Buka Klasike Franceze Në UNESCO – Receta Për Ta Përgatitur Në Shtëpi

878 0

Me siguri keni dëgjuar për baguetën franceze, një simbol i Francës sikundër është edhe Kulla Eiffel.

Së fundmi bukëpjekësit i kanë kërkuar qeverisë që së shpejti edhe ky produkt t’i bashkohet listës së thesareve kulturore të UNESCO-s.

Përfshirja në UNESCO do të mbronte teknikat dhe sekretet që përdoren për ta realizuar bukën e famshme, por edhe nga imitimet që mund të tentohen në vende të ndryshme.

Një dekret i qeverisë franceze i vitit 1993 tregon se bagueta tradicionale nuk duhet të bëhet nga asgjë tjetër, përveç katër përbërësve klasikë. Fermentimi i brumit duhet të zgjasë 15 deri në 20 orë në një temperaturë midis 4 deri në 6 gradë celsius.

Presidenti i federatës së bukëpjekësve shprehet  kjo traditë po kërcënohet nga rreziku i zhdukjes, pasi rreth 30 000 furra buke u mbyllën që nga vitet 1950, sepse supermarketet nisën që ta tregtonin vetë.

AgroWeb.org ju tregon një nga mënyrat e shpejta të përgatitjes së saj në shtëpi përmes recetës së mëposhtme.

Si ta përgatisni bukën e famshme?

Përbërësit

500g miell

320ml ujë

12g maja e thatë

1 lç kripë

Përgatitja

Filloni me përgatitjen e majasë natyrale duke përzierë 100g miell me 60ml ujë dhe majanë.

Kur të formoni brumin e hollë, lëreni të pushojë për të paktën 1 orë në një ambient të ngrohtë.

Kur të ketë kaluar koha, majaja natyrale do të jetë gati ndaj dhe shtoni ujin e mbetur, kripën dhe më pas miellin ngadalë.

Sigurohuni që brumi të jetë elastik dhe pa pore. Mbulojeni me një pecetë tasin ku keni future brumin dhe lëreni të pushojë edhe për një orë.

Tani AgroWeb.org ju këshillon që ta ndani brumin në katër pjesë.

Hapini me ndihmën e një petësi në petë drejtkëndore rreth 35cm të gjatë.

Tani mbështillini duke i rrotulluar në formën e cilindrit petët tuaja.

Vendosini shiritat në një pecetë të spërkatur me miell dhe lërini që të dyfishojnë madhësinë e tyre për një orë.

Pasi të ketë kaluar koha e nevojitur bëni disa prerje në sipërfaqen e bukëve dhe vendosini në tavë.

Piqini në furrë të ngrohur me 220gradë për 10 minuta, e më pas uleni temperaturën tek 200 gradë dhe piqini edhe për 15 minuta të tjera.

Tani ju mbetet vetëm t’i shijoni të ngrohta me të dashurit tuaj./AgroWeb.org