Bletët Punëtore Të Moravës Tërheqin Vëmendjen e Mediave të Huaja

670 0

Në një artikull të kushtuar veprimtarisë së kompanisë Morava dhe sfidave të prodhimit të mjaltit në vazhdën e pandemisë së COVID-19, AFP shkruan se bletërritësit shqiptarë po i gëzohen një prodhimtarie të paprecedentë të mjaltit falë uljes së nivelit të ndotjes dhe përdorimit të pesticideve.

“Ky është një vit i artë për bletët”, thotë 68 vjeçari Gëzim Skermo duke u kujdesur për 300 kosheret e fermës, një prej më të mëdhave në Shqipëri dhe e vetmja  që eksporton mjaltin në shumë vende të botës.

Skermo pranon se gjatë gjithë përvojës së tij 50 vjeçare në këtë fushë, nuk ka qenë kurrë dëshmitar i një stine të tillë kaq të artë.

Madje ai e përshkruan si një rilindje të natyrës dhe të bletëve punëtore që kanë shfrytëzuar këtë moment të artë.

Masat shtrënguese kundër përhapjes së virusit COVID-19 në gjithe vendin janë shoqëruar me një shpërthim pozitiv të bimësisë, ajrit të pastër dhe sasive tepër të ulëta të pesticideve.

“Nuk ka asgjë që t’i shqetësojë e të lëndojë bletët tani, as zhurmë, as ndotje, asgjë”, thotë Skermo.

Ferma Morava prodhon normalisht diku mes pesë deri në pesëmbëdhjetë ton mjaltë në vit. Mjalti që prodhohet është i llojeve të ndryshme, duke përfshirë këtu atë shumelulesh,pishës,akacies, gështenjës, tërfilit të bardhë e të tjerave në varësi të luleve të stinës.

Kjo fermë është gjithashtu përgjegjëse për mbledhjen dhe përpunimin e sasive të mëdha të bletërritësve shqiptarë anëembanë vendit.

Në Shqipëri, sipas AFP, numërohen  mbi 360,000 koshere bletësh.

Kushtet që ofron Shqipëria për bletët janë optimale për bletët. Foto: Kompania Morava

Vit i Begatë

Në këtë vit të begatë, bletërritësit  planifikojnë të nisin mbledhjen e mjaltit më herët se zakonisht për të shfrytëzuar prodhimtarinë e lartë. Ky është një lajm i jashtëzakonshëm për arsye se prodhimtaria e mjaltit në vend ia doli të rimëkëmbej nga humbjet masive të koshereve dhe ato financiare në vitet 2016-2017, të cilat arritën deri në 60 milionë euro.

Gjatë këtyre viteve, përdorimi i pescitideve, prania e parazitëve dhe zhdukja e shumë pyjeve shkaktoi një rënie drastike të numrit të bletëve.

Pesticide të caktuara siç është neonicotinoidi janë të ndaluara në vendet e BE-së por jo në Shqipëri, shkruan AFP.

Sidoqoftë, pak vite më vonë, kushtet që ofron Shqipëria për bletët janë optimale për bletët , thotë Eugen Skermo (administrator i kompanise).

Sipas tij, Morava përveç shpërndarjes në tregun vendas eksporton  40 tonë mjaltë në vit drejt vendeve si Shtetet e Bashkuara, Zvicra, Singapori dhe Kina, Kosova.

Sa i përket vendeve të Bashkimit Evropian, pavarësisht faktit se vetë blloku i ka dhuruar fermës një laborator analizash, ajo nuk e ka të mundur eksportimin e mjaltit sepse BE ndalon eksportin e te gjithe prodhimeve shqiptare me bazë shtazore.

Koshere bletësh në fermën Morava. Foto: Kompania Morava

Kompania Morava është themeluar në vitin 1993.

Ajo mbledh mjaltin në  rajonin e Korçës, por edhe më gjerë: Gjirokastër, Përmet,Kukes,Lezhe, Delvinë, Vlorë, Librazhd, Pogradec,Berat, Gramsh, etj. Investimet në punishte dhe në koshere kanë qenë të vazhdueshme përgjatë këtyre viteve. Ajo disponon makineri të ndryshme të nivelit europian për mbushje, paketim dhe ambalazhim.

Sot kompania zotëron me krenari Fermen e parë dhe më të madhe të prodhimit, ambalazhimit dhe paketimit të mjaltit dhe nënprodukteve të tij në Shqipëri dhe rajon, në harmoni të plotë me standardet më të larta evropiane.

Ajo është çertifikuar me Standardin e Cilesisë Ushqimore ISSO22000 dhe HACCP.

Aktiviteti i begatë i kompanisë Morava ka tërhequr vëmendjen e shumë mediave të huaja si France 24, Daily Times, Yahoo News, si dhe shume mediave te tjera në mbarë botën./ AgroWeb.org