COVID-19 Mund t’i Japë Shtysë të Papritur Prodhimeve Organike

186 0

Një raport nga Mckinsey sugjeron që pandemia po ndikon në zakonet e ngrënies dhe mënyrën e përgjithshme të jetesës së konsumatorëve evropianë, të cilët po ndryshojnë dietën e tyre për t’u përqendruar më shumë në shëndetin dhe qëndrueshmërinë.

Kjo reflektohet në shitjet më të larta se mesatarja e produkteve ushqimore organike. Prodhuesi spanjoll organik i vajit të ullirit, María Miró Arias, thotë se shitjet e saj në internet dhe private janë rritur me më shumë se 40% në muajt e fundit. Ajo thotë se kompania e saj ka të ngjarë të mbarojë stokun gati katër muaj më herët sesa pritej.

Unë mendoj se ka më shumë vetëdije për produktin vendas. Njerëzit kanë zhvilluar ndjeshmëri për dyqanet e vogla dhe kanë zhvilluar një interes për prodhimin organik,” thotë Arias. “Ata duan të kujdesen më mirë për veten dhe duan të ushqehen më shëndetshëm.”

Ferma Ekologjike

Shitjet u rritën gjithashtu për Las Pencas, një fermë ekologjike në jug të Spanjës. “Ishte pothuajse e frikshme, sa shpejt lulëzoi,” thotë menaxherja e fermës Serafina Donatella Zanca. “Unë mendoj se njerëzit donin të ushqeheshin më shëndetshëm në mes të asaj që po ndodhte.”

Fermerët spanjollë mund të përfitojnë veçanërisht nga rritja e kërkesës evropiane për ushqim të shëndetshëm. Kjo sepse Spanja është një nga eksportuesit kryesorë të ushqimit të BE-së dhe ka tokën më të madhe  kushtuar bujqësisë organike në Evropë.

Ushqimi i Shëndetshëm

Entuziazmi në rritje për ushqim të shëndetshëm po ndihet në të gjithë industrinë. Sipas Joan Mir, Drejtori Menaxhues i një prej kooperativave më të mëdha ushqimore të Spanjës, ANECOOP, ka pasur një rritje të konsiderueshme të produkteve të perceptuar si ushqime që përmirësojnë sistemin imunitar, të tilla si frutat agrume dhe perime të caktuara.

Eksportet e frutave dhe perimeve të freskëta nga Spanja u rritën me 3.6% në vëllim gjatë marsit, krahasuar me muajin paraardhës, sipas të dhënave doganore nga Ministria Spanjolle e Ekonomisë./Panorama