Dëmet që Po i Shkaktohen Detit Nga Nxjerrja e Jashtëligjshme e Daterit

1.4k 0

Në internet të huajt që kalojnë pushimet në Shqipëri mes mijëra vlerësimeve që bëjnë për klimën, detin e ushqimin nuk harrojnë tek tuk të specifikojnë edhe konsumin e daterit.

Dateri është një lloj midhje e ndaluar për t’u konsumuar jo vetëm në vendin tonë por edhe më gjerë për shkak të riskut që i kanoset.

Nuk është e jashtëzakonshme që edhe pse i përjashtuar nga lista, daterin mund ta gjesh në menutë e restoranteve në gjithë bregdetin shqiptar dhe jo vetëm.

Kontolli i Lartë i Shtetit në një auditim që ka bërë lidhur me detet, ndotjen e tyre dhe situatën  e përgjithshme ndalet edhe tek kjo pikë.

Dëmet në mjedisin nënujor

Sipas KLSH-së vjelja dhe tregtimi i kësaj lloj midhje, (lat.Molusku lithofaga) apo ai që njihet ndryshe dhe me emrin dateri, e dëmton shumë mjedisin nënujor, shkëmbinjtë gëlqerorë dhe brezin koralor të vendit.

“Ky fenomen konstatohet në masë të gjerë në subjektet që ushtrojnë aktivitetin kryesisht në Vlorë por edhe në qytetet e Durrësit, Lezhës Sarandës pa përjashtuar Tiranën si kryeqytet megjithëse nuk ka det ato sillen nga vendet bregdetare.

Shpesh prezenca e këtij produkti deti në menu justifikohet si jo i vjelë në bregdetin Shqiptarë, por i importuar nga vende të tjera si Greqia etj., gjë e cila duhet verifikuar nga institucionet kompetente” thuhet në raportin e auditimit.

I njëjti dokument vlerëson se  nxjerrja e kësaj midhje nga fundi i detit të ujërave të bregdetit tonë sjell dëmtimin në mënyrë të pakthyeshme të shkëmbinjve koralore ku kjo specie rritet.

Aq më tepër që për kryerjen e këtij procesi përdoren lëndë plasëse, prandaj nevojitet marrja e masave të menjëhershme dhe kërkimi i bashkëpunimit nga të gjitha institucionet shtetërore, për zbatimin e ligjit që ndalon sikurse në gjithë Evropën gjuetinë dhe tregtimin e këtij lloj molusku.

“Kjo lloj guaskë midhje është e ndaluar me ligj të konsumohet, si në Shqipëri ashtu edhe ne vendet evropiane, për shkak të problematikave që shkakton nxjerrja e tij, duke qenë se dëmtohen në mënyrë të pakthyeshme shkëmbinjtë koralor” nënvizon KLSH.

Kultivimi i Peshkut në Det

Tjetër element që ka marrë në analizë auditimi është ai për lejet që jepen nga autoritetet shtetërore lidhur me kultivimin e peshkut në det, ku subjekte të caktuara ngrejë struktura të dedikuara.

Kjo sipas KLSH krijon ndotje në fundin e detit pasi ushqimi që përdoret nga këto lloj subjektesh për peshqit ka sasi të lartë yndyre.

“Ndotjet në fundin e detit vijnë edhe nga ushtrimi i aktivitetit të kultivimit të peshkut në det nga mbetjet që krijohen në fundin e detit.

Vlen të theksohet se në bazë të informacioneve të marra kultivuesit e këtyre peshqve përdorin ushqime me më shumë yndyrë që peshku të rritet shpejt gjë e cila krijon shumë mbetje në fund të detit duke e dëmtuar shumë fundin e tij.

Prandaj është e mira që rezervate të tilla përpara se të jepen lejet përkatëse të ndërtohen në zona mirë studiuara dhe ku ujërat të lëvizin apo të ketë rryma detare dhe jo në gjire të mbyllura sepse i dëmtojnë ato” shprehet KLSH./AgroWeb.org