Caprino Shkodre nga dhi spanjolle

574 0

Po ta shihje në rrugë, mund ta ngatërroje fare mirë me ndonjë ‘çun artist’ Shkodre nga ata të Kafes së Madhe. Shtatlartë, fizik i rregullt dhe me atë buzëqeshjen e një djali plangprishës. Por jo, jeta e Fabian Demit është krejt ndryshe. Ajo nis që herët në fakt. Që në 5.50 të mëngjesit ai është në këmbë. E zgjon meraku para alarmit. Pas një kafeje të shpejtë dhe një gote me qumësht dhie i duhen fare pak minuta për të mbërritur në fermën e tij.

Tri orët e para të ditës janë edhe më të ngarkuarat për Fabianin, ku të gjithë dhitë në fermën e tij të vogël në Barbullush duhet të milen, të ushqehen e pastrohen. Ndërkohë, për kecat kërkohet një trajtim tjetër, akoma më special. Eshtë njësoj si të kujdesesh për fëmijët e vegjël.

Vetëm se Fabiani ka shumë syresh: plot 200 dhi, të cilat kërkojnë kujdesin e tij të përditshëm. Dhe të mendosh që ai është një djalë qyteti, i lindur dhe i rritur në Shkodër, që nuk ka jetuar kurrë në fshat më parë. “Para disa vitesh, nëse do të më thonit se do bëhesha fermer, me siguri do kisha qeshur”, të thotë, ndërsa buzëqeshja e madhe i ravijëzon tiparet e buta, jo tipike për një fermer shqiptar.

Por vitet e emigrimit në Itali, duket se ia ndryshuan kursin. Puna në një fermë dhish në Kremona, Lombardi e bëri të apasionohej pas bujqësisë. Pas kthimin në vendlindje, ai vendosi të merrej seriozisht me këtë biznes, duke investuar të gjithë të ardhurat e tij. Demi e kishte të qartë se vetëm pasioni nuk mjaftonte në këtë punë dhe se rruga që kishte ndërmarrë do t’i shfaqte përpara shumë pengesa.

Njëra prej tyre do të ishte financimi, gjetja e të cilit do të ishte veçanërisht e vështirë për një biznes të ri dhe pa histori kreditimi si ajo e Fabianit. “Ajo ishte pjesa më e vështirë për t’u kapërcyer. Por falë mbështetjes së USAID dhe Projektit AgroCapital arrita t’ia dal në krye. Financimi është çelësi, pa të s’bën dot as dy hapa”.

AgroCapital e mbështeti Demin në marrjen e një granti dhe të një kredie prej 78,000 Dollarë amerikanë dhe mbulim prej 70% të normës së interesit të kredisë. Falë këtij granti, Fabiani ka arritur që të mjelë frytet e punës së tij, duke ndërtuar një baxho të vogël në Barbullush. “Kjo është gjithçka që mund të kërkoja. Ky grant është një ndihmesë shumë e madhe për biznesin tim”, thotë me entuziazëm Fabiani, i cili përpos shtimit të 200 krerëve dhi të racës spanjolle Murcia-Granada, së shpejti pritet të tregëtojë dhe djathin e tij Bio.

“Synimi është që në ditë të shkojmë me një prodhim prej 200-300 litra qumësht në ditë dhe të prodhojmë rreth 500kg djathë në javë. Do të jetë i gjithi Bio dhe kam besim se konsumatorët do ta pëlqejnë shumë”, thotë 35 vjeçari Fabian Demi.

Për pjesën më të madhe të të rinjve, bujqësia nuk shihet si një gjë “cool” apo aq më tepër atraktive. Djemtë e qytetit e shohin si një punë me të cilën rropatesh pa ndonjë të ardhur të mirë dhe pa ambicie për të bërë karrierë.

Por, historia e Fabian Demit na shfaq një panoramë krejt tjetër: atë të një sipërmarrësi të ri, i cili pa të ardhmen tek bujqësia. Dhe duket se ia vlejti./AgroWeb.org