Diabetikët, Grup Në Rrezik Nga Koronavirus – Këshillat Që Japin Mjekët  

453 0

Një kategori e rrezikuar për t’u prekur nga koronavirus, janë personat që vuajnë nga diabeti.

Për t’u informuar më shumë, për këshillat se si duhet të veprojnë personat me diabet, ndiqni intervistën me mjekun endokrinolog, Prof.Ass. Florian Toti.

Dritare.net:  A janë më të rrezikuar diabetikët nga koronavirusi?

Doktor Florian Toti: Pjesa e  popullatës diabetike, futet te popullata me risk të lartë. Por sidoqoftë, vetëm se je me diabet, nuk nënkupton që ke risk të lartë. Një njeri që është 20 apo 30 vjeç, ka pothuajse të njëjtin risk, siç ka edhe pjesa tjetër.

Problemi qëndron te moshat mbi 70 vjeç, që kanë diabetin, hipertensionin, sëmundjet e zemrës apo sëmundjet e tjera. Këtu situata ndërlikohet më tepër.

Çdo gjë është në varësi të situatës së përgjithshme, sa më shumë probleme shëndetësore të kesh aq më i rriskuar je për t’u prekur. Sigurisht edhe të moshuarit janë ata që kanë rrezik më të lartë për t’u prekur.

Dritare.net: A shfaqin shenja të tjera ndryshe, diabetikët nëse infektohen me koronavirus?

Doktor Florian Toti: Jo shenjat janë të njëjta. E veçanta e këtij gripi, është që nuk ka temperatura shumë të larta. Prandaj një pjesë e të infektuarve diagnostikohen me vonesë. Shenja më kryesore që ka është lodhja e tepërt. Ndjen një lodhje të madhe të pashpjegueshme. Ndërsa temperatura nuk është shumë domethënëse. Nga ana tjetër, kolla është e pranishme që në fillim. Ndryshimi nga një grip i zakonshëm, është se nuk ka sekrecione nga hundët.

Duhen patur parasysh këto shenja. Pra, nëse keni temperaturë të lartë në fillim, me sekrecione nga hundët, probabiliteti që jeni të infektuar me koronavirus, është më i vogël.

Nuk ka ndonjë shenjë specifike te diabetikët, përveç këtyre. Problemi qëndron se ata që janë të sëmurë me diabet, janë kryesisht moshat e mëdha. Ata kanë edhe patologji të tjera shoqëruese, dhe kjo e rëndon situatën.

Sidomos nëse kanë edhe probleme pulmonare. Por diabetikët sigurisht futen te popullatat e rriskuara, qoftë edhe për t’u prekur nga një grip i zakonshëm.

Një nga këshillat që dua të jap, le të vlejë edhe për vitet në vijim, është vaksinimi (vaksina e gripit), që kur fillon periudha e vaksinimit. Që nga shtatori apo tetori, duhet të vaksinohen. Nëse janë të vaksinuar, edhe problemet pulmonare kalojnë më lehtë.

Dritare.net: A ka shumë diabetikë në vendin tonë?

Doktor Florian Toti: Jo më larg se javën e kaluar në bëmë një aktivitet me Institutin e Shëndetit Publik, për të shtuar sensibilizimin ndaj problematikës me pacientët me diabet, ku në vaksinimet e përgjithshme, që nga 2015 e në vijim, pacientët me diabet zinin më pak se 10% të totalit të të vaksinuarve.

Është relativisht një shifër shumë e ulët, pasi në botë shkon nga 30 deri në 70%.

Dritare.net: A duhen të marrin ata që janë të sëmurë me diabet ilaçe të tjera shtesë?

Doktor Florian Toti: Ajo që rekomandohet  dhe është shumë e rëndësishme, është që personat që janë të sëmurë me diabet, të kenë rezerva të ilaçeve që përdorin.

Pasi kjo situatë nuk i dihet sa mund të zgjasë. Duhet të kenë edhe rezerva të fijeve, që të shtojnë kontrollin e glicemisë, sepse edhe një virozë e thjeshtë, mund t’i sjelli çrregullime të diabetit.

