Bio Suisse: Mësoni mbi standardet zvicerane në bujqësi!

336 0

Fermerët shqiptarë i ka bekuar natyra! Duke shfrytëzuar kushtet e favorshme klimatike dhe përbërjen e pasur të tokave ata mund të sigurojnë prodhimtari të lartë e cilësore. Por, për të përftuar një prodhimtari të bollshme, të sigurt dhe me vlera të larta ushqyese shfrytëzimi i kapaciteteve natyrore nuk mjafton. Për këtë fermerët duhet të zhvillojnë asete të tjera, e sidomos ato intelektuale! Materialet e ndryshme akademike, që sot janë lehtësisht të gjendshëm edhe në Internet, ekspertiza vendase dhe e huaj apo edhe organizatat e ndryshme që veprojnë në fushën e bujqësisë, mund të sigurojnë informacionin e duhur, për t’ju ndihmuar në këtë proces, e për t’ju hapur dyer mundësish të reja.

Tregu ku fermerët shqiptarë mund të tregtojnë produktet e tokave apo fermave të tyre nuk duhet të kufizohet gjeografikisht. Hapja e mundësive të tregtimit jashtë vendit do të rriste ndjeshëm të ardhurat e fermerëve dhe sigurisht edhe ekonominë vendase.

Në këtë shkrim ju njohim me një përmbledhje mbi Bio Suisse dhe standardet zvicerane që do t’ju prezantojnë me metodologji e teori të reja, që fillojnë nga gjeneza e prodhimtarisë e vijojnë deri në përcaktimin e specifikave të proceseve fundore. Nëse ndiqni këto standarde dhe merrni çertifikimin Bio Suisse, ju do të keni mundësi të zgjeroni kanalet e shitjes, duke tregtuar dhe në tregun zviceran.

Çfarë është Bio Suisse?

Bio Suisse është një organizatë jo qeveritare, jo fitimprurëse, e krijuar në vitin 1981 nga bashkimi i organizatave të bujqësisë organike zvicerane. Në ditët e sotme Bio Suisse përbëhet nga 31 organizata bujqësore dhe Instituti Kërkimor i Bujqësisë Organike. Bio Suisse ka vendosur standarde të ndryshme për prodhimin dhe përpunimin bujqësor. Këto standarde janë specifike për procese të ndryshme dhe përcaktojnë rregulla strikte në lidhje me importin e produkteve. Produktet e etiketuara Bio Suisse tregtohen në ferma dhe në pika të ndryshme të dedikuara për ushqimin organik (si Coop, Primo, Vis-à-vi, SPAR apo tregtarë të ndryshëm në Zvicër). Në Zvicër janë të regjistruar 5700 fermerë të cilët prodhojnë dhe tregtojnë produkte bio, të çertifikuar me standardin Bio Suisse (duke përfaqësuar 90 përqind të prodhimit bio dhe 10 përqind të prodhimit të përgjithshëm të fermerëve zviceranë.)

Kjo përmbledhje e Standardeve Bio Suisse u jep fermerëve në çdo vend të botës, informacionin e duhur për të përmbushur të gjitha detyrimet e nevojshme, për të marrë çertifikimin Bio Suisse.
Një kusht për të marrë çertifikimin Bio Suisse është çertifikimi në përputhje me rregulloren e Bashkimit Evropian 834/2007.

Qasja e përgjithshme
I gjithë procesi i investimit bujqësor duhet të jetë i orientuar drejt prodhimit organik. Investimet e ndërmarrjeve konvencionale blegtorale ose parcelat në të cilat nuk ndiqen standardet e prodhimtarisë bio, nuk do të aprovohen. Që një investim të çertifikohet prej Bio Suisse duhet të përmbushë kushtet e mëposhtme:

  • Tërësia e tokave, ndërtesave, makinerive dhe forcës punëtore duhet të drejtohen nga një qendër operimi
  • Proceset bujqësore duhet të kryhen tërësisht të ndara dhe duhet të jenë të pavarura nga njëra-tjetra
  • Menaxheri i fermës nuk duhet të drejtojë ferma të tjera

Përdorimi i Plehrave Kimike
Një fermer që dëshiron të marrë çertifikimin Bio Suisse duhet të ndjekë limitet e mëposhtme, për plehrat kimike (vjetorë/për hektarë):

  • Prodhimi i foragjerëve dhe perimeve të fushës 225 kg N/ha 80 P2O5/ha
  • Të lashtat e lëvruara (rrënjë, drithëra) 180 kg N/ha 60 P2O5/ha
  • Vitikultura, frutat e buta etj 100 kg N/ha 30 P2O5/ha

