Ekstra i Virgjër Për të Huajt, Shqiptarët Ngopen me Ullinj Tavoline

432 0

Shqipëria është një vend me potenciale të mëdha për kultivimin e ullirit, për vetë kushtet klimatiko – tokësore shumë të përshtatshme.

Sipas kërkimeve të AgroWeb.org, pavarësisht rritjes së investimeve si në shtimin e sipërfaqeve të mbjella dhe në industrinë përpunuese, ritmet e zhvillimit janë akoma shumë larg potencialeve të mundshme.

Kështu vendi ynë, krahasuar me vendet e tjera të Pellgut të Mesdheut, ka numrin më të vogël të ullinjve për frymë të popullsisë, si dhe normën më të ulët të konsumit të vajit në rajon. AgroWeb.org raporton se vitet e fundit Shqipëria ka një prodhim mesatar vjetor rreth 35-55000 ton ullinj, ose rreth 7.000 ton vaj, rreth 2.5 litra për banor.

Duke llogaritur importet, konsumi i vajit te ullirit është rreth 3.5 litra/banorë, kjo sasi e ulët në krahasim me vendet e tjera prodhues vaj ulliri, si Italia 16 litra/banor, Greqia 21 litra/banor.

Por shqiptarët renditen si konsumatorët më të mëdhenj të ullirit të tavolinës.

Këshilli Ndërkombëtar i Ullirit, organizata që përmbledh të gjitha vendet prodhuese dhe konsumuese të ullirit në botë ka publikuar shifrat më të fundit. S

Sipas këtij burimi të konsultuar nga AgroWeb.org, Shqipëria klasifikohet në vend të parë me konsumin vjetor prej 10 kilogram ullinj tavoline për frymë me konsum vjetor gjithsej 29 mijë ton në rang vendi.

Spanja, e cila është ndër furnizueset kryesore të Europës, konsumon 3,5 kg/frymë. Italianët konsumojnë 2 kilogram ullinj tavoline në vit, ndërsa Grekët edhe më pak, rreth 1,3 kilogram në vit për frymë.

Fakti surprizë tregon se vendet që prodhojnë më shumë ullinj, konsumojnë më shumë vajin e ullirit. Ky fakt tregon se vendet e bekuara me prodhimtari të madhe të ullirit e kanë shumë të zhvilluar industrinë e përpunimit të vajit të ullirit dhe kryesojnë eksportet në botë.

Spanja, Italia dhe Greqia së bashku plotësojnë 98% të kërkesave të tregut europian për vaj ulliri, ndërsa konsumi i vajit të ullirit në Itali është 16 litra për banorë dhe në Greqi 21 litra për banorë.

Shqipëria konsumin vjetor të vajit të ullirit e ka 3,5 litra/banorë, ku vetëm 2,5 litra i prodhon vetë.

AgroWeb.org sjell krahasimin me vendet fqinje, Italia konsumon 8 herë më shumë vajin e ullirit se sa ullirin kokërr, ndërsa Greqia 16 herë më shumë. Në këtë rast, në Shqipëri ka një përmbysje të raporteve.

A është kjo se shqiptarët nuk i dinë vlerat e vajit të ullirit, apo ndoshta industria përpunuese nuk i plotëson nevojat?

Fakti që shqiptarët janë të detyruar të importojnë edhe 1 litër për frymë me qëllim plotësimin e nevojave të konsumit, tregon qartë se industria e vajit të ullirit është akoma një potencial i madh zhvillimi ekonomik.

Vetëm rritja e sipërfaqeve të mbjella dhe të sasisë së ullinjve të prodhuar dhe nga ana tjetër një rritja e industrisë prodhuese dhe përmirësimi i teknologjisë së ekstraktimit do të sjellë kualifikimin e Shqipërisë në eksportet botërore të vajit të ullirit që dominohen, nga Spanja, Italia dhe Greqia që së bashku kontribuojnë me 78% të prodhimit botëror dhe 98% të atij Evropian.

Konsumi i ulët i vajit të ullirit në Shqipëri tregon nivelin e ulët të mirëshqimit pasi tregon se konsumi vendas dominohet nga vajrat e lirë vegjetalë, në shumë raste të dëmshëm për konsumatorët.

Sipas burimeve të AgroWeb.org, sot në Shqipëri rezultojnë rreth 150 përpunues të ullirit, por vetëm 18 prej tyre tregtojnë vajin e ullirit në treg, ndërsa pjesa tjetër ofrojnë vetëm shërbim ndaj kultivuesve duke prodhuar sasi të vogla për përdorim shtëpiak./AgroWeb.org