Certifikimi i Markës – Procedurat Që Duhet Të Ndiqen

403 0

Bizneset e kanë kuptuar rëndësinë e certifikimit të markës kombëtare brenda standardeve ligjore që njihen botërisht.

Certifikimi i markës e bën më të lehtë shitjen e produkteve dhe e bën produktin “Made in Albania” jo vetëm të ketë vlerë në treg, por i rrit prestigjin edhe Shqipërisë.

Viti 2020 shënoi një rritje të numrit të aplikimeve për regjistrim marke nga subjektet shqiptare. Konkretisht në këtë vit u lëshuan 1115 çertifikata për marka kombëtare, ndërkohë aplikuan për certifikatë për markë kombëtare 1164 subjekte.

Procedura e regjistrimit të markave, nuk është një detyrë e vështirë.

Kërkimi për marka tregtare

Mjaft tregtarë nuk e kuptojnë rëndësinë e kërkimit të markave tregtare. Të pasurit e një emër unik të markës, nuk është e mjaftueshme për të mënjanuar kërkimin për marka. Kërkimi të ndihmon të dish nëse ka marka të ngjashme, të jep një pamje të saktë të vendit që zë marka jote – e ndonjëherë të paralajmëron për mundësinë e konflikteve gjyqësore në të ardhmen. Pse të shpenzosh para në procesin e zgjatur në kohë të konflikteve kur mund ta shmangësh që në fillim?

Aplikimi për markë tregtare

Pasi je siguruar që marka jote e zgjedhur nuk është listuar në Regjistrin e Markave mund të aplikosh për regjistrim . Hapi i parë është të depozitosh një aplikim në Drejtorinë e Përgjithshme të Patentave dhe Markave.

 Ekzaminimi

DPPM-ja, brenda tre muajve nga data e depozitimit të aplikimit për regjistrimin e një marke, ekzaminon nëse marka, përveç përmbushjes së kërkesave formale, është në përputhje edhe me kërkesat e ligjit mbi refuzimin për shkaqe absolute. Ky lloj ekzaminimi kryet me iniciativën e Drejtorisë dhe nëse marka nuk ka shkaqe absolute për refuzim kalon në fazën tjetër, që është publikimi. Nëse jo, regjistrimi i markës refuzohet.

Publikimi

Peridha e publikimit, parashikohet nga legjislacioni si mjet në favor të subjekteve që kundërshtojnë, për shkaqe relative regjistrimin e markës në fjalë. Kundërshtimi ndaj një marke të publikuar depozitohet në DPPM brenda një periudhe tremujore nga data e publikimit, kundrejt pagesës së tarifës përkatëse. Çdo palë ka të drejtë të marrë pjesë në procedurën e kundërshtimit, si dhe të paraqesë argumentet e veta, me gojë ose me shkrim, brenda një periudhe kohore, të caktuar nga Bordi apelimit pranë DPPM.

Certifikata e regjistrimit

Pas procesit të publikimit, nëse procesi i aplikimit ka ecur në rregull, Drejtoria fton aplikantin të bëjë pagesën e tarifës së regjistrimit dhe i lëshon pronarit të markës, me vulën e saj, çertifikatën e Regjistrimit.

Rinovimi

Marka tregtare mund të rinovohet përjetësisht, çdo 10 vjet. Rrjedhimisht mbrojtja e markës tregtare është e përhershme./Burimi:Atsh