Drejtuesja e Autoritetit të Veterinarisë: Gripi i shpendëve s’përbën rrezik për konsumatorët

221 0

Drejtorja e Autoritetit Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve, Tana Kika thotë se janë izoluar vatrat ku është konstatuar prezenca e gripit të shpendëve H5N8.

“Vlen të theksoj se identifikimi dhe konfirmimi i virusit të shpendëve përbën një pikë finalizimi të një monitorimi që ndërmorëm për izolimin e vetëm tre vatrave deri më tani”, tha ajo.

Ajo theksoi në Euronews Albania se krahas kontrollit të vatrave, autoritetet shëndetësore po punojmë për të mbajtur nën kontroll zonat përreth, ku është konstatuar prezenca e gripit.

“Masat janë thelbësore në lidhje me monitorimin, vlerësimin dhe izolimin e rasteve. Deri tani kemi tre raste dhe i kemi izoluar si vatra”, tha ajo.

Ajo u bëri thirrje qytetarëve që produktet shtazore para se t’i konsumojnë do duhet t’i përgatisin në temperatura të lartë, ndërsa shtoi se gripi nuk përbën rrezik për shëndetin e konsumatorëve.

“Influenca aviare nuk përbën rrezik për konsumatorin. Nuk konsiderohet një sëmundje, e cila transmetohet me anë të ushqimit. Nuk kemi vend për të aluduar një gjë e tillë, sidomos kur respektohen kushtet higjieno-sanitare në kuzhinën tonë”, tha ajo./Burimi:EuroNews