Rritja e Çmimeve Në Farmaci – Tatimet Kontroll Në Të Gjitha Pikat

490 0

Pas shqetësimeve të fundit të ngritura lidhur me rritjen e çmimeve të disa produkteve farmaceutike, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka ushtruar kontrolle pranë farmacive dhe depove farmaceutike në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.

Agjencia Telegrafike e Lajmeve bën të ditur se gjatë kontrollit të Tatimeve të datës 28 dhe 29 shkurt, strukturat e hetimit tatimor, gjatë monitorimit në terren kanë kryer në total 98 verifikime ku janë konstatuar 25 shkelje.

Gjatë këtij kontrolli, janë konstatuar 8 mallra pa faturë tatimore; 4 raste për moslëshim kuponi tatimor, 2 raste për mosafishim liste çmimi për biznes të vogël, 1 rast për mosafishim liste çmimi për biznes të madh si dhe 2 raste për referim hetimi.

Sipas ATSh, të cilës i referohet AgroWeb, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve në ditët në vazhdim do të vijoj me kontrollet dhe do të jetë gjithmonë në krah të biznesit të ndershëm, duke treguar zero tolerancë ndaj shkelësve të ligjit.

Reagimi i Urdhrit të Farmacistëve

Ditët e fundit qytetarët kanë ngritur shqetësimin për rritjen e çmimit të maskave dhe dezinfektantëve në të gjitha farmacitë e vendit.

Në lidhje me këtë problematikë ka reaguar për mediat kreu i Urdhrit të Farmacistëve të Shqipërisë, Diana Toma, e cila shprehet se rritja e çmimeve ka ardhur për shkak të furnizuesve të farmacive.

“Ditët e fundit është vënë re një rritje e çmimit të maskave, kjo si pasojë e rritjes së furnizuesve. Faturat e subjekteve nga importues shpërndarësit drejt subjekteve farmaceutike kanë pasur çmime të tjera”, deklaroi Diana Toma.

Një arsye tjetër që ka ndikuar në rritjen e çmimeve të maskave sipas kryetares së Urdhrit të Farmacive është edhe shkaku se Kina, që është eksportuesi më i madh i këtyre produkteve ka ndaluar eksportin për shkak të koronavirusit.

“Koronavirusi në fillim goditi Kinën dhe u ndërprenë marrëdhinet jo vetëm të prodhimit, por edhe të furnizimit. Vendet e rajonit janë pak a shumë në të njëjtën situatë të mungesës sikundër ne dhe kanë gjetur mundësi të furnizimit duke shfrytëzuar furnitura të vendeve të rajonit”, u shpreh Diana Toma për abcnews.

A do të ulen çmimet?

Por a do ketë një ulje të çmimeve për maskat dhe produktet që shërbejnë për parandalimin e simptomave të gripit apo sëmundjeve të ngjashme?

“Problemi i çmimit varet drejtëpërdrejtë më marrëdhënien e importit që do realizohet me vendin prodhues, apo me gjetjen  e mundësive të importeve nga vendet e tjera kundrejt një çmimi tjetër”, tha Toma.

Pas shqetësimit të qytetarëve edhe Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet për çmimet abuzive me maskat dhe produktet dezinfektantë nëpër farmaci.