Kur është fjala për marrëdhënie afatgjata, ndodh rëndom që ndjenjat të ftohen e veniten dhe kushti për të vazhduar më tej është që raporti të rindizet. Marrëdhënia mes Shqipërisë dhe Organizatës Botërore të Ushqimit dhe Bujqësisë ka pasur ulje ngritjet e veta, si çdo marrëdhënie e gjatë, që nga viti 1973 kur Shqipëria u anëtarësua në FAO. Nga ndarja gjatë kohës së komunizmit tek rigjetja pas hyrjes së demokracisë në vend ne vitet ’90 për të kaluar tanimë në një stad tjetër, atë të zyrtarizmit jo vetëm formal të marrëdhënies.
Por do të duheshin plot 42 vite dhe mbi 12 milionë dollarë amerikanë investime nga FAO, kryesisht pas viteve ’90 për pylltarinë dhe fuqizimin e teknologjisë bujqësore, që kjo marrëdhënie mes FAO dhe Shqipërisë të vulosej një herë e mirë me hapjen e zyrës së saj në Tiranë, e cila është e para dhe e vetmja deri tani në Ballkan.
“Ju mund të mendoni se është e lehtë të hapësh një përfaqësi, por jo kur bëhet fjalë për Organizatën Botërore të Ushqimit dhe Bujqësisë”, tha Drejtori i Përgjithshëm i FAO, Jose Graziano Da Silva gjatë ceremonisë së përurimit të hapjes së zyrës së FAO në Tiranë, duke shprehur optimizmin e tij për këtë nivel të ri bashkëpunimi.
"Në nivel rajonal, Ballkani mbetet një hapësirë e rëndësishme për FAO, përsa i përket dhe kontributit në sigurinë ushqimore globale", tha Da Silva duke shtuar se "sigurisht në vendet e Ballkanit, Shqipëria mbetet një vend shumë i rëndësishëm për FAO. Sfidat mjedisore janë duke u bërë më të dukshme, mjafton të përmendim përmbytjet e kohëve të fundit dhe FAO është e gatshme të kontribuojë në zbutjen e ndryshimeve klimatike dhe në adoptimin e strategjive”.
Pikërisht ndryshimet klimatike, siç dhe u përmenden nga Da Silva, do të jenë një nga pikat kyçe ku do të fokusohet FAO. Edhe pse bujqësia në Shqipëri ka një kontribut të ulët në emetimin e gazeve serrë, sërish sektori duhet ta marrë me seriozitet çështjen e ndryshimeve klimatike. “Vitin e ardhshëm CO22 do të mbahet në Marok dhe bujqësia do të jetë tema kryesore e samitit. Shqipëria ndërkohë duhet të paraqesë një plan veprimi, përsa i përket hapave që duhet të ndërmarrë vendi për të zbutur ndryshimet klimatike dhe ne sigurisht do të japim mbështetjen tonë në përpilimin e këtij dokumenti”, tha Da Silva për AgroWeb, gjatë takimit me gazetarët pas inagurimit të zyrës së FAO në Tiranë.
Shqipëria duhet të jetë e pregatitur për të hyrë në tregun e BE me standardet e kërkuara si cilësia, aspekti organik dhe siguria ushqimore
Disa nga projektet e tjera të cilat do të mbështesë FAO kanë të bëjnë me sistemin statistikor në sektorin bujqësor, e cila është gjithashtu dhe një parakusht për vendin për të hyrë në Bashkimin Evropian. “Një nga çështjet që ne duam ta adresojmë së bashku është pikërisht sistemi statistikor, pasi vetëm duke pasur të dhëna të sakta ne mund të vlerësojmë gjendjen e bujqësisë nëse po rritet, ka stopuar në vend apo ka potencial për rënie”, u shpreh Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti.
Përpos sistemit statiskor dhe ndryshimeve klimatike, një vëmendje e veçantë nga kreu i FAO iu dha komunikimit në nivelin politik parlamentar, ku kërkohet një përfshirje më e madhe me politika që ndihmojnë në zhvillimin e vendit. “Shqipëria ka shumë ferma familjare dhe ne duhet t’i ndihmojmë që të rrisin prodhimin e tyre, në mënyrë që t’i sjellim më afër tregut. Ato duhet të jenë të pregatitur që të hynë në tregun e BE me standardet e kërkuara si cilësia, aspekti organik dhe siguria ushqimore”, u përgjigj kreu i FAO pyetjes së Agroweb mbi strategjitë afatgjata që sektori bujqësor duhet të ndërmarrë.
Puna e zyrës përfaqësuese do të nisë me zbatimin e një marrëveshjeje prej 4 prioritetesh. Prioritetet e marrëveshjes së parë tre vjeçare, 2015-2017 janë; ruajtja dhe administrimi i burimeve natyrore; ndryshimet klimatike dhe administrimi i fatkeqësive natyrore, zhvillimi i kapaciteteve për hartimin e politikave të zhvillimit bujqësor dhe rural në Shqipëri, duke e vënë theksin në mbështetjen e rolit të gruas në këtë drejtim dhe përafrimi i politikave bujqësore dhe zhvillimit rural me standardet europiane.
Angazhimi i FAO për të asistuar Shqipërinë me prioritet është bërë i qartë si nga aspekti institucional ashtu dhe nga deklaratat e Drejtorit Da Silva, i cili cicërimën e parë dje në Twitter e kishte për suportin ndaj Shqipërisë: “Sapo u ula në Tiranë. Mbështetje për Bujqësinë”, shkroi Da Silva. Për ta mbyllur me konfirmimin: “Mbështetje ndaj Shqipërisë me kontributin në sigurinë ushqimore globale”. Por në takimin në Marok pas një viti, detyrat e shtëpisë, pala shqiptare duhet t’i paraqesë të shkëlqyera./Agroweb.org