Kungulleshka me Vezë të Pjekura në Furrë

699 0

Një recetë sa e thjeshtë për t’u përgatitur, aq edhe e lehtë për organizmin.

Stina perfekte për ta shijuar atë është pikërisht vera, pasi ushqimet duhet të jenë të lehta për t’u tretur nga stomaku ynë.

Kombinimi i vezëve me kungulleshkat dhe lulet e tyre krijon pikërisht këtë; një pjatë perfekte vere.

Në vetëm 30 minuta ju do të kënaqni familjarët tuaj me një shije unike e cila do të kthehet në të preferuarën tuaj.

Përbërësit

8 vezë

100g djathë kaçkavall

500g kungulleshka të vogla bashkë me lule

Trumzë

Piper i zi

Kripë

10ml vaj ulliri

Përgatitja

Për të përgatitur këtë recetë AgroWeb.org ju këshillon që të nisni me larjen e kungulleshkave.

Nëse i keni blerë bashkë me lulet atëherë mjafton që t’i këpusni dhe të largoni fijet e pistilave.

Lulet futini në një tas me ujë të ftohtë dhe lajini lehtë që të mos i prishni.

Më pas kur të keni larë edhe kungulleshkat, thani çdo gjë me letër kuzhine për të vazhduar me hapin tjetër të recetës.

Kungulleshkat duhet t’i prisni në feta sa më të holla rrethore.

Kur të keni mbaruar me prerjen e të gjitha kungulleshkave lërini në një enë dhe vazhdoni me përgatitjen e vezëve.

AgroWeb.org ju sugjeron që t’i thyeni të gjitha në një enë të thellë dhe t’i rrihni me telin e kuzhinës.

Shtoni aty djathin kaçkavall të grirë, trumzë, piperin e zi, kripën dhe vajin e ullirit.

Rrihini mirë vezën në mënyrë që e bardha me të verdhën të formojnë një masë homogjene.

Tani shtoni fetat e kungulleshkave të prera dhe përziejini me ndihmën e një spatule.

Në fund e kanë radhën lulet e kungullit, pasi të keni përzierë mirë përbërësit masa është gati për t’u kaluar në tavën e pjekjes.

Sigurohuni që të lyeni me vaj ulliri sipërfaqen e tavës dhe më pas të hidhni aty masën e përgatitur me vezë dhe kungulleshka.

Futeni tavën në furrë të ngrohur me 200 gradë dhe piqeni për 30-40 minuta ose derisa të shihni që sipërfaqja të ketë marrë ngjyrë të artë.

Pasi të jetë pjekur mjafton që ta lini të ftohet pak dhe më pas ta shërbeni./AgroWeb.org