrat e falsifikimit të këtij produkti si edhe ka treguar se orizi tanimë po përgatitet edhe në mënyrë artificiale. Në Kinë orizi po prodhohet artificialisht duke përzier niseshten e patates me një material toksik plastik fillimisht në formën e rrëshirës sintetike duke i dhënë formën e kokrrës së një prej produkteve më të konsumuara në botë.

Sipas burimeve që raporton AgroWeb.org, këto kokrra jo natyrale më pas vihen në avull dhe artificialisht u jepet aroma e orizit që ne njohim. Mjekët e kanë nënvizuar shpesh rrezikun që vjen nga konsumimi i këtij produkti artificial. Në tre pjata oriz gjendet aq shumë plastikë sa me të mund të krijohet një qese e mirëfilltë nga ato të pazarit. 

Në vitin 2013, Parlamenti Evropian kërkoi më shumë sqarime nga Komisioni Evropian në lidhje me parandalimin e hyrjes së orizit plastik në vendet e BE-së sipas legjislacionit në fuqi.

AgroWeb.org do t’ju mësojë disa hapa të thjeshtë se si të kuptoni nëse orizi është natyral apo plastik.

Metoda e Ujit. Hidhni një lugë gjelle me oriz të pagatuar në një gotë me ujë të ftohtë dhe përzijeni në mënyrë të vazhdueshme. Nëse kokrrat e orizit do të zhyten në fund të gotës atëherë orizi është natyral. Nëse kokrrat qëndrojnë në sipërfaqe, atëherë kini kujdes!

Metoda e Flakës. Përpiquni t’i vëni flakën kokrrave të orizit duke përdorur një shkrepëse ose çakmak. Nëse kokrrat marrin flakë menjëherë dhe digjen duke lëshuar erën e plastikës… atëherë ja ku e keni përgjigjen. Hidheni orizin menjëherë në plehra!

Metoda e Thërmimit. Merrni një enë dhe thërmoni dhe shtypni kokrrat e orizit deri sa të kthehen në një pluhur të njëjtrajtshëm të bardhë. Nëse keni të bëni me oriz plastik, pluhuri i orizit do të jetë me ngjyrë të verdhë.

Metoda e Mykut. Nëse dëshironi ta dini me siguri nëse orizi që keni blerë është i pastër nga plastika dhe i sigurt për konsum, atëherë vendosni disa kokrra në një enë të izoluar mirë dhe lëreni enën në një vend të ngrohtë. Pas disa ditësh, orizi normal zë myk. Plastika nga ana tjetër nuk myket kurrë./AgroWeb.org