Mrekullitë e hudhrës dhe rreziku që vjen nga Kina

885 0

Gatimi mesdhetar bazohet fort te hudhra. Kur pyeta një mikun tim se cilat janë gatimet më të njohura tradicionale shqiptare me hudhra, më tha: “Ne e përdorim hudhrën pothuajse në gjithçka” Patëllxhane të mbushur, tarator ose tavë me bamje të gjitha kanë diçka të përbashkët; secila prej këtyre gatimeve shqiptare kanë ndër përbërësit e tyre, hudhrat. Me qëllim nuk dua të ndalem tek bestytnitë e shqiptarëve dhe përdorimin e hudhrës kundër syrit të keq, ndryshe do të zgjatesha pa masë.

Hudhra është një nga mrekullitë e natyrës, vetitë e saj kurative janë të pafundme dhe janë zbuluar që në kohëra të hershme. Thuhet se skllevërit egjiptianë ndërtonin piramidat, ndërkohë që ushqimi i tyre kishte si bazë bukë, ujë dhe hudhra për t’i mbajtuar ata të fortë dhe të shëndetshëm. Hipokrati mësohet se përdorte hudhrat për të kuruar tomoret kanceroze. Lui Pastër, babai i mikrobiologjisë moderne, ka folur shumë mbi vetitë anti-septike, anti-mykotike dhe anti-virusale të hudhrës që prej vitit 1858. Hudhra madje përdorej për të mjekuar ushtarët e plagosur gjatë Luftës së Parë Botërore, për një shërim më të shpejtë të plagëve, veçanërisht nga ushtarët Britanikë.

Hudhra përmban një tip sulfuri i quajtur allicin, i cili çlirohet vetëm kur hudhra është e prerë apo e shtypur, sa më shumë të jetë e shtypur aq më shumë allicin çlirohet. Allicin-i ka veti të fuqishme antibiotike dhe kundër mykut. Hudhra gjithashtu përmban sasi të mëdha magnezi, vitaminë B6 dhe C, selen, fibra dhe 17 aminoacide që përbëjnë 75% të trupit të njeriut dhe janë esenciale për mirë-funksionimin e trupit. Hudhra ul tensionin dhe përmirëson nivelet e kolesterolit, gjë që ndihmon në përmirësimin e shëndetit të zemrës. Hudhra përmban anti-oksidantë që mund të ndihmojnë në parandalimin e sëmundjes Alzaimer. Hudhra gjithashtu njihet për efektin e saj në reduktimin e toksinave në trup.

Varëset e hudhrës mbrojnë fëmijët nga sëmundjet

Tani po ju tregoj eksperiencën e vendit tim për hudhrën. Shumë kopshte fëmijësh në Rusi, veçanërisht gjatë sezoneve me viroza, përdorin vetitë mjekësore të hudhrave në një mënyrë interesante dhe argëtuese, mënyrë të cilën gjithsesili mund ta provojë në shtëpi; merrni sferën e verdhe plastike që mban lodrat brenda vezëve kinder prej çokollate, bëni disa vrima në të dhe mbusheni me thelbinj hudhre, vendosini një rrip dhe më pas varjani fëmijëve këtë “varëse hudhre” gjatë ditës. Aroma e hudhrave ka veti antibiotike dhe mbron mjaft mirë fëmijët nga të ftohtat dhe gjendjet gripale. Kjo është një mënyrë shumë efikase tashmë që në Shqipëri ka ardhur sezoni i vjeshës dhe temperaturat në ulje pritet të kenë një efekt të menjëheshëm negativ në shëndetin tonë dhe veçanërisht te fëmijët, të cilët përgjithësisht e kanë sistemin imunitar më të dobët.

