Boronicat Shqiptare Emigrojnë në Rajon

656 0

Boronicat e Tropojës, Kukësit dhe Pukës është më e lehtë të tregëtohen në Kosovë dhe Mal të Zi dhe që nga aty më pas shpërndahen në tregjet evropiane, sesa të zbresin poshtë në Tiranë apo dhe në çdo qytet tjetër në vend. “Eshtë e vërtetë, ne i shesim boronicat në Kosovë”, thotë për AgroWeb.org, Shkëlzen Hallaçi, një grumbullues dhe shitës nga zona e Kukësit.

Arsyeja se pse boronicat nuk mbërrijnë dot në kryqytet dhe në çdo qytet të vendit është mungesa e dhomave frigoriferike për t’i mbajtur boronicat e freskëta. “Ne jemi pak primitivë për sa i përket ruajtjes së këtij fruti, pasi na mungojnë dhomat frigoriferike, për të cilat Kosova është shumë para nesh”, pohon Hallaçi.

Këtë vit ai ka tregëtuar afro 300 ton boronica të freskëta në Kosovë, të gjitha nga zona e Kukësit, por asnjë kokërr nuk ka qëndruar në Shqipëri. “Duke na munguar infrastruktura ne duam t’i shesim sa më shpejt të jetë e mundur, pasi përndryshe do të prishen dhe nuk do t’i blejë më askush. Dhe në fakt boronicat shqiptare shiten sa hap e mbyll sytë, për shkak të cilësisë së lartë pasi rriten në bjeshkë, por dhe të çmimit të ulët. Mbledhësit e shesin një kilogram boronica të egra me 200 lekë. Shumica e njerëzve që i mbledhin vijnë nga fshatrat në afërsi të bjeshkëve kryesisht në Tropojë, që njihet dhe si vendi me prodhimin më të lartë të boronicave në vend.

Gjatë muajve të parë te vjeshtës, banorë të këtyre zonave shpërngulen nga shtëpitë e tyre për t’u zhvendosur në stane lart në bjeshkë për të mbledhur boronica. Çdo ditë në shpatet e maleve me qindra njerëz nga të 10 fshatrat e komunës Margegaj, mbledhin frutin e vogël mrekullibërës që u siguron jetesën.

“Një nga gjërat më të mira është se njerëzit i mbledhin boronicat ditën dhe në darkë marrin paratë në dorë nga shitja. Disa familje madje arrijnë që në dorë të marrin edhe 300.000 lekë të reja”, thotë Hallaçi. Një shumë parash, që padiskutim i ndihmon ekonomitë e këtyrë familjeve, por sërish është pak nëse krahasohet me potencialin e madh që ka ky frut.

Mjaft të përmendin që në Evropë konsumi i boronicave pritet të rritet në mënyrë të ndjesheme, në vitet e ardhshme, ç’ka do të kërkojë një furnizim më të madh për të përmbushur kërkesat në rritje. Dhe në këtë pikë boronicat shqiptare kanë një avantazh pasi rriten në bjeshkë dhe janë të egra e jo të kultivuara, çka i rrit akoma më shumë vlerat e tyre ushqyese, duke bërë që të kërkohen mëeuml; shumë në tregun evropian. Por nga ana tjetër mungesa e një tregu të mirëfilltë për boronicat vendos barriera për tregëtimin e këtij fruti, në atë pikë aq sa në Tiranë nuk arrin të tregëtohet dot.

Kështu, nëse dëshiron të shijosh disa nga boronicat e egra të Tropojës, Kukësit apo Pukës, ndoshta do të të bjerë më lehtë dhe shpejt të shkosh në Kosovë, sesa të presësh më kot që të shfaqen në treg. Por edhe nëse je nga fatlumët që mund të gjejë një kilogram boronica, çmimi është aq i lartë sa vetëm pak personave mund t’ua lejojë xhepi. Boronicat shqiptare kanë marrë rrugën e emigrimit dhe ne duhet t’i rikthejmë pasi ‘egërsia’ dhe vlerat që i kanë dhënë bjeshkët e bëjnë këtë frut të suksesshëm për biznes.

Pse boronicat kërkohen kaq shumë?

E pse të mos kërkohen, kur këto fruta kaq të vogla i bëjnë kaq mirë trupit dhe mendjes sonë. Boronica lufton inflamacionet, ndihmon trurin dhe zemrën, mbron sytë dhe lëkurën. Antioksidantët që gjenden tek boronicat janë aq të forta, sa janë të afta për të neutralizuar radikalet e lira që lidhen me zhvillimin e disa sëmundjeve kardiovaskolare apo kancerogjene. Ky super frut është jo vetëm shumë i shijshëm, por dhe super i shëndetshëm.

Pa yndyrna dhe me rreth 80 kalori për një kupë, boronicat janë të pasura me fibra që të mbajnë të ngopur për një kohë të gjatë. Vetëm disa boronica përmbushin nevojën ditore për fibra. Për më tepër boronicat janë një burim i shkëlqyer manganezi, i cili luan një rol të shkëlqyer në konvertimin e karbohidrateve dhe yndyrnave në energji.

Boronicat përmbajnë dhe shumë vitaminë C, e cila ndihmon në formimin e kolagjenit dhe ndihmon për të pasur mishrat e dhëmbëve të shëndetshëm. Gjithashtu boronicat, së bashku me luleshtrydhet mendohet se kanë një ndikim shumë pozitiv në uljen e rrezikut të sëmundjeve kardiake tek femrat. Por jo vetëm kaq, ato gjithashtu ulin rrezikun e kancerit./AgroWeb.org