Brezovica perla e bardhë e Kosovës

837 0

Në cilin vend të botës mendoni se është marrë foto e mësipërme, pyet gazeta New York Times mbi 1.1 milionë ndjekësit e saj në Instagram. Zvicër, Zelanda e RE, Francë, Austri janë disa prej përgjigjeve apo “Kudo që të jetë, unë dua të jem atje. Eshtë kaq e bukur” shkruan një tjetër. Ose thjesht “Ky qenka një vend përrallë”. Po ju a gjeni dot se ku ndodhet kjo bukuri e egër? Do t’ju japim një ndihmë të vogël. Eshtë afër. Shumë afër. Aq afër saqë po t’i hipësh makinës tani nga Tirana për rreth tre orë mund të gjendeni në këtë pjesë të vogël parajse. Mirëseerdhët në Brezovicë, Kosovë.

Foto e mrekullueshme që u komentua gjatë në faqen e NY Times e fiksuar nga aparati i fotografit Benny Islami shoqërohet nga një reportazh nga Tim Neville. Ai na çon në një udhëtim virtual në këtë pjesë të vogël mes malesh në Kosovë, një vend gati përrallor që po kthehet në destinacionin më të ri dhe më të lakmuar për turizëm dhe sport. “Ju me siguri që keni dëgjuar për Kosovën, por jo që në Kosovë mund të bësh ski”, shkruan Neville i ekzaltuar për një metër borë trashësi që ka veshur pothuajse të gjithë peisazhin.

Në mënyrë kronologjike, ai përshkruan traditën e skive në këtë pjesë të Kosovës dhe se si Brezovica arriti t’i mbijetojë luftës, por jo paqes. “Përgjatë viteve 2000, INEX ndërmarrja shoqërore serbe që menaxhoi vendin turistik, ndaloi së investuari në Brezovicë dhe çdo gjë filloi të shkatërrohej. Një nga hotelet kryesore, objekti i të cilit kishte formën e një prizmi, salla e diskotekës, të gjitha u bënë të ftohta. Një nga ashensorët nuk punonte dhe në vitin 2013 asnjëri prej tyre nuk ishte më funksional. Me këtë u shua edhe historia e vendit turistik”, shkruan Neville. Sipas prestigjozes amerikane “Brezovica është resorti më mbresëlënës jo funksional i Europës.”

Por kjo duket se do të zgjasë edhe për fare pak. Prillin e kaluar, një konsorcium francez ka nënshkruar një kontratë me Ministrinë e Tregëtisë dhe Industrisë në Kosovë për ta sjellë Brezovicën prapë në jetë. Plani ishte mjaft ambicioz sa dhe shumë vendas e panë me dyshim. “Një grupim firmash të mëdha në botë, për zhvillim turistik – PZHK Consulting, firma inxhinierike Egis dhe Compagnie des Alpes, kompania më e madhe e menaxhimit të zonave për skijim në botë duke përfshirë edhe ato zona të skive franceze si Val d’Isere, Tignes dhe Méribel – ranë dakord për të investuar gjysmë miliardë dollarë, rreth 410 milion euro, gjatë 17 viteve të ardhshme për ta bërë Brezovicën një nga zonat më të mëdha të skive në Ballkan”, shkruan New York Times, e cila pohon se ky është investimi më i madh privat në vend që nga lufta në Kosovë.

Pistat e skive do të shtrihen në një sipërfaqe prej më shumë se 3 mijë ha brenda një parku kombëtar. Numri i shtretërve në hotelet e kësaj zone do të shtohet nga 700 në 7000 – tri herë më shumë se ç’janë në dispozicion tani në gjithë vendin. Vizitorët do të kenë në shfrytëzim një zonë prej 160 kilometrash përgjatë shpateve të maleve. Dy aeroportet ndërkombëtare, ai i Prishtinës dhe i Shkupit janë vetëm 90 minuta larg Brezovicës. “Një ditë Brezovica mund të ofrojë një alternativë të mirë skish, me buxhet të përshtatshëm”, shkruan Neville.

Por sigurisht ka dhe shumë skeptikë, që ngrenë shumë pyetje. A mundet që vendi i vogël i cili kaloi nëpër luftë, të bëhet vendi më i madh i skive në Europë? A do të mund të jetë ndonjëherë një vendpushim gjigand për të tërhequr turistët? A do të ketë borë të mjaftueshme në këtë vend i cili gjendet në një planet të ngrohtë?
Para se të përpiqeni që të gjeni përgjigjet, të cilat koha do t’i tregojë, le t’i shijojmë këto peisazhe mahnitëse të këtij fshati të bukur turistik skish në Kosovë, që shumë shpejt mund të kthehet dhe në vendin më trend në Evropë për sport. Dhe përsa kohë të ketë bore, ka shpresë.