Vaji i ullirit 100 herë më i shëndetshëm se ai vegjetal

551 0

 Kur dëgjon termin ‘vaj vegjetal’ mendon se bëhet fjalë për një zgjedhje të shëndetshme për gatimin dhe përgatitjen e ushqimeve. Për fat të keq, ndonëse ky vaj është në dukje i përshtatshëm për gatime në temperatura të larta, vaji vegjetal është shumë larg të të qenit i shëndetshëm.

Vaji i përpunuar vegjetal në fakt përgatitet nga një sërë farash dhe bimëve bishtajore vaji i të cilave përftohet duke përdorur një material helmues si heksane. Në këtë mënyrë, produktet e përdorura zhvishen nga ushqyesit e shëndetshëm dhe shumica e yndyrnave polio-të-pangopura që ato përmbajnë transformohen në yndyrna të rrezikshme.

Një studim i kohëve të fundit zbuloi se gatimi me vajra vegjetale çliron sasi të larta të përqendruara të kimikateve të njohura si aldehide, që kanë lidhje me shfaqjen e sëmundjeve si tumoret, problemet me zemrën dhe sklerozën.

Si rrjedhojë, studiuesit gjithmonë rekomandojnë vajin e ullirit në krahasim me vajin vegjetal. Nëse materialet toksike nuk janë arsye e mjaftueshme që ju të shmangni vajin vegjetal, duhet të dini që ai përdoret për skuqje të ushqimeve dhe nëse e provoni veçmas do të zbuloni që nuk ka një shije të mirë. Me të nuk mund të shijoni një sallatë me barishte të freskëta e të shëndetshme apo të lyeni një fetë bukë siç bëni me vajin e ullirit.

Konsumatori mund të trembet lehtë me lajmet mbi të këqijat që vijnë nga gatimi me vaj, por zgjidhja qëndron tek vaji i ullirit. Ky lëng i artë është jashtëzakonisht i shëndetshëm dhe i shijshëm që ju vjen në ndihmë në kuzhinë me çdo lloj gatimi.

Vaji i ullirit përgatitet nga presimi i ftohtë i ullinjve të freskët. Vaji ekstra i virgjër i ullirit është më pak i përpunuar se vaji i zakonshëm i ullirit. Ajo që duhet të dini për vajin e ullirit është se ky produkt është gjithnjë pre e mashtrimeve nga më të rëndomtat.

Ekspertët kanë arritur në konkluzionin se rreth 80 përqind e shisheve që mbajnë etiketën “Extra Virgin” në botë kanë në të vërtetë një përzierje të vajit të ullirit me atë të sojës, ose në rastin më të keq ngjyrues dhe shije artificiale. Kjo është arsyeja përse është jashtëzakonisht e rëndësishme që të sigurohuni që vaji i ullirit që konsumoni të jetë marrë nga një burim i besuar dhe të jetë në një enë qelqi me ngjyrë të errët. Shishja e errët mund t’ia rrisë çmimin vajit të ullirit, por kur vjen puna tek shëndeti nuk duhet kursyer.

Përdorimi i vajit të ullirit në kuzhinë

Vaji i ullirit mund të përdoret në shumë receta. Më poshtë do të gjeni disa sugjerime nga AgroWeb.org:

Në sallata: nëse ju pëlqen shija karakteristike e vajit të ullirit, atëherë atë mund ta përdorni si bazë për krijimin e salcave të panumërta të sallatës, duke nisur me atë të sallatës çezar ose sallatave të tjera nga më të thjeshtat në më të komplikuarat.

Në gatim: Kjo është mënyra më e zakontë për të përdorur vajin e ullirit. Me të mund të gatuani peshk ose perime

Për makarona: Nëse nuk ju pëlqejnë salcat e komplikuara të makaronave, atëherë qëndroni tek vaji i ullirit, djathi dhe hudhra. Shija do të jetë fantastike.

Me bukë: Hidhni në një enë disa lugë gjelle me vaj ulliri, pak kripë, piper dhe djath parmixhano. Një kombinim kaq i thjeshtë është shpërthyes për shqisat, por edhe shumë i shëndetshëm.

Për marinim dhe salca: Vaji i ullirit është elementi kryesor plot vlera dhe i pazëvëndësueshëm që i nevojitet proçesit të marinimit dhe përgatitjes së salcave.

Zëvëndësoni gjalpin. Nëse zgjidhni vajin e ullirit në vend të gjalpit për recetat tuaja, do të bëni një zgjedhje të zgjuar dhe mbi të gjitha të shëndetshme./AgroWeb.org