Këshillë e përgjithshme është padyshim higjiena, larja e shpeshtë e duave, të mbajnë distancën me njerëzit, të shmangin kontaktet fizike.

Nëse dikush në shtëpi është i sëmurë me grip, t’i qëndrohet sa më larg. Të heqim dorë nga vizitat, do të kemi kohë për t’i rikuperuar të gjitha. Shmangni ambientet që janë me shumë njerëz.

Janë shumë të domosdoshme të gjitha masat që janë marrë, pasi siç duket në këtë situatë nuk mjafton vetëm sensibilizimi.  Respektimi i këtyre masave, në dukje të thjeshta, sjell një parandalim të madh përhapjes së virusit.

Dritare.net: Çfarë duhet të konsumojnë në këtë kohë diabetikët?

Doktor Florian Toti: Përsa i takon konsumit, frutat janë kryesore. Por personat me diabet, duke qenë se kanë edhe shifrat e sheqerit të larta, 2 deri në tre porcione frutash mund t’i përdorin.

Në këtë periudhë, unë rekomandoj që të konsumojnë frutat që kanë vitaminë C, që janë agrumet, limoni, portokallet, mandarinat. Do të përmendja këtu edhe kivin,  që ka tepër vitaminë C.

Dritare.net: A duhet të dalin ata në natyrë?

Virusi në natyrë, sidomos nëse janë temperaturat e larta nuk do t’ia dalë të mbijetojë. Por temperaturat nuk janë ende në këto nivele.

Nëse ne jemi në vende që nuk ka shumë njerëz, edhe mund të dalim. Por nëse turremi të gjithë të Liqeni, apo në vende me shumë njerëz, rreziku i përhapjes është shumë i madh.

Është shumë e rëndësishme, dhe ia vlen të përsëritet,  që të mbahet distancë nga njëri-tjetri. Nëse është patjetër e domosdoshme për të dalë, duhet të gjendet momenti i përshtatshëm, kur nuk ka shumë lëvizje. Dhe nuk është se iku dielli, aty është.

Është një moment që të gjithë duhet ta kuptojnë se sa e rëndësishme është të qëndrosh në shtëpi. Dhe duhet të jemi të qartë që epidemia, në vendin tonë ende nuk ka arritur në nivelin e saj maksimal. Të përpiqemi që ky nivel, të jetë sa më i ulët, dhe për këtë secili duhet të japi kontributin e tij.

Dritare.net: A duhet t’i shmangin vizitat në spital diabetikët?

Doktor Florian Toti: Nëse nuk është urgjente, mirë është të shmangen. Përsa i përket medikamenteve, mund të këshillohen me farmacistët. Por nëse situata është urgjente, mirë është të këshillohen nga mjekët në spital. Por nuk mund ta lë pa përmendur, një gjë më ka bërë përshtypje në ditët e fundit.

Urgjenca e QSUT përballon një fluks deri në 500 personash në ditë. U bë gati 3 ditë, që kur ka shpërthyer virusi, që numri i vizitave ka rënë në 50 , 60 maksimumi 100. Të sëmurët e vërtetë janë këto 100. Ajo pjesa tjetër, janë ata që më shumë ankohen.

Përpiquni të bëheni pak më shumë mirëkuptues në këto ditë. Mos u kujtoni të kuroni diabetin në këto ditë, pasi diabeti kurohet çdo ditë të vitit.

Problemi është që po përballemi me një gjë të panjohur. Dhe ajo që do ngelet për t’u parë është se çfarë ndryshimesh do të sjellë në organizmin e njeriut ky virus.

Sepse ky lloj virusi ul aftësitë imunitare. A do jetë kjo afatgjatë? Këtë nuk dimë ende ta themi sepse është shumë herët për ta thënë. E rëndësishme është që gjithësecili të jetë i përgjegjshëm dhe të respekojë rregullat./dritare.net