FAO pas 42 vitesh me përfaqësi në Shqipëri

603 0

Firmoset marrëveshja e bashkëpunimit për projektin tre vjeçar 2015-2017 me 4 prioritete

12 Nëntor 1973. Është data kur Shqipëria nisi marrëdhëniet me FAO-n, Organizatën për Bujqësinë dhe Ushqimin, si anëtare e saj. Plot 42 vjet bashkëpunim përmes zyrave përfaqësuese në Hungari, por pa një zyrë përfaqësie në vendin tonë. 2015, FAO për herë të parë do të hapë zyrën e saj të përhershme në Shqipëri. Tashmë, në situata të vështira si ajo e përmbytjeve që sapo kaluam, do të kemi në krah me mbështetje direkte FAO-n dhe përfaqësuesit e saj në Tiranë.

Shqipëria, në situata të vështira si ajo e përmbytjeve do të ketë në krah mbështetjen direkte të FAO-s dhe përfaqësuesve të saj në Tiranë

Puna e zyrës përfaqësuese do të nisë me zbatimin e një marrëveshjeje prej 4 prioritetesh kryesore të firmosur nga Ministri i Bujqësisë Edmond Panariti dhe përfaqësuesi i FAO-s, Antonio Alonzi ndërkohë që marrëveshja fillestare për hapjen e zyrës së FAO-s në Tiranë u nënshkrua në dhjetor 2014. Ministri i Bujqësisë e cilësoi marrëveshjen një zhvillim shumë të rëndësishme, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për rajonin. 

Prioritetet e marrëveshjes së parë tre vje&ccccedil;are, 2015-2017 janë; Ruajtja dhe administrimi i burimeve natyrore; ndryshimet klimaterike dhe administrimi i fatkeqësive natyrore, zhvillimi i kapaciteteve për hartimin e politikave të zhvillimit bujqësor dhe rural në Shqipëri, duke e vënë theksin në mbështetjen e rolit të gruas në këtë drejtim dhe përafrimi i politikave bujqësore dhe zhvillimit rural me standardet europiane.
“Kjo është një rritje e shtuar e interesit të FAO-s për të nxitur projektet e bujqësisë dhe ushqimit në Shqipëri, por edhe në të gjithë rajonin. Kjo tregon vullnetin e kësaj organizate prestigjioze për të qenë një mbështetëse dhe bashkëudhëtare e zhvillimit të bujqësisë dhe sektorit të ushqimit në Shqipëri, drejt ambicies sonë finale për tu bërë pjesë e Bashkimit Europian”, tha Ministri Panariti.

Përfaqësuesi i FAO-s, z. Alonzi shkon përtej marrëveshjes. Ai theksoi se FAO do të mbështesë Ministrinë e Bujqësisë jo vetëm në fushat që përmban kjo marrëveshje, por edhe në çdo sektor ku do të kërkohet ndihma dhe suporti i kësaj Organizate.

Ministri i Bujqësisë Edmond Panariti dhe përfaqësuesi i FAO-s, Antonio Alonzi gjatë firmosjes së marrëveshjes në Ministrinë e Bujqësisë, Tiranë

Pas firmosjes së Marrëveshjes Antoinio Alonzi nuk e fsheh kënaqësinë e mbërritjes deri këtu: ‘Kemi punuar për këtë prej shumë kohësh theksoi ai, dhe jam shumë i lumtur që sot po nënshkruajmë marrëveshjen dhe FAO do të jetë prezente në Shqipëri, nëpërmjet zyrës saj. Marrëveshja është e bazuar në 4 priorirtete. E para është menaxhimi i burimeve natyrore. Do të punojmë gjithashtu edhe për përballimin e fatkeqësive natyrore, për ti dhënë mbështetje Ministrisë për të përballuar situata të vështira si ato të përmbytjeve. Do të mbështesim gjithashtu rolin e gruas në bujqësi si dhe do të punojmë për përafrimin e politikave bujqësore dhe zhvillimit rural me standardet europiane. Ne jemi gati që të ndihmojmë Ministrinë në të gjitha këto fusha, si dhe në çdo sektor ku do të nevojitet ndihma dhe mbështetja jonë.’

Çfarë është FAO?

Themeluar në 16 tetor 1945 si një Organizatë Ndërqeveritare, FAO (Organizata për Bujqësinë dhe Ushqimin) është agjencia e Kombeve të Bashkuara që kryeson përpjekjet ndërkombëtare për zhdukjen e urisë në Botë. FAO ka 194 Vende Anëtare, dy anëtarë të asociuar dhe një Organizatë anëtare, që është Bashkimi Evropian. Me zyrat Qendrore në Romë, Itali, FAO është prezente në mbi 130 vende.
Arritja e Sigurisë ushqimore për të gjithë përmes motos latine ‘Fiat Panis’ që do të thotë ‘Bukë për të gjithë’ është në qendër të përpjekjeve të FAO-së për të bërë të mundur që njerëzit të kenë ushqim të mjaftueshëm me cilësi të lartë për një jetë aktive dhe të shëndetshme.

FAO është e përbërë nga gjashtë departamente: Bujqësia dhe Mbrojtja e konsumatorit, Zhvillimi Ekonomik dhe social, Peshkimi dhe akuakultura, Pylltaria, Menaxhimi i Burimeve Natyrore dhe mjedisi si dhe Bashkëpunimi teknik.

5 fushat e veprimtarisë së FAO-s

• Përhapja e informacionit dhe mbështetja për kalimin drejt bujqësisë së qendrueshme
• Forcim i vullnetit politik dhe përhapja e ekspertizës së politikave
• Inkurajimi i bashkëpunimit të sektorëve publik-privat për të përmirësuar sipërmarrjet e vogla bujqësore
• Përçim i dijeve dhe njohurive në fushën e bujqësisë
• Mbështetje për parandalimin dhe mitigimin e riskut në vende të ndryshme

Tre janë qëllimet kryesore të FAO-s; zhdukja e urisë, pasigurisë ushqimore dhe e kequshqyerjes; eliminimi i varfërisë dhe nxitja e progresit ekonomik dhe social për të gjithë; menaxhimi i qëndrueshëm dhe shfrytëzimi i burimeve natyrore, përfshirë tokën, ujin, ajrin, klimën dhe burimet gjenetike në të mirë të brezave të sotëm dhe të ardhshëm.