Revolucioni që Shpëton Njerëzimin

1.3k 0

Ndodhi rreth viteve 1760 dhe 1850. Revolucioni Industrial. Përfshiu kalimin nga metodat e punës me dorë në mekanizim. Përfshiu gjithashtu ndryshimin nga djegia e drurëve dhe karburanteve te qymyri. U cilësua – Një pikë e rëndësishme kthese në histori.

Dhjetor 2015, Paris; rreth 200 kombe arrijnë një Marrëveshje për Klimën. U cilësua – Pika historike e kthesës së njerëzimit. Në fakt është një Revolucion i Energjisë së Rinovueshme. Rreth 50 mijë njerëzit që morën pjesë ne Samitin e Parisit e kanë pritur me shumë ankth këtë moment, përmes negociatash maratonë dhe netësh pagjumë.

Marrëveshja e Parisit: Shansi i fundit

Në Paris u arrit një marrëveshje e cila u përshëndet gjerësisht si “historike, e qëndrueshme dhe ambicioze”. Vendeve të zhvilluara, por edhe atyre në zhvillim u është kërkuar të ulin sasinë e gazrave që lëshojnë në atmosferë drejt niveleve më të sigurta, me një impakt në ngrohjen globale në kufizimin e rritjes së temperaturave deri në 2 gradë Celcius me synim arritjen deri në 1,5 gradë Celcius. Vendet e varfëra do të financohen për t’u ndihmuar në reduktimin e gazrave dhe në përballjen me pasojat e motit ekstrem. Vendet e prekura nga shkatërrimet natyrore janë të parat që do të përfitojnë ndihmën urgjente.

Pse ishte historike?

Marrëveshja ishte kulminacioni, jo vetëm i dy javëve bisedime, por i më tepër se 23 vite përpjekje ndërkombëtare nën OKB-në për të krijuar veprim të përbashkët ndaj këtij problem global. Që prej vitit 1992, të gjitha qeveritë e botës janë zotuar të marrin masa që do të parandalonin ngrohjen e rrezikshme.

Këto përpjekje u karakterizuan nga mosmarrëveshje dhe dështim, nga refuzimi i emetuesve më të mëdhenj të gazrave për të qenë pjesë, nga dakordësi joefektive dhe traktate të neglizhuara.

Për këto arsye, bisedimet e Parisit, u panë gjerësisht si pika vendimtare ‘O tani, o kurrë’  e procesit të OKB-së për klimën. Nëse ato do të kishin dështuar, përpjekjet e përbashkëta në nivel botëror do të kishin një përfundim dëshpërues dhe bota do të ishte lënë pa mjetet më të fuqishme në trajtimin e ndryshimeve klimatike.

Kërcënimi ishte katastrofik dhe rreziqet maksimale. Pa ndërhyrje urgjente, ngrohja parashikohej të arrinte nivele të padëgjuara më parë, deri në 5 gradë Celsius mbi temperaturat aktuale – një nivel që do të shihte pjesë të tëra të globit të pabanuara.

Për më tepër, infrastruktura e sotme – rrjeti i transportit, ndërtesat – që lëshojnë sasi të mëdha dioksid karboni në ajër do të jenë sërisht aktive në të ardhmen, duke i dhënë botës një dritare të ngushtë nëpërmjet të cilës mund të ndryshojmë drejtimin e ekonomisë sonë.

5 vendimet historike mbi klimën

• Vendim për të limituar ngrohjen globale nën 2 gradë Celcius, duke synuar 1.5 gradë Celcius

• Emetimi i Gazit Serrë duhet të ulet sa më shpejt të jetë e mundur, duke u ndjekur nga një reduktim të shpejtë në zero

• Vendim për të eleminuar përdorimin e qymyrit, naftës dhe gazit për energji • Lëndët djegëse fosile të zëvendësohen me energji nga dielli dhe era.

• Vendet e zhvilluara duhet të japin 100 miliardë dollarë në vit që prej vitit 2020 për të ndihmuar vendet në zhvillim.

Burimi: AFP

Çfarë janë lëndët djegëse fosile?

Lëndët djegëse janë substanca të cilat gjatë djegies lirojnë nxehtësi ose formë tjetër të energjisë. Burimet kryesore janë : qymyri, gazi natyror, nafta. Këto quhen lëndë fosile dhe nuk munden të rigjenerohen.

Cfarë është gazi serrë?

Gazet serrë janë gaze në atmosferë që thithin dhe lëshojnë rrezatim brenda rrezeve infra të kuqe. Ky process është procesi thelbësor i efektit serë. Gazet serrë kryesore në atmosferën e tokës janë: uji, avulli, dioksidi i karbonit, metani, oksid diazoti dhe ozon. Pa gazet serrë, temperature mesatare e Tokës do të ishte 15 gradë Celcius më e ftohtë sesa mesatarja aktuale.

