Debatet mbi vaksinat – Plani si do përdoren në Shqipëri “AstraZeneca” dhe “Pfizer”

303 0

Fundi i këtij muaji pritet ta gjejë vendin tonë me 180 mijë doza vaksinash të premtuara, nga të cilat 40 mijë nga “Pfizer”-i gjerman dhe 140 mijë të tjera nga “AstraZeneca”, e prodhuar në Korenë e Jugut. Për këtë të fundit ka rezerva pasi disa shtete europiane ia mbyllën derën dhe kufizuan përdorimin e saj te njerëzit mbi moshën 65 vjeç, me argumentin se nuk ka të dhëna të mjaftueshme.

Ndonëse nuk është në kushtet për të zgjedhur, Shqipëria mendon ndryshe.

Sipas ekspertëve vendas, të dy vaksinat janë të aprovuara dhe nuk ka vend për shqetësim.

“Studimet klinike që bëhen, edhe në rastin e ‘AstraZeneca’-s nuk kanë thënë nuk përdoret, por efektiviteti dhe numri i personave që kanë marrë pjesë në studimet klinike ka qenë më i madh nën moshën 65 vjeç”, deklaron shefja e Institutit të Shëndetit Publik, Albana Fico, e cila kur shpjegon mënyrën se si do të përdoren të dyja vaksinat në popullatë, e bën diferencën.

“Me pa diskutim do të ndjekim planin tonë të vaksinimit që ka grupet e prioritizimit, duke marrë parasysh edhe llojin e vaksinës”.

Në të njëjtën linjë shprehet edhe Erida Nelaj, përgjegjëse e programit të vaksinimit, duke këmbëngulur se “AstraZeneca” është e sigurt dhe e certifikuar për përdorim.

“COVAX ka planifikuar sasitë e para të vaksinës, që do të jenë ‘AstraZeneca’ dhe ky është me të vërtetë një lajm shumë i mirë për ne, pasi ne jemi pjesë e iniciativës dhe presim të furnizohemi si vendet e tjera.

Fakti që ‘AstraZeneca’ është regjistruar nga EMA, përdoret në shumë vende të Bashkimit Europian, përdoret gjerësisht në Angli, nuk na pengon ne ta vazhdojmë ta përdorim këtë vaksinë. Madje, jemi shumë të kënaqur që do të vijë”.

Por si do të përdoren sasitë e premtuara brenda muajit për të ardhur në Shqipëri?!

Sipas Nelajt, bluzat e bardha mbeten prioritet. Nuk kanë përfunduar ende ata të spitaleve Covid, për të vijuar më tej me spitalet rajonale dhe personelin në qendra shëndetësore.

Vetëm pasi të ketë përfunduar ky cikël, procesi i vaksinimit do të zbresë në popullatë duke filluar nga moshat e treta e më poshtë, në varësi të disponueshmërisë së vaksinave.

Të sëmurët kronikë, sidoqoftë do të jenë në fokus./Burimi:Panorama