COVID-19 Po Përhapet Në Heshtje Më Shumë Seç Mendohej  

304 0

Një studim i ri i fundmajit të cilit i referohet AgroWeb.org nënvizon faktin se numri i njerëzve të prekur nga COVID-19 por asimptomatikë po rritet në mënyrë sistematike.

Studimi i publikuar në revistën Thorax u përqendrua tek pasagjerët e një anijeje turistike që në fillim të marsit ishte nisur nga Argjentina për një tur 21 ditor në Antarktik.

Në anije ndodheshin 128 pasagjerë dhe 95 anëtarë të ekuipazhit.

Udhëtimi nisi pasi Organizata Botërore e Shëndetësisë e pat deklaruar COVID-19 një pandemi globale.

Çfarë Ndodhi Në Anije Gjatë Udhëtimit?

Të gjithë pasagjerët iu nënshtruan një protokolli strikt. Atyre iu mat temperatura përpara imbarkimit dhe në bord kishin të gjithë disinfektantët dhe elementët kryesorë të higjenës.

Rasti i parë i COVID-19 u njoftua 8 ditë pas nisjes së udhëtimit.

Pasagjerët u karantinuan në kabinat e tyre dhe çdo punonjës që kishte qenë në kontakt me një person të infektuar duhet të vishte veshje mbrojtëse.

Në ditën e 13-të, anija mbërriti në Uruguaj ku 8 persona u desh të shtroheshin në spital.

Në ditën e 20-të, të gjithë pasagjerët u testuan për koronavirus dhe u zbulua se më shumë se gjysma e 217 personave në bord ishte e infektuar por asimptomatike.

Kjo histori nxorri në pah rëndësinë e dy aspekteve: testimit të dytë dhe faktit që COVID-19 nuk shkakton simptoma tek disa njerëz.

Bazuar në këtë studim, pretendimet e bëra në mars nga Organizata Botërore e Shëndetësisë se vetëm 1% e njerëzve mund të jenë asimptomatikë, janë të mangëta.

Rreziku që një pjesë më e madhe e popullësisë së globit mund të jetë e infektuar me COVID-19 por të jenë asimptomatikë është shumë i madh./AgroWeb.org