Rindezja e biznesit të duhanit

1.1k 0

Sa para do të jepnit për një pako cigare të pahapur për 75 vjet që daton që nga koha e Zogut? Po të jesh një duhanpirës normal mesiguri që asnjë kacidhe, por nëse je një koleksionist paguan edhe 12.50 Euro për një pako cigare që në atë kohë kushtonte 3.50 lekë. Kjo ndodhi pikërisht në vitin 2011, kur në një ankand online blerësit më të mirë iu shit një pako cigare “Vora” të prodhuar nga Musa Picari në vitet ’30.

Me të drejtë do të pyesni se çfarë kishte kaq speciale ajo pako me cigare? Me shumë gjasa asgjë të veçantë përveç faktit që kishte markën “Made in Albania”, çka duket se e bënte dhe shumë të kërkuar. Në vitet ’30 duhani ishte një biznes shumë i madh, me një industri që lulëzonte, me 19 fabrika, të përqendruara kryesisht në Shkodër dhe Durrës, por edhe në zonën e Gjirokastrës, Korçës dhe Tiranës.

Por, që nga ajo kohë kanë kaluar 80 vjet dhe nga industria e duhanit kanë ngelur vetëm batutat nga paketat DS, Partizani apo Porti i Kuq. Ndërkohë që gjithnjë e më pak fermerë po e prodhojnë këtë kulturë, në pamundësi për ta shitur jo me 12 euro, por as me 20 lekë kilogramin.

Biznesi i duhanit është djegur pothuajse deri tek filtri. Numri i fermerëve është zvogëluar shumë ndër vite. Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë në vitin 2015 janë prodhuar 17,352 kuintalë duhan, ose 2.000 kuintalë më pak se në vitin 2014.
Rënia i detyrohet shumë faktorëve, që nga rënie e kërkesës, çmimet e lira dhe mungesa e financimit, të cilat i kanë bërë fermerët që t’i largohen biznesit të duhanit. Pjesa më e madhe e bankave të nivelit të dytë në vend nuk ofrojnë finacim për prodhuesit e duhanit, duke i lënë fermerët në tym.

E gjendur përballë një biznesi inekzistent të prodhimit të duhanit, qeveria tani po përpiqet që ta rindezë duke i mbështetur fermerët me fonde dhe projekte. “Shqipëria ka traditë prodhimin e duhaneve dhe aktualisht në Shqipëri prodhohen duhane Orientale dhe gjysëm-Orientale. Për shkak të mungesës së kërkesës për këto tipe nga tregjet ndërkombëtare ka lindur nevoja e futjes së varieteteve të reja të duhaneve, që janë dhe më të kërkuara në tregjet e BE-së. si duhani Virginia përshembull”, thotë për AgroWeb, Gentian Selami, Drejtor i Agjencisë Kombëtare Duhan Cigareve në Ministrinë e Bujqësisë.

Sipas Selamit, kultivimi i duhaneve Virginia ka një kërkesë të fortë për fuqi punëtore dhe kërkon kujdes konstant dhe tepër korrekt, që nga pregatitja e tokës për mbjellje deri në shitjen e gjetheve bruto në treg.

Për t’i dhënë një shtysë kultivimit të kësaj kulture, qeveria italiane ka dhënë një fond prej 500.000 Euro në financimin e një projekti pilot të quajtur “La Filiera Tabacchicola Albanese”.

“Me anë të këtij projekti do të pajisemi me teknologjinë, makineritë e nevojshme për prodhimin e këtij tipi duhani. Pasi të bëhet eksperimentimi i farës dhe arritja e teknologjisë së lartë, ky varietet do t’u ofrohet fermerëve vendas për ta prodhuar. Përfitimet do te jenë më të mëdha për fermerët vendas, për shkak se ky varietet duhani ka më shumë rendiment, ka çmim më të lartë dhe ka kërkesë nga tregjet ndërkombëtare”, thotë Selami.

Fermerët lokalë do të kenë benefite më të mëdha, për shkak dhe të rritjes së kërkesës për këtë lloj duhani, që është shumë e lartë. “Ne duhet të investojmë në kultura që na bëjnë më konkurues dhe Virginia do ta rindezë prodhimin e duhanit në vend, duke qenë se ka gati një treg ndërkombëtar për të”, është shprehur më herët Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti.
Prodhimi vendas në mungesë të industrisë përpunuese shkon për eksport kryesisht drejt Kosovës. Po kështu ky prodhim mbulon edhe disa nevoja për konsum të duhanit pa përpunim në vend.

Ndërkohë që Shqipëria konsumon sasi të lartë cigaresh, duke thithur këtë produkt nga importi. Vëllimi i tregut të cigareve konsiderohet i lartë pasi Shqipëria është vendi i dytë në Evropë, pas Turqisë me përqindjen më të lartë të duhanpirësve në krahasim me popullsinë. Rreth 40% e popullsisë shqiptare është duhan-pirëse.

Por megjithëse konsumi i duhanit është i lartë dhe Shqipëria është një vend potencial i prodhimit të këtij produkti, tregu vijon të dominohet bindshëm nga importuesit. Koha kur Shqipëria kishte 19 fabrika përpunimi të duhanit, shumë fermerë që e kultivonin atë dhe më pak duhanpirës sesa sot, duket se ka perënduar. Në vitet ’30 duhani konsiderohej një biznes, ndërsa sot, është thjesht një mjet për njerëzit për të kaluar kohën duke i djegur paratë në tym.