Fëmijët ushqehen keq? Ja zëvendësuesit natyralë

338 0

Nisur nga Dita Kombëtare e të Ushqyerit Shëndetshëm në Shtetet e Bashkuara, më 7 Nëntor, nuk mund të mos e pyes veten se çfarë do të thotë të hash shëndetshëm për një shqiptar. Çfarë ndryshimesh mund t’i bëhen ushqimit shqiptare për të qenë të sigurt se ajo qëndron në standardet e ushqyerjes së shëndetshme?

Ndonëse ushqimi shqiptar vlerësohet si mesdhetar, kërkimet e mia në terren tregojnë qartësisht se fëmijët shqiptarë për shembull, nuk përfitojnë nga kjo. Në përgjithësi, duket sikur ushqimi i zakonshëm i një fëmije shqiptar konsiston në Nutella, sanduiç, byrek, pica dhe të gjitha llojet e ëmbëlsirave. Më lejoni t’ju them se pa asnjë dyshim e dua shumë byrekun; mes shumë të preferuarve të mi janë byreku me spinaq dhe byreku me qepë e domate. Sidoqoftë, byreku që unë pëlqej, është ai i bërë në shtëpi, ndërkohë që byreku që shpesh konsumojnë fëmijët shqiptarë, gatuhet me përbërës të lirë dhe zhytet në vaj, pa hyrë fare pastaj tek diskutimi i normave higjenike të disa byrektoreve.

E pra, t’u mundësosh fëmijëve ushqim të shëndetshëm, nuk qenka edhe aq e lehtë. Rruga më e drejtë është t’u tregosh atyre shembullin tënd si i rritur drejt të ushqyerit shëndetshëm. Mishi i përpunuar ka lidhje të drejtpërdrejtë me sëmundjet kancerogjene, ashtu sikurse të gjitha llojet e tjera të ushqimeve të përpunuara. Studimet kanë treguar se konsumi i ushqimeve të përpunuara gjatë fëmijërisë së hershme jo vetëm që të çon në dhjamosje, por rrit ndjeshëm çrregullimet nervore dhe psikofizike, kontribuon në zhvillimin e diabetit, madje shkakton mungesë mineralesh që çon në çrregullime në spektrin e autizmit.

Tani situata po të bëhet paksa e frikshme. Pse i ushqejmë fëmijët tanë me ushqime të përpunuara? Ka disa përgjigje. Njëra nga këto mund të ishte mungesa e informacionit. Shumë shpesh, as vetë prindërit nuk janë në dijeni të asaj që fëmijët marrin për të ngrënë, duke qenë se edhe ai që duket si kos i sigurtë, mund të përmbajë ngjyrues artificialë dhe sheqer diabetik që mund të dëmtojë seriozisht organizmin e fëmijës në periudhën afatgjatë. Rruga për ta zgjidhur këtë problem të parë është e thjeshtë: Filloni të lexoni me kujdes etiketat! Mes shumë gjërave për t’u mbajtur në vëmendje janë : shurupi i misrit me nivel të lartë fruktoze, yndyrnat industriale, monosodiumi glutamik, ngjyruesit artificialë, sheqeri diabetik dhe akoolet e sheqerit, vajra të ndryshme (misri, palme, sojë), nitratet/nitritet, mielli i bardhë dhe butilhidroksitolueni (BHT). Në tregun shqiptar, shumë marka cerealesh, akulloresh, lëngjesh, patatinash, të tjera të kripura apo të ëmbla, madje edhe koset e frutave, përmbajnë të paktën një nga përbërësit e sipërpërmendur.

Arsyeja e dytë e madhe është se prindërit shqiptarë janë pjesën dërrmuese të kohës në nxitim e sipër. Mund të qëndrojë si arsye duke qenë se shumë prindër bëjnë punë të shumëfishta për të mbajtur ekonominë e familjes e si pasojë kanë realisht shumë pak kohë për t’u kujdesur mbi përbërjen e ushqimit apo edhe për ta gatuar atë. Por, unë mund t’ju siguroj që përgatitja e ushqimit të shëndetshëm nuk është aq e vështirë sa duket. Gjithë çështja qëndron në zgjedhjen e gatimit të dëshiruar dhe zëvendësimin e përbërësve industrialë (të përpunuar) me zëvendësues të shëndetshëm.

AgroWeb-i ka përpiluar për një listë me zëvendësues lehtësisht të gjetshëm:

1. Nëse fëmijëve të tu u është ngritur mendja për akullore, zgjidh një alternativë më të shëndetshme – banane e ngrirë. Ngrij një banane, grije deri sa të bëhet pure, shto disa manaferra apo çokollatë të zezë të shkrirë dhe shijo një akullore të mrekullueshme bananeje, që të shpërblen me potas të nevojshëm për organizmin, seatoninë dhe fibra.

2. Kur pjek kek apo ëmbëlsira të tjera furre, zëvendësoje miellin me pure fasuleje të zezë të konsevuar (1 filxhan me pure fasuleje të zezë për 1 filxhan mielli). Kjo, jo vetëm që do ta bëjë kekun më të shijshëm, por gjithashtu do t’u mundësojë konsumin e tij, atyre që nuk e pranojnë dot glutenin në organizëm.

3. Atëherë kur gatimi të kërkon gjalpë, përdor purenë e avokados. Veshtullia e avokados e bën atë një zëvendësues të përsosur të gjalpit.

4. Përdor vanilje të lëngshme në vend të sheqerit (gjysmë luge ekstrakt vanilje për dy lugë sheqeri), sepse kur të nevojitet, e nxjerr gatimin përfundimtar më të shëndetshëm dhe aromatik.

5. Zëvendëso orizin e errët me oriz të bardhë. Megjithëse do t’ju duhet ca kohë të mësoheni me shijen e re, përfitimet shëndetësore janë të shumta.

6. Përdor makarona gruri në vend të makaronave të zakonshme.

7. Përdor pure’ lulelakre në vend të puresë së patates. Lulelakra përmban më pak kalori, por shijon njësoj kur bëhet pure’.

8. Përdor kosin me fruta të bërë vetë në vend të atij të gatshëm. Njëlloj përdor kos në vend të majonezës, për arsyet shumë të qarta të shpjeguara më sipër.

9. Përdor kokoshka në vend të patatinave. Mbeten të preferuarat e fëmijëve të të gjitha kohërave, mund të jetë një alternativë e shëndetshme, por kujdes tek sasia e tepërt e kripës dhe e gjalpit gjatë përgatitjes!

10. Përdor zjerjen me avull në vend të valimit në ujë. Herën e parë që dëshiron të bësh pure me njërën nga perimet e tua të preferuara, vendosi ato në avull në vend të tejzierjes së tyre në ujë. Kjo praktikë, i ruan më tepër vitaminat e perimeve.

 

*Agroweb sjell Shqipërinë me sytë e një Ruseje që jeton në Tiranë prej dy vitesh. Liana Suleymanova ka studiuar për histori në Universitetin Amerikan në Bullgari ku u njoh me Shqipërinë, e shkuara e të cilës e tërhoqi në mënyrë të veçantë. Interesi për këtë vend u zhvillua më tej gjatë studimeve master në Central European University në Budapest dhe në Akademinë Diplomatike në Vienë, ku ajo studioi në detaje historinë e Shqipërisë, veçanërisht periudhën nga sistemi komunist në demokraci.