Njerëzit që prej Revolucionit Industrial kanë prodhuar një rritje prej 40 % në përqëndrimit të dioksidit të karbonit në atmosferë. Impakti i njeriut mbi natyrën në rritjen e emetimit të dioksidit të karbonit vjen nga djegia e lendëve si qymyri, nafta dhe gazi natyral, si edhe nga shpyllëzimi. Është parashikuar që nëse lëshimi i gazeve serrë vijon me të njëjtin ritëm, sipërfaqja e tokës do të arrinte temperature të larta ekstreme jo më larg sesa në vitin 2047 me efekt në jetën e njerëzve në mbarë botën.

Cfarë është efekti serrë?

Efekti serrë natyral ështe thelbësor për mbijetesën e njerëzve në Tokë. Aktiviteti i njeriut, kryesisht nga djegia e karburanteve dhe shpyllëzimi, kanë intensifikuar efektin serrë natyral duke shkaktuar ngrohjen globale. Një pjesë e energjisë nga dielli është e bllokuar brenda atmosferës tonë, duke u reflektuar në drejtim të hapësirës. Ky proces i natyrshëm quhet efekti serë, pasi atmosfera vepron si mure xhami e një sere, e cila lejon rrezet e diellit që të hyjnë, por e mban nxehtësinë brenda.

Gazet të cilat e bëjnë këtë të ndodhë (“gazrat serrë”) janë kryesisht avujt e ujit dhe dioksidi i karbonit. Për shkak se njerëzit lëshojnë më shumë dioksid karboni dhe gazra të tjerë serë në atmosferë, efekti serrë bëhet më i fortë. Kjo bën që klima e tokës të ndryshojë në mënyrë të panatyrshme.

Samiti i Parisit u mbyll. Po tani?

Hapi i parë do të jetë një rishikim në vitin 2018 i progresit të bërë nga të gjitha shtetet në braktisjen e lëndëve djegëse fosile si nafta, qymyri dhe gazi dhe zëvendësimit të tyre me burime të rinovueshme si dielli dhe era.

Këto rezultate duhet të informohen gjatë raundit të ardhshëm duke rishikuar vendimet e shteteve në përputhje me marrëveshjen që do të hyjë në fuqi në vitin 2020. Në momentin që marrëveshja hyn në fuqi, impakti i veprimit të të gjitha shteteve do të rishikohet çdo pesë vjet që nga viti 2023. Rezultati i këtyre rishikimeve do t’u informohet shteteve në mënyrë që ata të përditësojnë dhe të përmirësojnë vendimet e tyre çdo pesë vjet duke nisur që nga 2025-a.

Paneli i Kombeve të Bashkuara deklaron se emetimi i gazit serrë duhet të ulet 40-70 përqind mes 2010-2050 dhe deri në zero në vitin 2100. Tani e tutje “investimet e mençura” nuk do të shkojnë më për karburante por për energji të rinovueshme, për qytete inovative dhe përdorim më të qëndrueshëm të tokës.

Një “gabim” gramatikor, që mund të rrëzonte marrëveshjen botërore

Vetëm disa orë përpara momentit final të marrëveshjes, u shënua një krizë që gati sa nuk çoi në anullimin e të gjithë marrëveshjes së arritur me përpjekje kolosale. Atje ku më parë ishte përdorur fjala “duhet” tashmë në versionin final kjo fjalë ishte zëvendësuar me fjalën “do të”, për arsye të panjohura. Ky ishte një gabim në dukje të vogël – por me pasoja të mëdha.

“Duhet” nënkupton një detyrim moral, por nuk detyron një komb për të bërë diçka. “Do të”, në fakt, do të thotë një detyrim ligjor. Nëse në tekstin përfundimtar do të përdorej fjala “do të” në vendin e gabuar, kjo do të kërkonte amerikanëve të merrnin miratimin e Kongresit – diçka universalisht e pranuar si e pamundur.

Nëse nuk do të ndryshonte, SHBA nuk do të mund të firmoste dhe Kina nuk do të nënshkruante diçka që SHBA nuk e kishte firmosur. Por kjo nuk ishte thjesht një çështje ndreqje teksti. Disa vende e panë atë si një ndryshim serioz që kërkonte rihapjen e negociatave.U desh ndërhyrja e niveleve më të larta që nga Presidentit amerikan Obama dhe liderët e rëndësishëm për të lobuar për ndryshimet e minutës së fundit për të rivendosur sërish “duhet në vend të “do të”.

Një gjë është e sigurt! Baballarët e Revolucionit Industrial; James Watt, shpikësi i motorrit me avull, Rudolph Diesel, shpikësi i motorrit me naftë, Robert Fulton, babai i avullores apo Henry Rockefeller, i pari i industrisë së naftës, me arritjen e marrëveshjes “lajmërohen” të kalojnë nga Parajsa në Ferr. /AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.