Fatkeqësisht Shqipëria nuk prodhon më hudhra si në kohët e shkuara. Shqipëria importon hudhra kryesisht nga Kina dhe Spanja. Spanja është prodhuesja më e madhe e hudhrave në Evropë, ndërsa Kina furnizon afro 80% të botës me hudhra. Hudhra kineze ka qenë prej shumë kohësh qendër e debateve në mbarë botën për arsye jo të mira, që fatkeqësisht na prekin edhe neve, konsumatorët në Shqipëri.

Hudhra kineze kritikohet shumë për cilësinë e saj. Së pari hudhra kineze përmban dekolorues me bazë klori për t’i dhënë artificialisht ngjyrën e bardhë. Kjo ndodh për arsye të shumta si përshembull për të luftuar nga insektet apo për të ndalur thelbinjtë të mbijnë. Së dyti hudhra kineze shpesh trajtohet me methyl bromide (kimikat toksik) për të larguar çdo tip kandrre apo insekti. Hudhra kineze shpesh është e kontaminuar me elementë të blozës dhe plumbit, sulfite apo elementë të tjerë të pasigurt, si rezutat i situatës së ndotur të mjedisit në Kinë. Së fundmi, hudhra kineze trajtohet me frenues të rritjes dhe qëndron në temperatura shumë të ulta, në mënyrë që të ruhet më gjatë, të mëndosh që duhet t’i rezistojë një udhëtimi tri javor në anije nga Kina në Shqipëri. Ruajtja për një kohë të gjatë është veçanërisht problematike pasi niveli i elementit magjik allicin, që e përmendëm më lart, fillon të bjerë me kalimin e kohës.

Fatmirësisht për ne, dallimi i hudhres kineze është i lehtë. Hudhra e ardhur nga vende të tjera, përfshirë vendin tim, ka përgjithësisht disa rrënjë të mbetura në fund, është më e rëndë se hudhra kineze dhe ka më shumë aromë e shije të fortë. Për të gjithë të apasionuarit ndaj bujqësisë ose për të gjithë ju që kujdeseni për produktet që konsumoni; vjeshta është koha më e mirë për të mbjellë hudhrat, në kopshtet apo edhe në shtëpitë tuaja. Të gjitha tipet e hudhrave kërkojnë një tokë të ujitur mirë dhe vende më diell, kushte që gjendet në mënyrë ideale në Shqipëri.

7 kuriozitete për hudhrën

1. Në Greqinë e lashtë, nuset mbanin buqeta me erëza dhe hudhra në vend të luleve për të trembur e larguar shpirtrat e djallëzuar

2. Gjatë periudhës së mësjetës hudhra përdorej si një kurë kundëralkolizmin dhe të ngrënit e tepruar

3. Emri i qytetit Çikago vjen nga fjala Indo-amerikane ‘Chicagaoua’, e cila fjalë për fjalë përkthehet hudhër.

4. Frika nga hudhra quhet alliumphobia

5. Aroma e hudhrës mund të hiqet nga duart duke fërkuar me to objekte hekuri në ujë të ngrohtë

6. Nëse keni probleme me insektet që dëmtojnë trendafilat, spruconi gjethet dhe lulet me ujë të përzjerë me hudhra të shtypura. Kjo mënyrë përdoret edhe kundër mushkonjave, pleshtave apo insekteve të tjera.

7. Sasinë më e madhe e hudhrave të ngrëna brenda një minute është 36 thelbinj dhe këtë rekord e vendosi Patrick Bertoletti në Illinois, SHBA, në 14 Janar 2012.

 

Agroweb sjell Shqipërinë me sytë e një Ruseje që jeton në Tiranë prej dy vitesh. Liana Suleymanova ka studiuar për histori në Universitetin Amerikan në Bullgari ku u njoh me Shqipërinë, e shkuara e të cilës e tërhoqi në mënyrë të veçantë. Interesi për këtë vend u zhvillua më tej gjatë studimeve master në Central European University në Budapest dhe në Akademinë Diplomatike në Vienë, ku ajo studioi në detaje historinë e Shqipërisë, veçanërisht periudhën nga sistemi komunist në demokraci.