Shqipëria e Mbytur nga Plastika

1.3k 0

Jemi në kontakt me të gjatë gjithë ditës përmes gishtërinjve. Me prekjen e telefonit, stilolapsit, shisheve të ujit , madje në Shqipëri më shumë se në çdo vend tjetër, edhe kur blejmë bukën çdo ditë. Është shumë e dëmshme për shëndetin tonë ashtu si edhe për mjedisin ku jetojmë. Plastika. Praktikisht të gjithë jemi të rrethuar nga materiale plastike. A e dini se në një vit gjenerohet aq mbetje plastike sa të mbështjellin tokën rretheqark plot katër herë? Sigurisht, po flasim për mbetje në rang botëror, por edhe Shqipëria jep “kontributin” e saj.

Ndërkohë që numri i shteteve që e kanë ndaluar përdorimin e qeseve plastike po rritet ndjeshëm, në shqipëri kjo nuk është më një çështje që mund të merret kaq lehtësisht. Dëmi që plastika shkakton së pari në shëndëtin tonë e veçanërisht në mjedis është shumë i madh. Disa studime të fundit e lidhin elementin BPA që gjendjet në plastikë, me kancerin.

Disa qeveri në botë kanë nisur të veprojnë, duke miratuar ligje për taksimin e qeseve plastike, si mënyrë reduktimi, së fundmi Britania e Madhe ku qytetarët duhet të paguajnë një taksë prej 5p (rreth 10 lek te reja). A ka Shqipëria një strategji për këtë çështje? AgroWeb ia ka drejtuar këtë pyetje Zëvendës Ministres së Mjedisit, Znj. Olijana Ifti.

“Për momentin nuk është menduar vendosja e një takse për qeset plastike, por që në një të ardhme të afërt mendojme se është e domosdoshme në mënyrë që të bëjmë të mundur minimizimin e prodhimit të mbetjeve nga mbetjet e qeseve plastike.

Për të nxitur riciklimin e mbetjeve të ambalazheve plastike, që gjenerohen në vend, qeveria ka ulur taksën nga 100 lekë/kg në 50 lekë/kg. Është menduar që kjo të zbritet akoma më shumë në të ardhmen, me propozim të Shoqatës së Ricikluesve të Shqipërisë.”

Ne zbatim të ligjit “ Për menaxhimin e integruar të mbetjeve “, u hartua dhe miratua një VKM datë 6.03.2012 “Për ambalazhet dhe mbetjet e tyre “, në të cilin përfshihen edhe ambalazhet plastike, ku bëjnë pjesë qeset plastike.

Vendimi synon:

a) të parandalojë mbetjet nga gjenerimin i ambalazheve;
b) të nxitë grumbullimin e diferencuar, ripërdorimin, riciklimin dhe rikuperimin e mbetjeve nga ambalazhet, duke reduktuar sasitë e tyre që asgjësohen përfundimisht;
c) të vendosë rregulla për prodhimin e ambalazheve dhe menaxhimin e mbetjeve të tyre në të gjitha fazat, si dhe të përcaktojë subjektet përgjegjëse për menaxhimin e tyre

Pra, qeset plastike do të projektohen, prodhohen dhe tregtohen në mënyrë të tillë që të lejojnë ripërdorimin ose rikuperimin, duke përfshirë riciklimin.

Objektivi në drejtim të riciklimit të ambalazheve është që në vitin 2018 të bëhet ndarja në burim të abalazheve plastike dhe riciklimi i tyre të arrijë në masën 30 %.

Nisur nga fakti që ambalazhet plastike nuk janë të biodegradueshme, me anë të VKM-së të sipercituar është vënë detyrë, që pas vitit 2013 prodhimi dhe importimi i tyre të jenë të biodegradueshme. Mbetjet nga ambalazhet e biodegradueshme duhet të jenë të një natyre të tillë që të përballojnë zbërthimet fizike, kimike, termike ose biologjike, në mënyrë që pjesa më e madhe e masës së formuar në fund, të dekompozohet në dioksid karboni, biomasë dhe ujë

Një pjesë e qeseve të ambalazheve të plastikes që nuk do të riperdoret ose riciklohet, do të sherbejë për prodhim energjie (djegie në incinerator).

