Katër Ekzotiket Natyrale

352 0

Lista e super ushqimeve dhe produkteve të mira për shëndetin e njeriut është e pasur. Në këtë listë gjen edhe produkte si kokrrat Acai dhe Goji, farat Chia dhe vajin e arrës së kokosit, të famshme për vlerat superiore ushqyese. Nëse nuk keni dëgjuar për to, më lejoni t’ju them që këto produkte kanë shkaktuar stuhi të vërtetë nëpër botë. Njerëz të famshëm dhe të thjeshtë i konsumojnë shumë ato për shkak të vlerave ushqimore, vitaminave dhe mineraleve. Duke qenë se këto “super ushqime” janë bërë mjaft popullore edhe në Shqipëri, AgroWeb vendosi të japë informacion në lidhje me vlerat ushqimore të kokrrave, farave dhe vajit dhe t’u sugjerojë lexuesve mënyra më të thjeshta dhe më të përballueshme financiarisht për të përftuar këto vlera. Mësoni më poshtë për famën e këtyre produkteve.

Kokrrat Goji 

Kokrrat Goji me ngjyrë të kuqe/portokalltë të errët rriten kryesisht në Azi. Kokrrat shiten pas tharjes. Thuhet që këto kokrra kanë më shumë vitaminë C se sa portokallet dhe 15 herë më shumë hekur se spinaqi. Për më tepër, kokrrat Goji përmbajnë të gjitha amino acided e vlefshme dhe kanë përqendrimin më të lartë të proteinës se çdo frut tjetër. Sidoqoftë, kokrrat Goji nuk janë të këshillueshme për personat që kurohen nga sëmundja e diabetit, apo marrin medikamente për uljen e tensionit të gjakut, ose hollues gjaku si varfarina. Një zëvëndësues i mirë i kokrrave Goji janë boronicat e thata. Në krahasim me kokrrat Goji, boronicat e thata janë më modeste në aspektin e vlerave ushqimore, megjithatë ato fuqizojnë sistemin imunitar, kanë përmbajtje të lartë anti oksidante dhe reduktojnë rreziqet e infeksioneve urinare.

Kokrrat Acai 

Kokrrat Acai, një frut i vockël me ngjyrë të purpurt rriten në palmat e Amazonës. Këto kokrra shiten të ngrira ose i shtohen lëngjeve të tjera të frutave dhe kombinimeve të lëngshme të perimeve dhe frutave. Kokrrat Acai kanë të gjitha vlerat antioksidante që mund të kenë edhe fruta të tjera të vogla, por ato ndihmojnë me tretjen, forcojnë metabolizmin dhe ulin kolesterolin. Megjithatë studimet për kokrrat acai janë disi të kufizuara.

Kaça ose trëndafili i egër është një alternativë shumë e mirë e kokrrave Acai. Brezi i vjetër beson që kaça ose trëndafili i egër shëron të gjitha sëmundjet. Vlerat e tyre ushqimore në fakt janë të provuara. Ato kanë përmbajtje të lartë të vitaminës C dhe si rrjedhojë forcojnë sistemin imunitar, lehtësojnë dhimbjet e sëmundjeve të veshkave, ndihmojnë në problemet e jashtëqitjetes dhe kurojnë simptomat e artritit reumatik.

Farat Chia

Këto fara të vogla të zeza vijnë nga Amerika Jugore. Janë të pasura me fibra, proteina dhe acidet yndyrore Omega 3, por përmbajnë edhe vitamina B1, B2, B3 si dhe zink dhe potas. Farat janë natyralisht të pastra nga gluteni. Farat mund të shoqërohen me kos, sallatë, puding etj, sepse kanë cilësi të jashtëzakonshme në thithjen e lëngjeve. Këto fara nuk kanë një shije specifike, ndaj mund të përfshihen në dietën tuaj lehtësisht.

