Bukë e Mbushur me Qepë dhe Djathë – Receta e Veçantë që Duhet të Provoni

239 0

Një recetë e veçantë me shije fantastike e cila shoqërohet me supa e sallata të ndryshme të stinës por edhe thjeshtë me djathë e dhallë të freskët.

Kjo recetë vjen nga amvisa Lulzime Gjyzeli.

PËRBËRËSIT 

700 gr miell tip 0

Ujë të vakët aq sa duhet

Kripë

20 gr maja birre

1 lugë të vogël mjaltë

2 lugë vaj ulliri

Për mbushjen:

2 qepë

300 gr djathë të bardhë

Rigon

PËRGATITJA

Përgatisim brumin: Miellin e kalojmë në sitë dhe e hedhim në një tas të madh. Majanë e fusim për 5 minuta në ujë të vakët që të shkrihet, më pas ja hedhim miellit dhe fillojmë ta punojmë mirë me dorë.

I hedhim kripën, mjaltin, vajin dhe mbarojmë ngjeshjen e brumit, shtojmë ujë nëse duhet, vazhdojmë duke e punuar mirë për rreth 10 minuta.

Brumin e provojmë nëse është I gatshëm duke e prekur me gisht dhe nuk formon vrimë por kthehet mbrapsht. Brumin e mbulojmë dhe e lemë të vijë në një ambient të ngrohtë.

Ndërkohë përgatisim mbushjen: Presim qepët dhe i kaurdisim mirë në një tigan me dy lugë vaj dhe pak kripë. Pasi të jenë zverdhur I heqim dhe hedhim me duar djathin e thërmuar dhe rigon.

Kur brumi të ketë ardhur jo plotësisht e marim dhe e hapim me duar, në mes hedhim mbushjen dhe e mbyllim, në këtë mënyrë (krijojmë një cep në fillim dhe nga cepi vazhdojmë mbylljen, në këtë mënyrë mbushja mbetet brenda dhe buka merr formën e vet).

E fusim në tepsi të lyer me shumë pak vaj dhe incizojmë me thikë prerje tërthorazi. E lemë të fryhet akoma. Ardhja e bukës duhet të jetë sa dyfishi I brumit fillestar. Ndezim furrën dhe e ngrohim në 250 gradë. Fusim bukën brënda vetëm kur furra të ketë arritur temperaturën.

Pas 10 minuta e ulim temperaturën në 200 gradë që të piqet mirë brënda. E lejmë 40 minuta. Buka është gati. Ju bëftë mirë./Kuzhinaime