Sipas të dhënave të Planit Kombëtar për Menaxhimin e Mbetjeve 2010-2025 nga Komisioni Evropian dhe Qeveria shqiptare, në Shqipëri prodhohen 198 tonë në ditë mbetje plastike me densitet të ulët dhe 111 ton në ditë mbetje plastike me densitet të lartë. Mbetjet plastike përbëjnë rreth 14% të totalit të mbetjeve në Shqipëri.

Plastika është një material që Toka nuk e tret, Duhen 500 deri 1000 vjet që një ambalazh plastike të tretet në tokë. Çdo vit, rreth 500 miliardë deri 1 trilion qese plastike kosumohen në botë. Që do të thotë një million qese plastike për minutë.

Po a aplikohet riciklimi i qeseve plastike në Shqipëri? Znj. Ifti pohon se “Riciklimi i qeseve plastike nuk ka filluar ende pasi nuk kemi ndarje në burim dhe si e tille ajo grumbullohet në të njëjtin vende me mbetjet e tjera, duke ndotur atë dhe duke e bërë të pamundur riciklimin pasi ka nje kosto tepër të lartë. Pas vitit 2018 kur të fillojë ndarja e tyre në burim dhe në një vend të përcaktuar, do të kemi interes nga shoqëri të ndryshme për të investuar në këtë drejtim.

Një reduktim i madh i mbetjeve plastike do të mund të ndodhte vetëm nëse do të kishte një vullnet të fortë të politikës dhe shoqërisë. Të gjithë ne mund dhe duhet të bëjmë pjesën që na takon. AgroWeb ka përgatitur një listë me disa mënyra se si të reduktosh plastikën, si edhe një renditje faktesh mbi dëmet e plastikës në natyrë.

Disa mënyra për të “mundur” plastikën

• Zgjidh të ripërdorësh qeset për pazar dhe shishet e ujit të ripërdorshme. Mbani parasysh që mund të blini me çmim të arsyeshëm çanta cope për të kryer blerjet dhe gjithashtu shishe xhami ose metalike për të pirë ujë.
• Mos përdor paketimet një-përdorimshe, paketimet e tepruara, pipëzat dhe plastika të tjera të disponueshme. Mbani me vete mjete të ripërdorshme.
• Kërkoni alternativa për të zëvendësuar plastikën në mjetet që përdorni.
• Ricikloni. Nëse ju duhet të përdorni plastikën, përpiquni të përdorni numrin 1(PET) ose numrin 2(HDPE) të cilat janë plastikat e riciklueshme më të përdorshme. Evitoni qeset plastike apo ambalazhet e polisterolit (bukëpeshku) duke qenë se kanë koefiçient riciklimi të ulët.
• Bëhuni vullnetar për pastrimin dhe mirëmbajtjen e bregdetit.
• Përhapni fjalën. Flisni me familjarët tuaj dhe miqtë për rëndësinë e reduktimit të përdorimit të lëndëve plastike në jetët tona dhe për impaktet shkatërruese në mjedis.

Një million zogj vriten çdo vit nga mbetjet plastike në detra e oqeane

Fakte mbi dëmet e plastikës në natyrë

• Përgjatë dhjetë viteve të fundit bota ka prodhuar plastikë më shumë krahasuar me gjithë shekullin e fundit.
• 50 përqind e plastikës që përdorim, shërben vetëm për një përdorim.
• Plastika përbën 10% të gjithë mbetjeve që gjenerojmë.
• Çdo vit përdoren mesatarisht rreth 500 miliard qese plastike në gjithë botën. Më shumë se 100 milion qese përdoren gjatë një minute.
• Sasi të paimagjinueshme, tonelata mbetjesh plastike gjenden në vorbullat e oqeaneve të cilat përbëjnë rreth 40% të sipërfaqes oqeanike botërore. 80% e mbetjeve plastike arrijnë në oqean nëpërmjet tokës.
• Plastika përbën 90% të gjithë mbetjeve pluskuese në oqean me rreth 46,000 copëza plastike për kilometër katror.
• Një million zogj të detit dhe 100,000 gjitarë ujorë vriten çdo vit nga mbetjet plastike nëpër detra.
• 44 përqind e llojeve të zogjve të detit, 22% e gjithë gjitarëve ujorë, breshkat e ujit dhe një listë e gjatë e llojeve të peshqve janë dokumentuar të kenë patur plastikë në trupat e tyre.
• Virtualisht çdo copëz plastike e krijuar ndër vite, ekziston akoma në një lloj forme (duke përjashtuar atë pjesë të vogël e cila ka humbur gjatë djegjes).