Eurostat: 41% e shpenzimeve të një familjeje shqiptare shkojnë për ushqime

230 0

Pjesa më e madhe e shpenzimeve të familjeve shqiptare shkojnë për ushqime. Familja tipike shpenzon 41% të parave për ushqim, sipas Eurostat.

Tirana është qarku më i pasur, ku familjet konsumojnë mesatarisht 98 mijë lekë mallra dhe shërbime në muaj. Ndërsa, Kukësi është qarku më i varfër ku shpenzimet mesatare familjare janë 70 mijë lekë.

Në vitin 2019, Shqipëria ishte vendi i parë në rajon me përqidjen më të lartë të shpenzimeve për ushqim.

Por, në vitin 2020, situata e shkaktuar nga pandemia ka sjellë ndryshime në strukturën e shpenzimeve për familjen, duke rritur nevojën për blerje barnash e shpenzime kurimi.

Familjet shqiptare shpenzuan mesatarisht 5150 lekë në muaj për kujdes shëndetësor gjatë vitit të kaluar, me një rritje prej 28% në krahasim me një vit më parë.

Sipas INSTAT, 392 mln euro dolën nga xhepat e qytetarëve për këtë qëllim.

Teksa ekonomia u hap gradualisht, tashmë vendi po përballet me rritje të çmimeve, që kanë prekur ushqimet bazike nga buka, mishi e bulmeti e deri te nafta dhe nënproduktet e saj.

Duke marrë në konsideratë faktin se Shqipëria është vendi me pagat më të ulëta në rajon, hendeku i varfërisë mund të thellohet në rast se nuk merren masa mbështetëse e lehtësuese./Burimi:Euronews