Fara e linit është një alternativë më e lirë por jo me vlera më të pakta ushqimore. Ato janë të pasura me fibër, acide yndyrore Omega 3 si dhe proteina, vitaminë B1, magnesium, fosfor dhe selenium. Dy lugë gjelle me fara lini përmban 4 gramë fibër ndërkohë që farat Chia përmbajnë 5 gramë fibër.

Të dyja këto fara kanë vlera anti bakteriale dhe antivirale. Ato ndihmojnë në uljen e kolesterolit, për jashtëqitjen dhe hidratimin e lëkurës dhe flokëve.

Vaji i Arrës së Kokosit

Vaji i Arrës së Kokosit ka efekte të jashtëzakonshme për lëkurën dhe flokët. Ai shërben si ushqyes i efektshëm i lëkurës dhe trajton shumë probleme të saj, siç janë dermatiti apo ekzema. Vlerat ushqimore të vajit të arrës së kokosit janë gjithashtu të provuara. Ky vaj ka një nivel të lartë të yndyrnave të ngopura e si rrjedhojë ndihmon për të parandaluar problemet e zemrës. Vaji përmban 50% të acidit laurik që ndihmon në uljen e nivelit të kolesterolit dhe tensionit të lartë të gjakut. Së dyti, studimet kanë treguar që vaji i arrës së kokosit ndihmon në rënien e shëndetshme nga pesha, dhe në funksionimin normal të tiroides dhe gjendrave endokrine. Së treti, vaji është shumë i fuqishëm në mbrojten e trupit nga bakteret dhe myku. Forca e tij njihet edhe në kurimin e pankreasit, problemeve të jashtëqitjes etj. Nëse përdoret në gatim, vaji i arrës së kokosit ndihmon në luftimin e infeksionit të kandidës që rritet në stomak dhe shkakton inflamacion.

Vaji i ullirit është alternativa e duhur për t’u përdorur në vend të vajit të arrës së kokosit, dhe kjo nuk përbën ndonjë çudi. Vaji i ullirit ndihmon në reduktimin e rreziqeve që vijnë nga sëmundjet e zemrës, nivelit të lartë të sheqerit dhe insulinës në gjak. Pranohet botërisht që njerëzit që përdorin vaj ulliri ose vaj arre kokosi në dietën e tyre ushqimore janë ndër njerëzit më të shëndetshëm në planet.

Përfundim

Edhe pse produktet e lartpërmendura kanë vlera superiore ushqimore këshillohet që të mos perceptohen si zgjidhja e vetme ndaj të gjitha sëmundjeve dhe mbi të gjitha, si zëvëndësues të ushqimit të shëndetshme. Kjo e fundit bazohet kryesisht në larmishmëri, vetë përmbajtje dhe balancë. Super ushqimet janë një suplement shtesë i të ushqyerit të përditshëm.

Shqiptarët janë njerëz me fat. Shega zakonisht kryeson listën e super ushqimeve për vlerat e mëdha anti oksidante që mbrojnë zemrën, për vitaminën C dhe K, vlerat anti inflamatore etj. Për të gjithë ata që janë skeptikë për të provuar frutat ekzotike që janë kthyer në modë, AgroWeb ju këshillon t’i qëndroni besnik shegës së vjetër dhe të mbani sëmundjet larg. Urojmë të jeni sa më të shëndetshëm!/AgroWeb.org/

 

*Agroweb sjell Shqipërinë me sytë e një Ruseje që jeton në Tiranë prej dy vitesh. Liana Suleymanova ka studiuar për histori në Universitetin Amerikan në Bullgari ku u njoh me Shqipërinë, e shkuara e të cilës e tërhoqi në mënyrë të veçantë. Interesi për këtë vend u zhvillua më tej gjatë studimeve master në Central European University në Budapest dhe në Akademinë Diplomatike në Vienë, ku ajo studioi në detaje historinë e Shqipërisë, veçanërisht periudhën nga sistemi komunist në demokraci.