Është i ndaluar: Përdorimi i torfës për përmirësimin e cilësisë së tokës/ përdorimi i lëndëve kimike të sintetizuara (EDTA), kripërat me përqindje të lartë potasiumi.
Në lidhje me përdorimin e produkteve me përbërje mineral potasiumi, ju duhet të përcaktoni fillimisht nevojën, në mënyrë që t’ju jepet leja e përdorimit të këtyre produkteve (më shumë se 150 kg/ha/vit).
Zonat e dedikuara për përmirësimin e biodiversitetit
Të paktën 7 përqind i zonës bujqësore duhet t’i dedikohet promovimit të biodiveristetit. Shembuj zonash të lejuara janë: tokat e paplehëruara, kullotat e pasura dhe livadhet, toka të mbjella me bimë të egra si dhe barishte (për të paktën 18 muaj)/ pemë frutore standarde tradicionale dhe pemë të përshtatshme për tokën, zona me pemë, pyje, kanale, pellgje, vegjetacion i egër, zona të paasfaltuara ( të mbulurara të paktën deri 1/3 me barishte)
Material Riprodhues (fara, material shtues vegjetativ) dhe transplante
Vetëm në rastet kur trupi inspektues ka dalë në përfundimin se materiali organik nuk gjendet, ju mund të përdorni lëndë riprodhuese që nuk janë organike, sipas një liste lëndësh të lejuara (përveç rastit të prodhimit të drithërave, si më poshtë). Përdorimi i lëndëve riprodhuese kimike është i ndaluar. Në rast përdorimi ju nuk do ta merrni çertifikimin Bio Suisse.
Nga 1 Janari 2009, vetëm farat organike janë të lejuara për prodhimin e drithërave (gruri , elb , tërshërë , thekër , oriz , mel etj).
Përdorimi i farës hibride në prodhimin e drithërave (përveç misrit) është i ndaluar.
Për të mbjellat të cilat rriten si OMGJ, duhet përdorur material riprodhues organik.
Transplantet e rritura si të mbjella vjetore (përfshirë luleshtrydhet) duhet të kenë çertifikim organik.
Produktet e mbrojtjes së bimëve
Të ndaluara: pyrethroids / bioherbicidet/ rregulluesit e rritjes
Përdorimi i preparateve të bakrit duhet të jetë gjithashtu i limituar (në formën e bakrit të pastër për hektarë/vit):
Perime, patate, verë, frutat me bërthamë 4kg /, fruta pa bërthamë 2 kg / frutat e familjes “pomaceous” (si molla, dardha) 1.5 kg.
Përdorimi i produkteve me bazë bakri dhe sulfuri në prodhimin e drithërave, perimeve dhe farave nuk është i lejuar.
Rotacioni i të mbjellave
Gjatë procesit të rotacionit të të mbjellave duhet të keni parasysh të përfshini të paktën 20 përqind të mbjella që ndihmojnë pasurimin e përbërjes së tokës ( si psh bishtaja).
Mbulesë e gjelbër në vreshtari dhe kulturat e pemëve
Në kopshte dhe toka të mbjella me pemë, për të rritur fertilitetin e tokës, duhet vendosur një mbulesë e gjelbër, që duhet të mbahet gjatë gjithë vitit. Në vende me klimë të thatë, mbulesa e gjelbërt duhet të vendoset vetëm për 4 muaj. Nëse bimësia natyrale është shumë e rrallë, atëherë duhet të mbillni një kulturë plehu organik të gjelbër.
Pastrimi dhe djegia
Djegia e pyjeve ose hapësirave të mbjella me pemë për të siguruar toka të mbjellash, nuk është e lejuar.
Bagëtitë
Në vendet e Bashkimit Evropian ju duhet të përmbushni rregulloren për mbajtjen e bagëtisë sipas rregullores nr 834/2007. Në vende të tjera, duhen përmbushur të paktën kushtet minimale për mbajtjen e bagëtive.
Periudha e kthimit
Periudha minimale e kthimit është dy vite të plota kalendarike. Kjo periudhë mund të shkurtohet, në varësi të mënyrës së menaxhimit të mëparshëm.
Prodhimi paralel
Në raste të prodhimit paralel, trupi inspektues duhet të japë dhe të konfirmojë evidence të ndarjes dhe gjurmimit nga tokat në shitje.
Përgjegjësia shoqërore
Detyrimet Bio Suisse mbi përgjegjësinë shoqërore duhet të përmbushen sipas Bio Suisse Standards 5, (Kapitulli 1.3)
Shitja dhe Përpunimi
Magazinimi dhe përpunimi, si dhe veprimtaria e shitjes duhet të përmbushin standardet Bio Suisse.
Produktet duhet të transportohen në Zvicër nëpërmjet mjeteve të transportit tokësor ose detar. Transporti ajror është i ndaluar.
Etiketimi
Çertifikimi Bio Suisse nuk ju lejon ju që të përdorni stampën Bud (Knospe) të markës tregtare në këto produkte. Vetëm importuesi, që ka një kontratë licencimi të vlefshme nga Bio Suisse është i autorizuar të veprojë në mënyrë të tillë. Produktet duhet të etiketohen në mbajtës, paketim, shënimet e transportit, fatura etj. me frazën ose logon “ I aprovuar nga BIO SUISSE”.