90 përqind e fermerëve shqiptarë të pasiguruar

369 0

Qeveria, masa lehtësuese për fermerët deri në Janar 2015. Më pas, sigurimet do t’i kushtojnë më shtrenjtë të punësuarve në këtë sektor. 

Fermerët e dinë mirë se nëse nuk mbjellin, nuk do të korrin asgjë në të ardhmen. Por këtë parim 90% e tyre, e zbatojnë vetëm në bujqësi. Sipas shifrave të raportuara prej Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, pjesa më e madhe e fermerëve shqiptarë nuk kontribuojnë për sigurimet e detyruara shoqërore e shëndetësore të tyre, megjithëse janë një investim i sigurt dhe i rëndësishëm për të ardhmen.

Vetëm 10 përqind e fermerëve të vetëpunësuar në Shqipëri paguajnë kontributet e detyrueshme të sigurimeve shoqërore e shëndetësore. Pjesa më e madhe e fermerëve në vend nuk i paguajnë këto detyrime dhe nuk mund të përfitojnë nga skema e pensioneve.

Vetëm 10 përqind e fermerëve në vend janë të siguruar. Pjesa më e madhe nuk mund të përfitojë nga skema e pensioneve.

Sipas Institutit të Statistikave (INSTAT), në vend janë të regjistruar 442,787 të punësuar në fushën e bujqësisë. Por Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë shprehet se “Përsa i përket numrit të kontribuesve në skemën rurale, këtë vit kanë derdhur kontribute vetëm 33 mijë persona. Kjo është një shifër jashtëzakonisht e ulët, po të kemi parasysh se gjysma e popullsisë në Shqipëri jeton në fshat.” Sipas Ministrit Veliaj, ky problem bëhet edhe më shqetësues kur merret në konsideratë fakti se ka rënë ndjeshëm përfshirja e kontribuesve të rinj në skemë.

Z. Veip Salkurti, drejtues i KOP.FRUT Dibër 2012, Kooperativës së Përpunimit të frutave, në një intervistë për agroweb tha se nisma të tilla ndihmojnë në rregullimin e një problematike të rëndësishme, pasi një pjesë e mirë e fermerëve janë të pasiguruar. Sipas Z. Salkurti subvencionimi i një pjese të kontributeve të detyrimeve, lehtëson një pjesë të barrës së kontributit dhe nxit edhe më shumë fermerët e vetëpunësuar të sigurohen.

Në kuadër të kësaj situate problematike, Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë po ndërmerr një reformë që synon rritjen e përfshirjes së kontribuesëve në skemat e sigurimeve.

Kuotat aktuale të pagesës së kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore favorizojnë të vetëpunësuarit në zonat rurale, duke shfrytëzuar skemat e subvencioneve shtetërore. Fermerët e siguruar të zonave rurale, paguajnë më pak detyrime për sigurimet shoqërore e shëndetësore, në krahasim me të vetëpunësuarit në qytet. Një pjesë e sigurimeve të fermerëve të vetëpunësuar subvencionohet prej fondeve të veçanta të buxhetit të shtetit.

Aktualisht, për një vit vjetërsi në punë, një person i vetëpunësuar në qytet duhet të paguajë detyrimin vjetor prej 53,561 Lekë, për sigurimet shoqërore. Një person i vetëpunësuar në bujqësi, me banim në zonat fushore, duhet të paguajë detyrimin vjetor prej 33,000 Lekë, për sigurimet shoqërore. Ndërkohë që njëeuml; person i vetëpunësuar në bujqësi, që banon në zonat malore duhet të paguajë detyrimin vjetor prej 25,300 Lekë.
Kontributi vjetor që një person i vetëpunësuar në bujqësi duhet të paguajë aktualisht për sigurimet shëndetësore është 3,769 Lekë, ndërkohë që një i vetëpunësuar në qytet duhet të paguajë 15,684 Lekë në vit. Pjesa tjetër prej 11,915, subvencionohet prej buxhetit të shtetit, nëpërmet Fondit të Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor.

Fermerët edhe 100 ditë kohë për të përfituar nga skema aktuale e sigurimeve. Më skemën e re do të paguajnë më shumë.

Por këto kuota do të jenë të vlefshme deri në Janar të vitit 2015. Fermerët që nuk i kanë paguar rregullisht kuotat e detyrueshme të sigurimeve, për të përfituar pensionin e plotë, do të kenë mundësi të paguajnë totalin e papaguar sipas kuotave aktuale, deri në janar 2015, kur do të hyjnë në fuqi kuotat e reja. Më tej, fermerët do të paguajnë më shumë detyrime dhe subvencionet shtetërore do të ulen. Ndërkohë që pensionet në fshat do të barazohen me pensionet e qytetit.

“Nga 1 janari 2015 s’do të ketë më diferencë mes pensionit të fshatit dhe pensionit të qytetit dhe ata duhet të vazhdojnë të derdhin kontribute sepse kjo do t’ju përkthehet në një pension më të lartë”, tha ministri Veliaj. “Në vitin 2018, skema rurale do të integrohet me atë urbane në një skemë të vetme kombëtare. Por, kemi vetëm 100 ditë kohë deri në 1 janar 2015 për të punuar fort për rritjen e numrit të kontribuesve në skemë,” shtoi Ministri Veliaj.

Fermerët duhet të nxitojnë të paguajnë kontributet e papaguara deri më tani, në mënyrë që të përfitojnë nga subvencionet më të larta të shtetit, dhe të rrisin dhe kontributet e derdhura për pensionin. Nëse fermerët i derdhin kontributet e papaguara pas muajit Janar 2015, ata do të përfshihen në skemat e reja dhe do t’u duhet të paguajnë më shumë. Por, nga ky muaj, fermerët do të përfitojnë të njëjtin pension me personat e vetëpunësuar në qytet.