Sekretet e Ruajtjes së Erëzave në Shtëpi

203 0

Sa herë që shkojmë të bëjmë pazarin, produkti i vetëm që blejmë në sasi shumë herë më të mëdha nga sa mund të konsumojmë janë erëzat.

Aroma, por dhe fakti që i mbushim mendjen vetes se do të na hyjnë në punë, bën që të kemi borzilok e majdanoz në shtëpi sa për të gjithë lagjen.

Por ka një zgjidhje që t’i ruani më gjatë që nga tharja tek ngrirja, edhe pasi kopshti të ketë rënë në gjumin e dimrit apo nën zhegun e verës.

Varini të thahen

Kjo është mënyra më popullore për t’i ruajtur erëzat.

Çfarë të bëni: Thajini në një vend të errët me ajër.

Sigurohuni që nuk janë të ekspozuara në diell dhe të kenë një qarkullim të mirë të ajrit përreth tyre.

Lidhini me llastik dhe varini me kokë poshtë.

Për të hequr gjethet apo lulet nga rrënja, thjesht shkëputini nga rrënja ose shkundini lehtë në një qese letre derisa rrënja të zhvishet tërësisht dhe më pas zbrazini në një kavanoz ku zakonisht vendosni erëzat.

Gjethet dhe farat duhet të lihen të plota, për t’i thërmuar në momentin e përdorimit.

Ngrijini

Një alternativë tjetër e ruajtjes së erëzave është që t’i ngrini në frigorifer.

Disa, jo të gjitha, do të vazhdojnë t’i ruajnë aftësitë e tyre edhe kur janë të ngrira.

Procesi i ngrirjes do t’i nxijë gjethet dhe do t’ua ndryshojë pamjen e erëzave, por mos u shqetësoni sepse kjo nuk do të vihet aspak re kur ta përzieni me ushqim apo në ujë të ngrohtë me atë që po gatuani.

Çfare të bëni: Blijini ose merrni erëzat e freskëta nga kopshti dhe shpëlajini në ujë të ftohtë dhe më pas i fshini me një kartëpicetë kuzhine që të thahen.

Hiqini gjethet dhe lulet nga bishti.

Nëse nevojitet përdorni edhe gërshërë për t’i prerë.

Vendosini në një letër kuzhine, si ajo që përdorni për të pjekur biskotat dhe direkt në frigorifer për rreth një orë.

Më pas vendosini në qese të vogla dhe rifutini në frigorifer.

Kjo metodë do t’ju ndihmojë që të përdorni aq sasi sa ju nevojitet, ndërkohë që pjesa tjetër qëndron e mbyllur.

Mbushini me vaj dhe uthull

Një mënyrë e shkëlqyer për të ruajtur aromën e erëzave pa qenë nevoja që të gjesh hapësirë ekstra edhe për to, është t’i fusni në vaj ulliri për t’i përdorur më pas në gatim.

Gjithçka që ju duhet është një shishe e sterilizuar, 1/3 e të cilës mbusheni me erëza të cilat janë larë mirë dhe tharë me kartëpecetë letre.

Hidhni vaj ulliri mbi erëza dhe lëreni në temperaturën e mjedisit për rreth dy javë.

Në vend të vajit të ullirit mund të përdorni shumë mirë edhe uthull, për të cilën vlen e njëjta procedurë.

Ruajini me ujë

Shumë erëza të freskëta mund të ndihen shkëlqyeshëm edhe në një gotë plot me ujë për disa javë pasi janë këputur.

Gjithçka që ju duhet të bëni është të mbushni gotën me pak ujë duke futur fillimisht bishtin.

Bëni kujdes që kur t’i merrni nga kopshti apo kur t’i blini në treg të zgjidhni ato me bisht të gjatë, në mënyrë që ai të zhytet në ujë.

Koriandra duhet të mbahet në frigorifer për më shumë freski, ndërkohë që borziloku dhe majdanozi mund të ruhen dhe në temperaturën e mjedisit.

Thjesht sigurohuni që t’i ndërroni ujin çdo dy ditë dhe mos i shpëlani erëzat derisa të vijë momenti për t’i përdorur.

Rritini brenda në shtëpi

Mënyra më e thjeshtë për t’i ruajtur erëzat e freskëta është t’i keni në shtëpinë tuaj përgjatë të gjithë vitit.

Rigoni, rozmarina, trumza janë shumë të lehta për t’u rritur, veçse kërkojnë shumë dritë, kështu që kujdesuni që të keni një dritare që e kap dielli gjatë dimrit.

Borziloku dhe mjadanozi janë më pak të vështira për t’u rritur në ambjente të brendshme, por mentja mund të rezistojë gjatë të gjithë dimrit.

Shihni për varietete të këtyre erëzave, të cilat janë të përshtatshme për t’u rritur në mjedise të mbyllura./AgroWeb.org